Karolina e Veriut, shteti i betejës elektorale

Amerika

Karolina e Veriut, shteti i betejës elektorale

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 19:33
Një punonjëse zgjedhore përgatit qendrën e votimit gjatë zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Veriut

Megjithëse Jugu amerikan prej dekadash ka patur prirje republikane, Karolina e Veriut, të cilën Presidenti Donald Trump e fitoi në zgjedhjet e vitit 2016, shihet si një shtet fushëbetejë në garën presidenciale të nëntorit midis tij dhe kandidatit demokrat Joe Biden. Ndjekim një korrespondencë nga qyteti Sharlot i Karolinës së Veriut.

Mbështetësit e vendosur të Presidentit Trump janë të bindur se ai do ta fitojë Karolinën e Veriut në nëntor, por pranojnë se gara do të jetë e fortë.

“Mund t’ju them këtë: Karolina e Veriut është një shtet i lëkundur. Ka që mendojnë se mund ta humbasim. Por unë ju garantoj se Karolina e Veriut do t’i shkojë Presidentit Trump. Do të jetë një garë e fortë. Unë pres që Presidenti Trump ta fitojë Karolinën e Veriut me dy, tre përqind më shumë," thotë John Steward, delegat republikan i Karolinës së Veriut.

Përkrahësit e ish- nënpresidentit Joe Biden po punojnë për të siguruar mbështetje në Karolinën e Veriut. Reagimi që ata marrin nga votuesit është i ndryshëm.

“Është e përzier. Sot kishim shumë njerëz për zotin Biden, jemi të befasuar në këtë zonë. Unë kam nevojë për një president më të mirë; Kam nevojë për një president që di të lexojë e të shkruajë, që të jetë për popullin. Prandaj jemi këtu", thotë Tom Nasrallah, mbështetës i kandidatit Biden.

Demokrati Barak Obama e fitoi me rezultat të ngushtë Karolinën e Veriut në vitin 2008. Në dy zgjedhjet e tjera ky shtet votoi për republikanët me më pak se katër përqind diferencë. Sondazhet e fundit tregojnë se zoti Biden ka një epërsi fare të lehtë.

“Shteti ynë është mjaft i ndarë. Por është një ndarje barabar mes partive. Gjasat janë që të dyja palët të marrin diku nga 43 në 45-46 përqind të votave përkatësisht. Por është ajo pjesë e fundit e votuesve e cila mund të ndryshojnë mendim dhe të lëvizë nga njëra anë në tjetrën, që e bën garën në Karolinën e Veriut po aq të fortë sa në çdo shtet tjetër," thotë Michael Bitzer, Profesor i politikës dhe historisë në Kolegjin Catawba.

Përveç garës presidenciale, në Karolinën e Veriut do të zhvillohet edhe një garë e fortë për Senatin, që mund të ndikojë për të përcaktuar se cila parti do ta ketë kontrollin në atë dhomë legjislative./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat