Ekipi Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s me drejtor të ri

Aktuale

Ekipi Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s me drejtor të ri

Më: 12 prill 2024 Në ora: 15:13
Foto ilustrim

Gjeneral Brigade Christian Nawrat merr përsipër detyrën e Drejtorit të Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s. Ai e merr përsipër këtë detyrë nga Gjeneral Brigade Ralf Hammerstein, i cili e ka udhëhequr Ekipin Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), që nga muaji mars 2023.

Gjeneral Brigade Ralf Hammerstein theksoi: “Kam pasur nderin t’a udhëheq Ekipin Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s këtu në Kosovë. Ne kemi vazhduar të punojmë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, dhe i falënderoj homologët tanë për angazhimin e tyre të vazhdueshëm dhe konstruktiv me mua dhe me Ekipin. Falë këtij ambienti të besimit dhe respektit të ndërsjellë, ne kemi arritur shumë vitin e kaluar, posaçërisht në mbështetjen e kontrollit më të madh civil dhe mbikëqyrjes demokratike të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Organizatat e sigurisë në Kosovë kanë demonstruar profesionalizëm dhe përkushtim të madh, i cili ka kontribuar pozitivisht në planifikimin emergjent të Kosovës. Ekipi Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s do të vazhdojë t’i mbështesë ato, në përputhje me udhëzimet e Këshillit Veri-Atlantik të NATO-s”, tha ai.

Drejtori i ri i Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s, Gjeneral Brigade Christian Nawrat i lavdëroi të arriturat e pararendësit të tij duke shpresuar që të vazhdojë në këtë drejtim: “Jam i privilegjuar t’i mbështes objektivat e NATO-s në Kosovë duke e udhëhequr Ekipin Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s. Organizatat e sigurisë në Kosovë më kanë ofruar mikpritje të ngrohtë dhe unë e mirëpres angazhimin e ngushtë me këto institucione”, theksoi ai.

Gjenerali Nawrat ka pasur karrierë mjaft të shquar në Forcat e Armatosura Gjermane, duke shërbyer në pozita të larta në Ministrinë Federale të Mbrojtjes në Gjermani, në Ushtrinë Gjermane, dhe në Shtabin Suprem të Forcave Aleate për Evropë (SHAPE).

"Që nga muaji gusht 2016, Ekipi Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s ka ofruar mbështetje për zhvillimin e mëtutjeshëm të organizatave të sigurisë në Kosovë. Këtu përfshihen ndërtimi i kapaciteteve, koordinimi i edukimit dhe trajnimeve – duke përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës – në përputhje me mandatin fillestar civil emergjent të saj", thuhet në komunikatën e KFOR-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat