Matoshi thotë se Reshitaj dha dorëheqje, nuk u shkarkua

Aktuale

Matoshi thotë se Reshitaj dha dorëheqje, nuk u shkarkua

Më: 4 gusht 2018 Në ora: 00:23
Fatmir Matoshi

Fatmir Matoshi, ushtrues detyre i ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor ka folur për dorëheqjen e shefes së tij, Albena Reshitaj nga posti i ministres në këtë ministri.

Matoshi që deri të mërkurën mbante postin e zëvendësministrit, ka thënë se Reshitaj ka dhënë dorëheqje për shkaqe personale, duke mohuar se u shkarkua nga posti i ministres.

“Besoj se tash është e qartë, arsyet e dorëheqjes janë krejtësisht personale dhe unë dëshiroj të besoj deklaratës së saj dhe arsyeve që ka dhënë për dorëheqjen”, ka thënë Matoshi.

Nuk është e vërtetë që është shkarkuar. Gjithë e vërteta është se ajo ka dhënë dorëheqje. Ne vlerësojmë punën e secilës ministri të secilit anëtarë të AKR-së dhe kohë pas kohe mund të mos kemi dakordim për çështje të caktuara. Por AKR-ja vlerëson punën e saj”, ka shtuar Matoshi që thotë të ketë raporte korrekte me Reshitajn.

“Edhe sot kam kontaktuar me të, do të vazhdoj ta bëj këtë edhe në të ardhmen. Gjatë punës kemi pasur raporte korrekte dhe vendimet kryesore gjithmonë kanë qenë të saj”, ka thënë ai.

Tani ushtruesi i detyrës së ministrit ka thënë se nuk ka biseduar me Reshitajn për të mësuar përse ka dhënë dorëheqje në kohën kur ishte raportuar se ish-ministrja kishte mosmarrëveshje me bashkëpartiakun e saj, Rrahim Pacollin.

“Nuk ka pasur probleme, nuk ka pasur mosmarrëveshje me sekretarin organizativ Rrahim Pacollin”, ka thënë Matoshi që kur u pyet nëse në këtë ministri ka të punësuar edhe nga partia e tij, AKR-ja, ka thënë se ministria ka 360 të punësuar që i përkasin partive të ndryshme.

“Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor ka 360 të punësuar. Shumica prej tyre kanë preferenca partiake, por aty ka njerëz të mirë të të gjitha subjekteve politike. Ka edhe nga AKR-ja”, ka sqaruar Matoshi.

I pyetur në “Interaktiv” nëse do të mbetet ministër, Matoshi ka thënë se ka ambicie të mëdha në politikë, por ende nuk është diskutuar në partinë e tij nëse do të bëhet ministër.

“Në politikë kam hyrë që të ndryshoj gjëra për të mirë. Kam ambicie të mia në politikë. Do ta ushtroj detyrën e ministrit për një kohë të caktuar. Ende nuk e kam diskutuar me strukturën e partisë [nëse do të mbetet ministër]”, ka thënë veç të tjerash Matoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat