SHBA, ligjvënësit të shqetësuar nga teknologjia e indentifikimit pamor

Amerika

SHBA, ligjvënësit të shqetësuar nga teknologjia e indentifikimit pamor

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 20:33
Foto ilustrim

Ligjvënësit në Uashington u takuan të martën për të diskutuar programet kompiuterike për identifikim pamor të individit. Agjencitë e zbatimit të ligjit thonë se këto programe ndihmojnë për të identifikuar keqbërësit. Por aktivistët për të drejtën e privacisë thonë se teknoligjia abuzon këtë të drejtë për qytetarët e thjeshtë që nuk kanë shkelur ligjin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi njofton nga Uashingtoni:

Një reklamë e kompanisë China Mobile paralajmëron shikuesit: qeveria ju mbikqyr. Videoja reklamon fuqinë e rrjetit 5-G duke treguar se si policia gjurmon një të dyshuar përmes një rruge të mbushur me njerëz. Sot, kapaciteti i kësaj teknologjie mbetet më tepër teori se praktikë.

Por mbikqyrja e qytetarëve nga shteti përmes teknologjisë së identifikimit pamor është realitet në disa vende në botë. Ligjvënësit amerikanë shprehim shqetësim:

“Kjo teknologji po evolon shumë shpejt, pa marrë në konsideratë parametra mbrojtëse,” thotë ligjvënësi demokrat, Elijah Cummings.

Këtë javë në Kongres, një komision dypartiak ngriti shqetësimin për agjencitë federale të rendit, të cilat kishin kontrolluar fotografitë nga patentat dhe pasaportat e 640 mijë amerikanëve pa marrë leje.

“Asnjë nga këta individë nuk kishte dhënë leje për t’ua kontrolluar fotografitë e patentave. Nuk dhanë firmën për leje për t’u kontrolluar FBI-ja informacionin personal,” tha ligjvënësi republikan, Jim Jordan.

“Ne e konsiderojmë këtë proces shumë të rëndësishëm për analizimin e fotografive që të ndihmojmë agjencitë federale dhe shtetërore të ligjit,” tha zyrtarja e FBI-së, Kimberly Del Greco.

Ligjvënësit thonë se programet për identifikimin pamor të individëve kanë problem dhe se këto probleme nuk janë trajtuar si duhet nga agjencitë e rendit:

“Ne raportuam se FBI-ja nuk kishte analizuar sa të sakta ishin këto sisteme që janë zhvilluar nga kompani private. Pra autoritetet qeveritare nuk kanë garanci për saktësinë e këtyre sistemeve. Megjithatë, FBI-ja vazhdon t’i përdorë,” tha Dr. Greta Goodwin, e cila punën për Zyrën e Llogaridhënies së Qeverisë.

Grupe për të drejtën e privacisë përshëndetën seancën në Kongres:

“Ky është një dialog i nevojshëm mes autoriteteve që përdorin sistemet për indentifikim pamor dhe qytetarëve që t’i informojmë për këto sisteme. Ky është hap në drejtimin e duhur dhe është në përputhje me parimet demokratike që duhet të udhëheqin zbatimin e teknologjisë këtu në SHBA dhe në gjithë botën,” thotë Kara Frederick e Qendrës për Garanci të Reja Amerikane.

Ndryshe nga programet kompiuterike që kontrollojnë pasagjerët në aeroporte apo bëjnë të mundur hapjen e celularit pa shtypur asnjë buton, kjo teknologji nuk kërkon leje as kur grumbullon të dhëna nga përdoruesit, apo kur ua kalon ato kompanive të tjera, gjë që përbën thelbin e debatit aktual nëse kjo teknologji shkel të drejtat civile të amerikanëve./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat