Votimi i 21 prillit në veri, QUINT me kërkesë për Listën Srpska, i drejtohet edhe Qeverisë

Aktuale

Votimi i 21 prillit në veri, QUINT me kërkesë për Listën Srpska, i drejtohet edhe Qeverisë

Më: 10 prill 2024 Në ora: 21:25
Foto ilustrim

Shtetet e QUINT dhe BE kërkojnë nga Lista Srpska dhe të gjithë të tjerët që kanë bërë thirrje për tërheqje nga votimi i 21 prillit për tërheqjen e kryetarëve në komunat veriore, të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre. Bojkotimi nuk do të sjellë ndonjë rezultat, vlerëson QUINT dhe BE.

Gjithashtu i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që të reagojë  ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi

Deklarata e plotë:

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së në Kosovë janë në dijeni se, në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë votimet për tërheqjen e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Kjo votë kërkohet si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Na vjen keq për deklaratat e Listës Srpska dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatës që u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike.

Ne e pranojmë se zgjedhjet e 23 prillit 2023 nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve. Mirëpo, bojkotimi i votimit të 21 prillit nuk do të sjellë këtë rezultat dhe as nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri. Prandaj, i bëjmë thirrje Listës Srpska dhe të gjithë të tjerëve që kanë bërë thirrje për tërheqje, të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të përdorin plotësisht mjetet demokratike në dispozicion për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi. Ftojmë të gjitha palët e interesuara që të veprojnë në atë mënyrë që të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote në veri të Kosovës të kenë mundësi të marrin pjesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat