SHBA: Imigrantë të rinj pa dokumenta mobilizojnë votuesit

Amerika

SHBA: Imigrantë të rinj pa dokumenta mobilizojnë votuesit

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 19:16
SHBA

Për të rinjtë që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara pa dokumenta si fëmijë, është i vështirë realiteti i pamundësisë për të votuar. Por disa prej të ashtuquajturve ëndërrimtarë, që falë një programi të administratës së kaluar të quajtur DACA, mund të qëndrojnë në Amerikë, po aktivizohen për të mobilizuar ata që kanë të drejtën e votës. Ata shpresojnë që këta zgjedhës të kenë edhe çështjen e tyre në mendje, kur të hedhin votën.

Statusi i emigracionit i Maria Jose Rodriguez do të thotë se ajo nuk mund të votojë në zgjedhjet e nëntorit, por kjo nuk e ka ndaluar atë të mobilizohet dhe të aktivizohet në komunitetin e saj.

Rodriguez, një përfituese 24-vjeçare e DACA-s, u bashkua një ditë me një grup aktivistësh në qytetin e Koaçelës, për t'u siguruar që zëri i saj të dëgjohet, megjithëse jo përmes fletëvotimit.

"Shumica e banorëve këtu janë pa dokumenta dhe shumë prej nesh nuk mund të votojnë. Kështu që unë dua të ndihmoj për njerëz pa dokumente dhe veçanërisht për njerëzit që kanë privilegjin të punojnë, dua që ata të votonë duke na pasur ne parasysh", thotë Maria Jose Rodriguez, një imigrante pa dokumenta, përfituesve e DACA-s.

Rodriguez ka lindur në Meksikë dhe u soll në Shtetet e Bashkuara kur ishte 4 vjeç. DACA i ka dhënë mundësinë të punojë dhe të shkojë në shkollë. Ajo po sudion për psikologji.

Edhe Vanessa Moreno është përfituese e DACA-s dhe thotë se nuk është e lehtë të mos jesh në gjendje të votosh dhe të jesh pjesë e vendimeve që prekin të gjithë amerikanët.

"Është zhgënjyese sepse është një copë letër, një dokument që po më pengon të votoj. Unë gjithashtu shpresoj që në të ardhmen, të jem në gjendje të votoj. E di këtë. Por për momentin nuk do të rri të pres sa të vijë ajo ditë. Do të bëj gjithçka për t'u siguruar që komunitetet e tjera po votojnë".

Moreno, e diplomuar për sociologji në Kaliforni, mendon se administrata Trump e ka nënvlerësuar fuqinë e votuesve të heshtur si ajo.

"Kemi anëtarë të familjes që mund të votojnë dhe nganjëherë ata nuk janë aq të angazhuar. Por ne përgatitemi, i nxisim që të informohen", thotë 25-vjeçarja Moreno.

Koaçela, është një komunitet rural me një popullsi prej gati 46,000 vetësh, pothuajse 98% për qind e së cilës hispanike.

Lesly Figueroa është në garë për postin e kryebashkiakes në zgjedhjet e ardhshme. Ajo e di se puna që Rodriguez dhe Moreno po bëjnë si vullnetarë në fushatën e saj është kritike.

"Është kuptimplotë për mua që ato janë aq aktive dhe që duan të sigurohen që zgjedhësit e tjerë që mund të votojnë të marrin pjesë në demokracinë lokale. Pjesëmarrja në votime është historikisht e ulët, në të gjithë Luginën e Koaçelës, gjë që na bën të pyesim veten se pse nuk votojnë banorët."

Vanessa Moreno thotë se ka ardhur koha për të dalë nga hijet dhe për t'u mobilizuar. Ajo shton se e kishte fshehur statusin e saj për vite me radhë, derisa e kuptoi se sa e rëndësishme ishte të ndihmonte komunitetin e saj.

"Fillova të shoh pasojat dhe faktorë që po ndikonin personalisht tek unë. Mendova që ishte koha të aktivizohesha dhe e bëra këtë me mbështetjen e komuniteteve të tjera, të cilat kanë qenë në vijën e parë dhe nuk mund të votojnë por luajnë rolin e tyre", thotë Vanessa./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat