Rrëfimi i nënës që mbeti pa u përshëndetur me djalin e saj dëshmor i Koshares

Aktuale

Rrëfimi i nënës që mbeti pa u përshëndetur me djalin e saj dëshmor i Koshares

Më: 10 prill 2024 Në ora: 13:52
Nazlie Loku

Këtyre ditëve po shënohet 25-vjetori i betejës së lavdishme të Koshares dhe momente të atyre ditëve të mëdha po kujtohen edhe sot.

Beteja e Koshares u zhvillua në kuadër të Operacionit "Shigjeta", ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-regjimit të kasapit të Ballkanit Sllobodan Milosheviq. Në këtë betejë ranë për të mos vdekur kurrë 114 dëshmorë të kombit.

Në mesin e atyre që kujtojnë këtë ditë të madhe është edhe nënë Nazlie Loku. Ajo për çdo 9 prill merr rrugën për në Koshare për t'u çmallur me djalin e saj dëshmor. Ajo qëndron pranë varrit të Abush Lokut, i cili së bashku me shokët e tij, 25 vjet më parë, u nis në mbrojtje të atdheut.

Nëna Nazlie kujton momentet e fundit me djalin e saj. Ajo tregon se e gjithë familja kanë qenë refugjatë, ndërsa në Abush Loku si shumë të tjerë mori vendimin e madh që t’i del në mbrojtje atdheut. Nazlija e mbushur me dhimbje tregon se djali saj vdiq në lulen e rinisë - moshën 21-vjeçare.

Jeta për nënë Nazlie vazhdon edhe me pesë fëmijët e tjerë, dy djem e tre vajza por se çdo ditë të mëngjesit ajo pret te xhami i shtëpisë se mos po kthehet Abushi.

Nazlije: Pres te xhami shtëpisë për djalin tim dëshmor Abushin

"Shumë larg më ke dërguar. Në Tetovë kemi qene refugjatë. Edhe erdhi lajmi se e kanë vrarë, një here më kanë thënë se është në spital dhe u nisa të shkoj ta shoh në Shqipëri, në spital. Kur fola me Rrustem Berishën në telefon më thanë që e kanë varrosur që dy-tre ditë dhe mbeta, nuk munda të shkoja.... Avnia, Abazi ky është edhe tre vajza, për djalin jo me u mërzit nuk kam mund të vij në vete tre muaj, nuk kishe çfarë të bëje, njeri po pajtohet me këtë. Shpirtin tim e kisha dhënë për më e pas, veç të shkoj mysafir diku, të rri mendja se ku ka mbetur, por jo se 20 ditë që të mos mund ta shoh. Po nuk ki çka të bëj... Unë kam ecur sikur me qenë e paaftë.. (Abushi ishte) 21-vjeç atë vit që ra dëshmor. Ne shqiptarët e kemi se është i ri e mos ta kenë afër vdekjen, nuk kishe se çka të bësh.... Kur çohem mëngjes, po më duket se po vjen te xhami, edhe atë ditë kur e ka datëlindjen unë sëmurem se nuk kam çka të bëj," shtoi Loku.

Nëna e dëshmorit Nazlija tregon momente dhimbjeje para ndarjes me Abushin dhe dhuratën që ky i fundit ia la për kujtim sikur ta dinte se po merrte një rrugë pa kthim.

Nazlije: Djali me të gjithë është përshëndetur, vetëm me mua jo

"Jo, jo të gjithëve u ka treguar, edhe vëllait të madh i ka thënë se do të del e nuk do të kthehem, ndërsa mua jo. Mua më ka shkuar rrotull po nuk më ka hyrë në mendje se çka. E ka pas një zinxhir që ia kam dhënë dhe më tha qe "oj nënë, merre se nuk po dua ta mbaj, sepse te halla do të shkoj". Merrte gjëra tjera të trasha e mua nuk më kujtohej. Kur ka shkuar e kam marr vesh.... Nënë më tha, a u mërzite për Abushin, thashë pse? Se ka shkuar në Tetovë, kur më ka thënë nëna se a u mërzite për Abushin më keq se sa të vdisja. Kam thënë se ndoshta do të shpëtojë, se në vendlindje janë shtatë persona që i kanë pre ata. Vëllai i madh është mërzitur më së shumti. Ka shkuar në punë dhe e ka lënë punën se nuk ka mund ta përballojë. Unë thashë edhe nëse shkon mysafir, të rri në mendje e lëre që të mos e shohësh kurrë," tha Loku.

25-vjetori i kësaj beteje të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u shënua me disa aktivitete, ku morën pjesë edhe krerët e shtetit, si dhe u vendosën kurora lulesh në Kompleksin Memorial në Koshare të Gjakovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat