Qalaj pas bojkotit të Listës serbe: Sinjal për tensionim, goditën ndërkombëtarët

Aktuale

Qalaj pas bojkotit të Listës serbe: Sinjal për tensionim, goditën ndërkombëtarët

Më: 10 prill 2024 Në ora: 12:50
Rashit Qalaj

Në muajin prill të 2023-ten përmes zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Lista Serbe pati bojkotuar procesin duke bërë thirrje që qytetarët serb të mos dalin për të votuar.

Edhe pas një viti kjo parti po vepron njëjtë, por për shkarkimin e kryetarëve.

Lista Serbe të dielën ka bërë thirrje që më 21 prill qytetarët serb të bojkotojnë procesin e shkarkimit.

Këto qëndrimet e partisë më të madhe serbe janë paralajmërime për tensionim të situatës së sigurisë në vend, sipas njohësve për çështjen e sigurisë.

Ish-drejtori i Policisë, njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri, Rashit Qalaj thotë se Serbia po provon të krijojë tensione në veri.

Qalaj veprimet bojkotin e serbëve e ka cilësuar si sinjal për tension.

“Këto janë sinjale nga ana e Serbisë, për një mundësi për tensionim tjetër në veri. Vuçiq ka nisur një rrugë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, ka caktuar një grup punues i cili do të bëjë përpjekje diplomatike. Serbia do të provojë të krijojë tensione të reja në veri, të cilat këto tensione të cilat më së shumti e dëmtojnë komunitetit serb atje”, deklaroi Qalaj.

Ish-drejtori i Policisë thotë se Lista Serbe ka goditur ndërkombëtarët me vendimin për bojkot.

Qalaj deklaron se me këtë veprim partia e serbëve po shkakton presion tek qytetarët për zgjedhjet e ardhshme.

“Vendimi i Listës Serbe është një goditje për partnerët ndërkombëtarë, pasi kanë qenë shumë të zëshëm dhe ka qenë kërkesë e Brukselit që kryetarët që janë të zgjedhur në zgjedhjet lokale të shkarkohet me anë të një peticioni dhe kjo është e organizuar dhe vjen nga ndikimi që e bënë Qeveria serbe, që të bëjë presion tek popullata lokale në veri që ata të mos emancipojnë në zgjedhjet e ardhshme”, theksoi Qalaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat