SHBA, reformë në polici në një vit zgjedhjesh?

Amerika

SHBA, reformë në polici në një vit zgjedhjesh?

Më: 12 qershor 2020 Në ora: 06:23
Ilustrim

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve ndërmorën hapin e parë të mërkurën drejt miratimit të legjislacionit të reformës policore në përgjigje të vdekjes nën arrest më 25 maj të afrikano-amerikanit George Floyd.

Që nga vdekja e zotit Floyd, një numër historik protestuesish vërshuan rrugët në të gjithë Shtetet e Bashkuara, shumë prej tyre duke bërë thirrje për një zgjidhje dramatike për të trajtuar pjesërisht problemin e diskriminimit racor, "ndërprerjen e fondeve për policinë".

Ndërsa kjo thirrje për të zhvendosur fondet nga forcat e zbatimit të ligjit në shërbimet sociale nuk përfshihet në këtë legjislacion të Kongresit, aty ka shumë propozime të tjera ambicioze që demokratët thonë se do të zhvendosnin konceptet e policisë në Shtetet e Bashkuara nga një model "luftëtari" në atë të një kujdestari publik.

Ja një vështrim në çështjet që po debatohen dhe shanset e tyre për t'u bërë pjesë e ligjit.

A mundet Kongresi i Shteteve të Bashkuara "të pezullojë fondet për policinë?" Sa mund të bëjë Kongresi amerikan për të trajtuar këtë çështje?

Financimi në nivel federal (i miratuar nga Kongresi amerikan) është vetëm një pjesë e fondeve që marrin departamentet e policisë lokale në Shteteve të Bashkuara. Shumica e fondeve të tyre rrjedhin nga burime shtetërore dhe lokale, kështu që edhe nëse do të kishte vullnet politik, Kongresi nuk do të mund të ndërpriste plotësisht fondet për një departament policie.

Demokratët kryesisht i kanë kundërshtuar thirrjet për pezullimin e plotë të fondeve për departamentet e policisë, duke argumentuar në vend të kësaj pëparësinë e transferimit të fondeve në shërbimet sociale.

"Unë mendoj se mund të përdoret si një shpërqendrim dhe ky është shqetësimi im", tha ligjvënësja Karen Bass, një demokrate nga Kalifornia, e cila është kryetare e Grupit të ligjvënësve afrikano-amerikan në Kongres, duke folur të hënën në lidhje me thirrjet për të ndërprerë fondet për policinë. "Unë mendoj se qëllimi i kësaj është diçka që unë e mbështes, idenë që duhen më shumë investime në komunitete."

Çfarë ka në përmbajtjen e legjislacionit të Demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve?

"Kjo është përpjekja më gjithëpërfshirëse e Kongresit në dekada për të trajtuar në mënyrë të konsiderueshme shkeljet e policisë, çështjet kritike që prekin komunitetin afrikano-amerikan dhe komunitetet e tjera të njerëzve me ngjyrë", tha të mërkuren para ligjvënësve Vanita Gupta, ish-zëvendës ndihmës prokurore për të drejta civile në administratën e ish-presidentit Obama.

Siç u përshkrua nga Kryetari i Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve, Jerry Nadler, një ligjvënës demokrat i Nju Jorkut, të mërkurën, legjislacioni do të krijojë forca lokale të policisë dhe do të inkurajojë strategji të praktikës më të mirë si përodimi i kamerave në trup nga policia dhe trajnime të përmirësuara për forcat e zbatimit të ligjit.

"Projekt-ligji do ta bënte më të lehtë për qeverinë federale ndjekjen e suskesshme penale për rastet shkeljeve nga policia, do të ndalonte përdorimin e teknikës së ngulfatjes, do t’i jepte fund profilizimit racor dhe fetar, do të inkurajonte ndjekjet penale të pavarura nga policia lokale dhe do të eliminonte doktrinën e dyshimtë të gjykatave për imunitet të kualifikuar për forcat e zbatimit të ligjit", tha ligjvënësi Nadler.

Eliminimi i imunitetit të kualifikuar, një parim ligjor që lejon mbrojtjen e frocave të zbatimit të ligjit nga ndjekjet penale civile në përjashtim të rasteve kur ata shkelin ligje të përcaktuara qartë ose të drejtat kushtetuese, ka të ngjarë të jetë pika më e rëndësishme e negociatave midis demokratëve dhe republikanëve.

Cili është hapi tjetër në diskutimin e këtij legjislacioni?

Ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve janë të vendosur ta hedhin në votim tekstin e projekt-ligjit javën e ardhshme. Udhëheqësi i shumicës demokrate, Steny Hoyer nga Merilendi njoftoi se Dhoma e Përfaqësuesve do të kthehej në sesion në javët e 22 dhe 29 qershorit në pritje të mbajtjes së një votimi të plotë për legjislacionin gjatë këtyre javëve.

Çdo legjislacion që miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë demokrate do të shqyrtohet në Senatin e kontrolluar nga republikanët. Por senatorëve po u mbaron koha për të shqyrtuar legjislacionin. Ata kanë në plan të kthehen në shtetet e tyre për një pushim dy javor në korrik dhe më pas për pothuajse tërë muajin e gushtit dhe fillimin e shtatorit. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer tha se ai është i shqetësuar se demokratët mund të humbasin vrullin për të arritur rezultate.

"Ne kemi nevojë për ta hedhur projektligjin për diskutim para gjithë senatit", tha të martën para gazetarëve senatori nga Nju Jorku, Chuck Schumer.

Si po reagojnë republikanët në Kongres?

Senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott, i vetmi republikan afrikano-amerikan në Senatin amerikan, po drejton përpjekjet për një propozim që mund të marrë mbështetjen e Presidentit Donald Trump.

Duke njoftuar përpjekjen e senatorit Scott, udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell nga Kentucky tha të martën, "Ne ende jemi duke luftuar me mëkatin origjinal të Amerikës. Ne përpiqemi të përmirësohemi, por herë pas here bëhet krejtësisht e qartë, se ne kemi një rrugë të gjatë deri te vija e mbarimit. Dhe unë mendoj se mënyra më e mirë për republikanët e Senatit për të ecur përpara në këtë çështje është të dëgjojmë mendimin e një anëtari tonë, ai i ka patur këto përvoja që kur filloi të shërbente në Senatin e Shteteve të Bashkuara."

Ndërsa ende nuk ka ndonjë tekst zyrtar për propozimet e republikanëve, ligjvënësit kanë sinjalizuar se ata do të kenë synime të ngjashme, si dhënia fund e teknikës së ngulfatjes nga policia dhe përmirësimi i trajnimeve të forcave të zbatimit të ligjit, por mënyra e arritjes së këtyre qëllimeve ndryshon nga ajo e demokratëve. Duke folur në seancën dëgjimore për reformën në polici në Komisionin e Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën, ligjvënësi Mike Johnson nga Luiziana përmblodhi qëllimet e republikanëve për trajtimin e problemit.

"Ne besojmë se reformat më të rëndësishme duhet të përqëndrohen rreth tre koncepteve thelbësore- transparenca, trajnimi dhe pushimi nga puna i atyre anëtarëve të forcave të zbatimit të ligjit që shkelin ligjin dhe legjitimitetin që mbanë në këmbë karakterin e sistemit tonë ligjor", tha zoti Johnson.

Por një pikë e rëndësishme mund të jetë çështja e imunitetit të kualifikuar. Në një konferencë për shtyp të martën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany tha posaçërisht se çështja e imunitetit për policinë nuk mund të jetë pjesë e diskutimeve.

Pyetja kryesore është nëse Presidenti Trump, i cili ka bërë postime në Twitter gjatë rrjedhës së protestave për nevojën e ligjit dhe rendit, do të jetë i gatshëm të nënshkruajë një legjislacion që mund të armiqësojë bazën e tij të votuesve në një vit zgjedhor.

Historikisht, Kongresi i Shtetevet të Bashkuara rrallë ka miratuar legjislacione ambicioze në muajt që i paraprijnë zgjedhjeve. Por opinioni publik amerikan është zhvendosur kaq shpejt në lidhje me këtë çështje, sa që duket se është në interesin më të mirë të ligjvënësve për të trajtuar të paktën disa nga këto probleme. Sipas Civiqis, një firmë kërkimore e sondazheve në internet, mbështetja e publikut amerikan për lëvizjen “Black Lives Matter” është rritur në dy javët e fundit me një ritëm sa në dy vitet e kaluara./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat