Vrasja e gruas në Ferizaj: Çka dihet deri tani për rastin?

Aktuale

Vrasja e gruas në Ferizaj: Çka dihet deri tani për rastin?

Më: 12 prill 2024 Në ora: 19:20
Foto ilustrim

Një grua e moshës 21 vjeçare ka mbetur sot e vrarë në Ferizaj, derisa vëllai i saj 15 vjeçar është plagosur. Dorasi, dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i viktimës. Çka dihet deri më tani për rastin?

Rreth orës 14:40 policia e ka marrë informatën se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

I dyshuari, sipas policisë, kreu vrasjen brenda katit të parë të Qendrës për Punë Sociale. E.C mbeti e vrarë, ndërsa D.C i plagosur.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C (F/K) e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C ( M/K) i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.” – njoftoi policia.

Rreth orës 15:15, policia ka identifikuar të dyshuarin, V.A i moshës 36 vjeçare, dhe më pas kanë arrestuar të njëjtin.

Prokuroria ndërkaq, ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë:

“I dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftim.

Motivi

Duke folur për rastin, kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se aktualisht nuk ka informacione. Megjithatë, dyshohet që motivi të ketë qenë një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve.

“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi [ish-bashkëshorti] është arrestuar.” – tha Jashari.

Në anën tjetër, Adelina Rexhepi – Braha duke folur për “Betimin për Drejtësi”, ka shpjeguar rastin duke njoftuar se sipas marrëveshjes mes ish-bashkëshortëve, në orën 13:00 viktima e ka dërguar fëmijën në qendër për të realizuar kontaktin me babain e tij.

“Bashkëshorti e ka vra bashkëshorten e tij. Kontaktin e kanë pas me marrëveshje, nëna e ka fëmijën edhe e ka pru fëmijën në ora 13:00 në qendër që me realizu kontaktin me babën e tij. Djalin e ka marrë babai e ka dërgu në familje të vet, në shtëpi dhe pastaj e ka rikthyer në qendër.” – ka thënë ajo.

Tutje, Rexhepi – Braha ka thënë se kur i dyshuari ka kthyer fëmijën në Qendër, aty kanë filluar përplasjet.

“Ka bisedu me menaxherën e rastit të tyre, i ka tregu që është duke pas probleme me ish – bashkëshorten, po i kthehet ajo prap, e diskutime të qiftit që ndodhin zakonisht. Edhe ka shku prap në shtëpi sepse në ora 15:00 ka pas me rikthy djalin në Qendër për Punë Sociale që me e mbajtë nëna, me marrë ajo. Kur ka dalë ai poshtë, e ka taku ish-bashkëshorten e tij, realisht partneren, sepse nuk kanë kurorë dhe të dy bashkë, janë ardhë në Qendrën për Punë Sociale dhe aty kanë fillu me bërtitë, me e fy bashkëshortja, bashkëshortin dhe ai e ka nxjerrë alltinë dhe e ka gjujtë. I plagosuri është vëllai i gruas.” – u shpreh ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat