SHBA: Zyrtarët nxisin votuesit të kenë durim për daljen e rezultateve të zgjedhjeve

Amerika

SHBA: Zyrtarët nxisin votuesit të kenë durim për daljen e rezultateve të zgjedhjeve

Më: 9 shtator 2020 Në ora: 06:40
Ilustrim

Zyrtarët e ngarkuar me sigurinë e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, paralajmërojnë se rreziku më i madh mund të vijë nga një valë keqinformimesh të përhapura nga kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara në orët pasi të mbyllet votimi në vend.

Zyrtarët druhen se ai do të jetë momenti më delikat për vendin, ndërsa shumë amerikanë presin që fituesi i zgjedhjeve të deklarohet ditën e votimit. Por meqenëse shumë vota këtë vit do të dërgohen me postë apo në mungesë për shkak të pandemisë së koronavirusit, ato rezultate mund të mos shpallen atë natë e ndoshta as një natë më pas.

“Ka gjasa të duhet më shumë kohë që të bëhet numërimi, për shkak të shtimit të votave në mungesë”, tha të martën Christopher Krebs, drejtor i Agjencisë amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe atë të Infrastrukturës, në një takim virtual për sigurinë kibernetike.

“Kini pak durim. Demokracia nuk u ndërtua sa hap e mbyll sytë”, tha ai në një mesazh drejtuar votuesve.

Nuk është hera e parë që zoti Krebs bën një paralajmërim të tillë, por ky mesazh bëhet edhe më urgjent ndërsa kanë mbetur më pak se dy muaj deri në zgjedhje dhe me një vëmendje gjithnjë e më të madhe tek votimi me postë.

“Një nga gjërat për të cilat po flasin shpesht zyrtarët e zgjedhjeve, është që të përgatisin votuesit dhe median për një gjë të tillë”, tha Trevor Timmons, shef i informacionit i Departamentit të Shtetit të Kolorados.

Koloradoja është një nga disa shtetet amerikane që i lejon të gjithë zgjedhësit të votojnë me postë, duke dërguar fletët e votimit disa javë para zgjedhjeve. Shumë shtete të tjera kanë ndryshuar ose modifikuar procedurat për votimin me postë, në përgjigje të shqetësimeve lidhur me COVID-19.

Por rregullat lidhur me kohën se kur shtetet mund të fillojnë të numërojnë votat, janë të ndryshme.

Zyrtarët e Kolorados mund të fillojnë të numërojnë votat 15 ditë para zgjedhjeve, megjithëse rezultatet nuk mund të shpallen pa përfunduar votimi në person.

Nga ana tjetër, të paktën 15 shtete nuk fillojnë t’i numërojnë votat me postë, deri pasi të mbyllen qendrat e votimit. Të tjerë, përfshirë shtete që mund të jenë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve, si Xhorxha, Miçigani, Pensilvania dhe Uiskoni, nuk fillojnë të numërojnë fletët e votimit me postë deri ditën e zgjedhjeve.

Rezultatet e zgjedhjeve mund të vonohen

Me zgjerimin e votimit me postë, zyrtarët parashikojnë që shumë shtete do të kenë një numër rekord fletësh votimi me këtë formë.

Si rezultat, ata thonë se është e mundur, madje shumë e mundur që amerikanët të mos ta dinë natën e votimit nëse Presidenti Donald Trump apo ish-nënpresidenti Joe Biden do të udhëheqë Shtetet e Bashkuara, katër vitet e ardhshme.

“Ndoshta nuk do ta dimë të martën më 3 nëntor në orën 7:00 në mbrëmje. Ndoshta nuk do ta dimë as në mesnatën e së martës”, tha zoti Timmons.

Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se synimi i tyre është që të sigurohen që votuesit të jenë të informuar për skenaret e mundshme dhe të mos ngurrojnë të hedhin votën e tyre.

“Nëse njerëzit vendosin të mos votojnë sepse mendojnë se procesi nuk është i besueshëm, atëherë njerëzit e këqij fitojnë”, tha zoti Timmons.

Për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë, zyrtarët e zgjedhjeve thonë se kanë punuar për “të kontrolluar sheshin e betejës”.

"Fokusi ynë ka qenë për të përgatitur popullin amerikan”, thotë Matthew Masterson, një këshilltar i lartë për sigurinë kibernetike në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

Parandalim ndaj dizinformimit

Një pjesë kryesore e planit ka qenë puna me zyrtarë të shteteve dhe lokalë dhe me kompanitë e medias sociale, për të edukuar vazhdimisht votuesit se ku të gjejnë informacion të saktë dhe në kohën e duhur.

Në mënyrë të veçantë, zyrtarët po paraljamërojnë votuesit që të shmangin marrjen e informacionit nga çdo burim i lidhur me Rusinë, veçanërisht RT dhe Sputnik, si edhe Ruptly, që e portretizon veten si një agjenci ndërkombëtare lajmesh që ofron video sipas kërkesave.

Edhe zyrtarët e shteteve po marrin masa parandaluese.

"Përpjekjet për të mbjellur farat e dyshimit në mendjet e votuesve tanë, kanë ardhur këtë vit nga burime të brendshme dhe të huaja, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë”, thotë Sekretarja e Shtetit e Miçiganit, Jocelyn Benson.

“Ne kemi lidhur partneritete me sportistë, udhëheqës të biznesit dhe njerëz të tjerë me influencë për ta shmangur atë informacion që të mos arrijë tek votuesit dhe që t’i bëjmë qëndresë asaj lloj retorike”, tha ajo në një seancë kongresi.

Nga ana tjetër, zyrtarët dhe disa kompani private kanë punuar që të garantojnë votuesit se sistemet e votimit janë të sigurta.

“Mundësia që një mjet në një qendër votimi të hakerohet është shumë e ulët”, thotë nënpresidenti i sigurisë së sistemeve tek prodhuesi më i madh i makinerive të votimit në SHBA, Election Systems & Software.

Objektivi i zyrtarëve të zgjedhjeve është që votuesit ta kuptojnë se thjesht fakti që ka gjasa të ketë vonesa në shpalljen e rezultateve, nuk do do të thotë që po ndodh diçka e keqe.

“Do të thotë që procesi funksionon”, tha zoti Masterson.

“Zyrtarët e zgjedhjeve do të përqendrohen tek saktësia dhe korrektesa. Ata do t'i përpunojnë fletët e votimit dhe do t'i numërojnë. Dhe ju do të merrni rezultate të certifikuara dhe të sakta, ashtu siç prisni", tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat