Rashiq: Nuk do të ketë korrigjim të kufijve, Thaçi u tregua i papjekur politikisht

Aktuale

Rashiq: Nuk do të ketë korrigjim të kufijve, Thaçi u tregua i papjekur politikisht

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 15:12
Nenad Rashiq

Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, njëherësh kryetari i Partisë Progresive Demokratike, Nenad Rashiq, ka folur për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe rreth çështjes së korrigjimit të kufijve.

Rashiq ka thënë se kjo nuk do të ndodh, dhe se kjo temë është ngritur me qëllim nga të dy presidentët ai i Kosovës dhe Serbisë, për të krijuar tension tek qytetarët.

“Unë kam qenë kundër çdo opsioni të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve. Ndarja do të ndikonte negativisht në jetën e serbëve që jetojnë këtu, poashtu do të kishte pasur ndikim negativ në tërë rajonin. Sa e shoh unë të dy presidentet po rrisin një tension ku populli po e merr më afër zemrës, ngritja e këtij tension është i qëllimshëm”, ka deklaruar Rashiq.

Ai tutje ka thënë se presidenti Hashim Thaçi, me deklaratat e tij për korrigjim të kufijve është treguar i papjekur politikisht.

“Presidenti Thaci ka dalë shumë i papjekur politikisht me këto qëndrime. Nuk është i rastësishëm deklarimi çdo ditë i presidentit Thaçi e presidentit Vuçiq rreth kësaj teme. Një manovrim diplomatik është bërë gjashtë muajt e fundit ku dy presidentet kanë menduar se do të mund të ketë diçka rreth temës së territoreve, nuk e di pse presidenti Thaçi e diskuton një gjë të tillë. Një korrigjim apo shkëmbim nuk mund të ndodh”, u shpreh Rashiq.

Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka gjashtë muaj që ka nisur përgatitjen e qytetarëve rreth kësaj teme, duke shfrytëzuar media dhe portale pro qeveritare për këtë.

“Asnjë aspekt pozitiv nuk e shoh as për serbët as për shqiptarët në formën e shkëmbimit apo korrigjimit të territorit. Serbët e jugut nëse ndodh një gjë e tillë do të kishin pasur një periudhë 1-3 vite të mendonin se si të largohen nga këtu, kurse serbët e veriut edhe pse mund të ndodhë që ata të përfitojnë diçka nga shkëmbimi i territorit, prapë ajo pjesë do të mbetej si zorrë qorre”, u shpreh mes tjerash Rashiq.

Rashiq ka thënë se së shpejti do të ketë lëvizje të reja nga shtetet e fuqishme të BE-së, kundër korrigjimit të kufijve. Ai ka folur edhe për presionin që kanë qytetarët serbë në Kosovë nga institucionet e Serbisë për të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar të Vuçiqit më 9 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat