Trump ndalon dy aplikacione kineze në SHBA

Amerika

Trump ndalon dy aplikacione kineze në SHBA

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 23:54
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi ndalimin në SHBA të dy aplikacioneve kineze, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Sipas këtij urdhri, kompanitë amerikane ndalohen të bëjnë biznes me kompaninë ByteDance, që ka në zotërim aplikacionin e videove TikTok si dhe me firmën Tencent, që ka aplikacionin WeChat, i cili përdoret për mesazhe dhe pagesat online.

Urdhrat ekzekutivë hyjnë në fuqi brenda 45 ditëve. Sipas analistëve, nuk është e qartë nëse Presidenti Trump ka autoritetin ligjor për një veprim të tillë.

Ky hap vjen mes shqetësimeve që kanë ngritur administrata dhe ligjvënësit se aplikacionet në fjalë mund të përdoren për mbledhjen e të dhënave të shtetasve amerikanë.

Megjithatë, zyrtarët nuk kanë ofruar prova që mbështesin këto shqetësime. Dy kompanitë kanë thënë se nuk i ndajnë të dhënat e përdoruesve me qeverinë kineze.

Sipas analistëve, pritet që Kina të kundërpërgjigjet. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se SHBA nuk do të lejojnë që dyqanet amerikane të shesin aplikacionet kineze për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Të dyja aplikacionet përdoren nga miliona njerëz në mbarë botën. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat