Gazetarëve të huaj në VOA mund të mos u rinovohen vizat

Amerika

Gazetarëve të huaj në VOA mund të mos u rinovohen vizat

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 16:45
VOA

Mbi 70 gazetarëve të huaj që punojnë për Zërin e Amerikës në Uashington mund të mos u rinovohen vizat, shumë prej të cilave skadojnë këtë muaj.

Një zëdhënës i Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) tha se agjensia po bën një vlerësim rast pas rasti të aplikimeve për rinovimin e vizave J-1. Agjensia ka 62 kontraktorë dhe 14 punonjës me kohë të plotë që gjenden në Shtetet e Bashkuara me vizë J-1. Nuk dihet sa janë gazetarët në degët e tjera të USAGM që preken nga ky vendim.

Deri më tani, asnjë prej gazetarëve që kanë kërkuar zgjatje të vizës J-1 nuk është refuzuar. Megjithatë, të paktën njërës prej gazetareve i ka kaluar afati, duke i lënë asaj kohë deri në fund të muajit për tu larguar nga Shtetet e Bashkuara. Gazetarë të tjerë të Zërit të Amerikës kanë vetëm disa javë kohë përpara se të detyrohen të kthehen në vendet e tyre, ku disa mund të ndëshkohen për shkak të punës në VOA.

Zëdhënësi i USAGM tha se procesi i shqyrtimit të vizave synon të përmirësojë menaxhimin e agjensisë, të mbrojë sigurinë kombëtare dhe të garantojë se nuk do të ketë abuzime me ligjet për punësimin e shtetasve të huaj.

Vizat J-1 janë një kategori jo-emigruese që lejon hyrjen e individëve me aftësi të veçanta, të cilët miratohen të marrin pjesë në programet e shkëmbimit të vizitorëve për punësim dhe studim. Ato lëshohen zakonisht për një periudhë disa vjeçare dhe i nënshtrohen rinovimit ose zgjatjes. Por kategoria J-1 është gjithashtu ndër disa llojet e vizave që u pezulluan përkohësisht nga administrata Trump në përgjigje të pandemisë së koronavirusit, dhe për shkak se administrata beson se mbajtësit e vizave të tilla u marrin vendet e punës shtetasve amerikanë.

Të premten, disa organizata gazetarësh si PEN America, National Press Club dhe Instituti PEN i Gazetarisë bënë deklarata, duke shprehur shqetësimin se refuzimi i rinovimit të vizave mund të rrezikojë sigurinë e këtyre gazetarëve të Zërit të Amerikës.

Për shkak të mandatit për të siguruar gazetari profesionale të një cilësie të lartë në më shumë se 40 gjuhë, Zëri i Amerikës shpesh has në vështirësi të gjejë shtetas amerikanë me aftësitë e duhura gazetareske dhe gjuhësore për programet e saj të transmetimit. Në raste të tilla, Zëri i Amerikës prej kohësh praktikon punësimin e personave nga vendet ku transmeton ose të imigrantëve të rinj që ndjekin procesin e gjatë për t'u bërë shtetas amerikanë.

Zëri i Amerikës dhe agjencitë e tjera qeveritare rishikojnë rregullisht aplikimet e rinovimit të vizave J-1, të cilat përmbushen nga punëdhënësi dhe i paraqiten Departamentit të Shtetit. Në të kaluarën, disa gazetarë të huaj të Zërit të Amerikës janë detyruar ta lënë punën sepse nuk u janë rinovuar vizat. Është e paqartë se si do të ndryshojë procesi i USAGM këtë vit nga praktika e kaluar.

"Për të përmirësuar menaxhimin e agjencive dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, është thelbësore të sigurohemi se autoriteti për punësimin dhe praktikat e personelit nuk do të keqpërdoren. Në këtë kuadër, USAGM është duke ndërmarrë një vlerësim gjithëpërfshirës, rast pas rasti, të kontraktorëve që kanë viza J-1”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të USAGM. Në kohën e publikimit, USAGM nuk i ishte përgjigjur pyetjes së Zërit të Amerikës nëse personat që punojnë me kohë të plotë, por që kanë viza J-1, po i nënshtrohen shqyrtimit.

Shefi Ekzekutiv i USAGM, Michael Pack, u emërua nga Presidenti Donald Trump për të udhëhequr agjencinë më shumë se dy vjet më parë. Por me kundërshtimin e fortë të demokratëve për emërimin e tij, konfirmimi i tij u shty deri në qershor të këtij viti. Që nga konfirmimi i tij, krerët e pesë rrjeteve të mediave të mbikëqyrura nga USAGM janë dorëhequr ose shkarkuar. Zoti Pak i tha gazetës "Washington Times" në një intervistë këtë muaj se po punon për të korrigjuar keqmenaxhimin e së kaluarës.

"Plani im këtu, dhe unë mendoj se këtë e dinë të gjithë në Shtëpinë e Bardhë dhe gjithë të tjerët, është t'i mbaj këto agjenci të përgjegjshme në përmbushjen e misionit të tyre, dhe në rastin e [Zërit të Amerikës], të statutit të saj. Kjo është pikërisht ajo që kam ndër mend të bëj", i tha ai gazetës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat