Mujanoviq paralajmëron Parisin që po i shet aeroplanë Serbisë - me ta lehtësisht mund të kërcënohen ushtarët francezë

Aktuale

Mujanoviq paralajmëron Parisin që po i shet aeroplanë Serbisë - me ta lehtësisht mund të kërcënohen ushtarët francezë

Më: 10 prill 2024 Në ora: 23:16
Foto ilustrim

Serbia dhe Franca kanë arritur të martën marrëveshje që Beogradi të blejë 12 aeroplanë luftarakë francezë, Rafale, ka bërë të ditur presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Por në sytë e gazetarit boshnjak Jasmin Mujanoviq, blerja e  aeroplanëve Rafale nga Serbia, shihet si kërcënim për ushtarët francezë në kufirin Kosovë-Serbi që hipotetikisht mund të vendosen në kufirin Kosovë -Serbi nga NATO.

Ai thotë se ushtarët francezë mund të kërcënohen nga avionët luftarakë të prodhuar në Francë të komanduar nga Serbia, duke marrë shembull një artikull se si aeroplanët serbë fluturojnë në kufi me Kosovën.

“Nëse Macron vazhdon me shitjen e aeroplanëve Rafale Serbisë, lehtë mund të keni një situatë ku trupat franceze në misionin e NATO-s KFOR në Kosovë vendosen në kufirin Serbi-Kosovë, ku ata kërcënohen nga avionët luftarakë francezë të komanduar nga Serbia”, shkruan Mujanoviq.

Presidenti serb nuk ka treguar sa do të paguajë Beogradi për këta aeroplanë.

Në vjetët e fundit, Serbia e ka rritur bashkëpunimin me Francën në fushën e mbrojtes.

Prej vitit 2018 deri më 2022, Serbia ka ndarë më shumë se 1.4 miliard dollarë në këtë sektor.

Vuçiq e ka përmendur në disa raste se do të vazhdojë blerja e armëve dhe pajisjeve ushtarake dhe vetëm këtë vit janë ndarë 740 milionë euro në këtë drejtim.

Kritikët kanë paralajmëruar Perëndimin kundër armatosjes së Serbisë, e cila ka marrëdhënie të tensionuara me Kosovën, pavarësinë e së cilës – të shpallur më 2008 – vazhdon të mos e njohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat