Pompeo: Inspektori i Përgjithshëm duhet të ishte shkarkuar më herët - Bota Sot
Pompeo: Inspektori i Përgjithshëm duhet të ishte shkarkuar më herët

Amerika

Pompeo: Inspektori i Përgjithshëm duhet të ishte shkarkuar më herët

Më: 21 maj 2020 Në ora: 06:30
Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo nuk pranoi të mërkurën të thoshte se pse kishte rekomanduar shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, por shtoi se duhet ta kishte bërë më herët dhe hodhi poshtë pretendimet se vendimi i tij ishte motivuar nga hakmarrje politike.

Këshilltarë të anëtarëve të Kongresit thanë se Steve Linick, Inspektori i Përgjithshëm po hetonte nëse zoti Pompeo kishte shfrytëzuar një të emëruar politik rroga e të cilit mbulohet nga taksapaguesit, për të kryer punë personale për të dhe bashkëshorten e tij, si për shembull nxjerrja e qenit.

"Në këtë rast, unë i rekomandova presidentit që Steve Linick të shkarkohej. Në fakt duhet ta kisha bërë më herët”, u tha ai gazetarëve në komentet e para publike që kur Presidenti Donald Trump e bëri shkarkimin të premten në mbrëmje.

Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti shkarkimin "skandaloz" dhe tha se zoti Pompeo duhet të dëshmojë në Kongres për këtë dhe çështje të tjera.

Ajo tha se shkarkimi i katër inspektorëve të përgjithshëm në muajt e fundit, minon demokracinë amerikane. Zoti Pompeo mohoi të kishte vepruar për hakmarrje.

"Ka pretendime se unë veprova për hakmarrje, për shkak të një hetimi që po bënte zyra e inspektorit të përgjithshëm. Krejtësisht e pavërtetë. Unë nuk e kisha idenë se çfarë hetimesh po bënte zyra e Inspektorit të Përgjithshëm”, tha ai.

"Me një përjashtim. Më ishin dërguar një sërë pyetjesh me shkrim. Iu përgjiga pyetjeve për një hetim të caktuar. Kjo ndodhi para disa muajsh”, tha ai pa detajuar se për çfarë bëhej fjalë.

Ai tha se nuk e dinte natyrën e hetimit.

Zoti Pompeo, një republikan, sulmoi senatorin Bob

Menendez, anëtari më i lartë demokrat në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit që kryesohet nga republikanët, që tha se zoti

Linick kishte qenë duke hetuar shpalljen e gjendjes së emergjencës, nga ana e Presidentit Trump për t’i hapur rrugën shitjeve në shumën prej

8 miliardë dollarësh të paisjeve ushtarake, pjesa më e madhe Arabisë Saudite, duke anashkaluar një shqyrtim nga Kongresi.

"Budallallëqe”, tha zoti Pompeo në përgjigje të nocionit se një i emëruar politik bënte punë personale dhe akuzoi senatorin Menendez se e kishte nxjerrë këtë informacion në media.

"Unë nuk i marr udhëzimet etike nga një njeri i ndjekur penalisht. Senatori Menendez u padit në vitin 2015 nën akuza për korrupsion, të cilat u rrëzuan nga Departamenti i Drejtësisë.

Menendez u kundërpërgjigj.

"Fakti që Sekretari Pompeo po përpiqet të largojë vëmendjen duke u përpjekur të hedhë baltë mbi mua, është sa i parashikueshëm aq edhe i turpshëm”, tha ai përmes një deklarate, duke shtuar se Sekertari

Pompeo duhet të fokusohet tek përgjigjia e pyetjeve se pse

Linick ishte shkarkuar./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat