Kanadaja ndalon përdorimin e plastikës së pariciklueshme nga viti 2021

Amerika

Kanadaja ndalon përdorimin e plastikës së pariciklueshme nga viti 2021

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 18:47
Justin Trudeau

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha të hënën se vendi i tij do ta ndalojë përdorimin e plastikës së pariciklueshme duke filluar nga viti 2021.

Ai tha se përcaktimi i prodhimeve specifike që do të ndalohen do të bëhet në bazë të një vlerësimi shkencor, por qeveria tash për tash është duke e shqyrtuar ndalimin e përdorimit të shisheve të plastikës, qeseve të plastikës dhe pipëzave të plastikës.

“Duke nisur nga viti 2021, Kanadaja do ta ndalojë përdorimin e plastikës së dëmshme dhe të pariciklueshme në tërë territorin e saj”, tha kryeministri Trudeau.

Shefi i qeverisë kanadeze tha se kabineti i tij është motivuar për këtë vendim nga parlamenti i Bashkimit Evropian, i cili e ka miratuar ndalimin e përdorimit të plastikës së pariciklueshme për ta luftuar ndotjen e mjedisit. Sidoqoftë, këto masa duhet të miratohen edhe nga kuvendet e vendeve anëtare të BE-së në mënyrë që të hyjnë në fuqi.

“Shumë vende të tjera janë duke e bërë këtë dhe Kanadaja do të jetë njëra nga to. Ky është një hap i madh, por ne e dimë se mund ta bëjmë në vitin 2021” shtoi kryeministri kanadez.

Më pak se dhjetë për qind e plastikës së përdorur në Kanada riciklohet. Qeveria e këtij vendi tha se një milion zogj dhe 100 mijë gjallesa deti lëndohen ose ngordhin çdo vit në botë për shkak të ngatërrimit të plastikës me ushqim ose për shkak të ngujimit në qese dhe rrjeta plastike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat