​Krimi në Ferizaj, kërkohet urgjentisht shtimi i sigurisë në Qendrat për Punë Sociale

Aktuale

​Krimi në Ferizaj, kërkohet urgjentisht shtimi i sigurisë në Qendrat për Punë Sociale

Më: 13 prill 2024 Në ora: 16:38
Foto ilustrim

Vrasja e djeshme e 21-vjeçares në Ferizaj tronditi të gjithë qytetarët e Kosovës. Erona Cokli, 21-vjeçe, dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj në Qendrën për Punë Sociale, aty ku konsiderohet që siguria duhet të jetë në nivel. Derisa, ky rast vuri në pah parregullsitë që lidhen me çështjet e sigurisë në këto qendra.

Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Prishtinë, Vebi Mujku në një prononcim për KosovaPress tha se në këto institucione mungon siguria fizike e klientëve dhe stafit. Ai potencoi shumë raste kur stafi i QPS-së ballafaqohet me sulme fizike e kërcënime me armë për shkak të mungesës së kontrollit.

Mujku kërkon ndërmarrjen e hapave urgjentë në këtë drejtim, për çka përmend nevojën e sigurimit fizik dhe të bëhet një rregullore e re.

Mujku: Në Qendrën për Punë Sociale mungon siguria e klientëve dhe stafit

"Në Qendrën për Punë Sociale mungon siguria fizike e klientëve dhe stafit, të cilët punojnë aty dhe në shumë raste ndodh që stafi i qendrës për punë sociale të ballafaqohet me sulme fizike, të kërcënohet me thika, revole dhe me gjësende të tjera për shkak se mungon një kontroll, mungojnë detektorët, kontrolli fizik. Për çka është shumë me rëndësi që të jetë edhe Policia e Kosovës e pranishme, sepse aty kemi të bëjmë direkt me gratë, fëmijët dhe grupet e tjera të margjinalizuara... Duhet urgjentisht të veprohet në këtë drejtim, të bëhet sigurimi fizik, të krijohen dhomat mike, të bëhet një rregullim se si do të takohen ata për shkak se, pothuajse në secilin rast ka probleme kur takohen, takimet janë të rralla - një herë në dy javë, apo njëherë në javë, është vetëm një orë dhe çdoherë ka probleme,” tha Mujku.

Rastet e vrasjes ndaj grave në Kosovë janë të shpeshta. Ndër arsyet që çojnë deri në këtë akt, Mujku përmend se burrat edhe pas ndarjes i shohin gratë si pronë të tyre.

Ndërsa për vrasjen e djeshme, për të cilën u raportua se dyshohet se ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjes për marrjen e kujdesit ndaj fëmijës së tyre njëvjeçar, Mujku tha se domosdo interesi më i mirë i fëmijës është që të qëndrojë te nëna.

Për KosovaPress, Mujku thekson se diferenca në moshë prej 15 vjetësh në mes të dorasit dhe viktimës mund të jetë një faktor tjetër i mundshëm të ketë kontribuuar në aktin e djeshëm.

Mujku: Diferenca në moshë mund të jetë faktor që ka çuar deri në vrasje

"Në shumicën e rasteve burrat pas ndarjes e konsiderojnë gruan ende si pronë të tyre. Nuk duan të shohin që po lëvizë lirshëm, që po del me të tjerët dhe përcjellën në forma të ndryshme. Shantazhojnë përmes fotove, rrjeteve sociale dhe nuk pajtohen me vetë faktin që fëmija iu është besuar një nëne, duke konsideruar që fëmija çdo herë është gjak i babait, i familjes së babait dhe iu takon atyre...Nëse po flasim për një fëmijë të moshës njëvjeçare, domosdo që interesi më i mirë i fëmijës, është të qëndrojë te nëna dhe nëna është ajo e cila i jep sigurinë, mirëqenien, kontrollin, edukimi më të mirë...Në këtë rast diferenca në moshë ka qenë jashtëzakonisht e madhe dhe mendoj që edhe kjo ka qenë një prej problemeve, sepse një diferencë prej 15 vjetëve në martesë, me siguri që edhe kjo i ka arsyet e veta, pasojat e veta që mund ta shtyjë deri te një rast i tillë," potencoi Mujku.

Po ashtu, edhe sociologu Genc Xërxa mendon se në Kosovë ende funksionon sistemi patriarkal, ku burrat i shohin si rob gratë e tyre. Ndër shkaktarët që çojnë deri në vrasje, Xërxa përmend sistemin e vlerave, emancipimin e shoqërisë dhe çalimin e institucioneve për sigurimin e Qendrave për Punë Sociale.

Xërxa: Burri e sheh gruan si rob të tij

Rasti i mbrëmshëm është cilësuar si vrasje e rendë dhe është mjaft për keqardhje, edhe pse motivet ende nuk dihet. Por, ka nuanca të femicidit. Shkaktarët janë të shumtë, njëra në shumicën e rasteve që është më së keqi, keqkuptimet apo mosmarrëveshjet familjare në mes të çiftit bashkëshortor po na përfundojnë jo në mënyrë të duhur, të zgjidhen në mënyrë njerëzore apo humane, civile, por me fatalitet, siç ndodhi edhe rasti i mbrëmshëm. Janë shumë faktorë, janë sistemi i vlerave. Ne ende jetojmë në një sistem patriarkal, ku zakonisht ana e burrit apo mashkullor e sheh gruan si një rob, apo e sheh si pronë ndaj të cilës faktikisht mendon që ta mbizotërojë dhe ta dominojë në çfarëdo forme...Sistemi i vlerave, pastaj emancipimi i shoqërisë, pastaj këtu çalojnë edhe institucionet, që është më së keqi , që ka ndodhur para institucionet të Mirëqenies dhe Punës sociale. Ka pasiguri, si për gratë ashtu edhe për fëmijët", tha Xërxa.

Ndryshe, autorit të dyshuar të vrasjes makabre dhe plagosjes së një 15-vjeçari në Ferizaj i është caktuar masa e paraburgimit një muaj. Ndërkaq, vëllai i mitur i viktimës është liruar sot nga spitali. Ndërkaq, trupi i pajetë i viktimës, dje (e premte) është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Policia e Kosovës ka deklaruar se ende nuk dihen motivet e vrasjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat