Dokumentari "K2: Zbritja e Pamundur"

Alpinizem

Dokumentari "K2: Zbritja e Pamundur"

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 16 shtator 2020 Në ora: 22:11
Fotografia: Andrzej Bargiel, fotografuar nga Ralf Lotys, licensa: CC BY 4.0

Emri i dokumntarit në origjinal: "K2: The Impossible Descent" 
Prodhimi: “Red Bull Media House”
Viti i prodhimit: 2020
Gjuha: anglisht dhe polonisht
Kohëzgjatja: 65 minuta
Filmin dokumentar mund ta shikoni këtu, falas: 
https://www.redbull.com/de-de/films/k2-the-impossible-descent

Polakët kulmi i alpinizmit botëror

Tregim i jashtëzakonshëm filmik mbi Andzhej Bargjel (Andrzej Bargiel), ski alpinistin e parë që arriti të rrëshqasë me ski nga maja e malit më të respektuar në botë, K2 8.611 m/lmd. Për 30-vjeçarin polak, ky ishte një triumpf i dyfishtë; së pari ngjitja e K2-shit pa përdorimin e bombolave me oksigjen (arritja me 22. 7. 2018, në ora 11:30, sipas kohës lokale) dhe pastaj skijimi deri në kampin bazë (arritja me 22. 7. 2018, në ora 19:30, sipas kohës lokale).

Ishin polakët ata që bënë emër në alpinizmin e lartësive dhe në alpinizmin dimëror për dekada me radhë. Që nga koha e legjendave të alpinizmit Jezhë Kukuçka (Jerzy Kukuczka) dhe Wanda Rutkjeviç (Wanda Rutkiewicz), me një pauzë të shkurtër, arritjet e tyre ishin të jashtëzakonshme. Emërues i përbashkët i alpinistëve polakë është vargmali Tatrat e Larta (pol. Tatry Wysokie), vendi i ngjarjes, ku përvojat dhe stërvitjet e vazhdueshme i kanë bërë edhe: Jezhë Kukuçka, Wanda Rutkjeviç, Shështof Vjelicki (Krzysztof Wielicki), Leshek Çihe (Leszek Cichy), Pjotr Moravski (Piotr Morawski), Artur Malek (Artur Malek), Janush Golab (Janusz Gołąb), Adam Bjelecki (Adam Bielecki) e të tjerë. 

Andaj, biografia alpiniste e tyre në realitet është një ode lirike dhe epike mbi malet e vendlindjes së tyre, Tatra. 

Më 16 shtator 2020, Abdurahim Abdushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat