Pandemia e koronavirusit lë në hije garën mes kandidatëve demokratë për president të Amerikës

Amerika

Pandemia e koronavirusit lë në hije garën mes kandidatëve demokratë për president të Amerikës

Më: 18 mars 2020 Në ora: 00:13
Foto ilustrim

Shteti amerikan Ohajo anulloi në minutën e fundit votimet paraprake për shkak të emergjencës së shëndetit publik të shkaktuar nga koronavirusi. Sipas anketimeve në të katër shtetet ku do të zhvilloheshin votimet paraprake, ish-Nënpresidenti Joe Biden vazhdonte të jetë në avantazh, përballë Senatorit të Vermontit Bernie Sanders, ndërkohë që fushata elektorale po merr gjithnjë e më pak vëmendje, për shkak të shqetësimit të publikut për koronavirusin.

Shqetësimi për pandeminë e koronavirusit dominoi debatin e së dielës mes kandidatëve Joe Biden dhe Bernie Sanders i zhvilluar në një studio të kanalit CNN në Uashington.

Të dy kandidatët kanë kritikuar reagimin e Presidentit Donald Trump në përgjigje të shpërthimit të virusit.

Zoti Biden e trajtoi drejtpërsëdrejti çështjen në Delaware:

“Ulja e rëndësisë, mosmarrja seriozisht apo përhapja e keqinformimit do të na dëmtojë më tej dhe do të favorizojë përhapjen e sëmundjes. Sidoqoftë, nuk duhet të na zërë paniku dhe ksenofobia. Ta quash COVID-19 një virus të huaj, nuk heq përgjegjësinë për gabimet e bëra deri më tani nga administrata Trump”, tha zoti Biden.

Bernie Sanders foli nga shteti i tij, Vermonti.

“Po e kalojmë këtë të gjithë së bashku. Fatkeqësisht, në këtë periudhë krize ndërkombëtare, është e qartë se kemi një administratë që është përgjithësisht e paaftë dhe që me pakujdesinë e saj ka rrezikuar jetët e shumë shumë njerëzve në vendin tonë”, tha zoti Sanders.

Shqetësimet për përhapjen e virusit, si dhe mbyllja e shkollave dhe bizneseve e kanë lënë në hije fushatën e votimeve paraprake, megjithëse Presidenti Trump u përpoq të qetësonte publikun nga Shtëpia e Bardhë.

“Nuk ka nevojë të blini kaq shumë gjëra. Merreni më lehtë. Qetësohuni. Njerëzit po sulen dhe po blejnë. Më kujtohet nga biseda me drejtorin e Walmart që më tha se njerëzit po blejnë më shumë se për Krishtlindje. Qetësohuni. Po ja dalim shumë mirë. Do kalojë”, tha Presidenti Trump.

Për momentin, tubimet elektorale janë anulluar dhe zoti Sanders bashkëbisedoi me votuesit në mënyrë dixhitale. /voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat