SHBA, beteja për miratimin e anëtares së re të Gjykatës së Lartë

Amerika

SHBA, beteja për miratimin e anëtares së re të Gjykatës së Lartë

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 23:51
Pamje nga video

Vetëm 36 ditë përpara zgjedhjeve presidenciale, në Shtetet e Bashkuara është gati beteja e konfirmimit në senat të kandidates Amy Coney Barrett për postin e anëtares së Gjykatës së Lartë. Presidenti Donald Trump e emëroi të shtunën zonjën Berret për të plotësuar vendin bosh në Gjykatën e Lartë. Kandidati demokrat për president, Joe Biden u bëri thirrje senatorëve republikanë që të mos e konfirmojnë atë para zgjedhjeve të 3 nëntorit për të lejuar votuesit amerikanë të shprehin mendimin përmes votës së tyre, një pikëpamje që udhëheqësit kryesorë republikanë e kanë hedhur poshtë.

Këtë javë, gjyqtarja Amy Coney Barrett do të takohet me udhëheqësit e Senatit përpara seancave të konfirmimit për t’u bërë anëtare e Gjykatës së Lartë, një mandat i përjetshëm. Republikanët duket se i kanë votat për ta konfirmuar zonjën Barrett dhe Presidenti Donald Trump thotë se është e rëndësishme që Gjykata e Lartë t’i ketë të nëntë anëtarët, në rast se roli i tyre do të jetë i nevojshëm për të vendosur për rezultatin nëse zgjedhjet e 3 nëntorit kontestohen.

"Mendoj se është më mirë nëse kjo bëhet para zgjedhjeve, sepse ky mashtrim që po bëjnë demokratët duhet të dalë para Gjykatës së Lartë, dhe nuk do të ishte një situatë e mirë nëse gjykata do të merrte vendime 4 me 4", tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump në emisionin "This Week" të ABC.

Presidenti Trump ka paralajmëruar, me pak prova, për manipulim në shkallë të gjerë të votave me postë dhe nëse republikanët sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve në gjykatë, çështja mund të shkojë në gjykatën më të lartë të vendit, ku vota e gjykatëses Barrett do të shmangte mundësinë e një vendimi 4 me 4.

Në një sondazh të fundit të gazetës New York Times dhe Kolegjit Siena, 56 për qind e anketuesve thanë se duhet të jetë presidenti i ardhshëm dai që duhet të emërojë anëtarin e ri të Gjykatës së Lartë. Joe Biden, kandidati demokrat për president, u bëri thirrje republikanëve që të lejojnë votuesit të zgjedhin presidentin përpara se ata të konfirmojnë anëtaren e ardhshme të Gjykatës.

"Pushteti për të bërë diçka nuk justifikon shmangien e përgjegjësisë suaj për të bërë atë që populli amerikan mendon se është e drejtë", tha Joe Biden, kandidat demokrat për president.

Disa senatorë demokratë nuk kanë në plan të takohen me gjykatësen Barrett këtë javë, ndërsa të tjerë, si senatori Dick Durbin nga Ilinoi, thonë se do të sfidojnë pikëpamjet e saj konservatore dhe mendimet e saj në lidhje me kujdesin shëndetësor dhe çështjen e abortit.

“Ne mund ta ngadalësojmë procesin për disa orë, ndoshta disa ditë më së shumti. Por ne nuk mund ta ndalim rezultatin përfundimtar. Ajo që duhet të bëjmë tani është ta trajtojmë çështjen me respekt", thotë Dick Durbin, senator demokrat nga Illinoi.

Senatori Durbin tha se gjykatësja Barrett duhet të tërhiqet nga çdo vendim që gjykata mund të marrë në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020. Por Mike Lee, senator republikan nga Juta, nuk pajtohet.

"Çështja e tërheqjes nga raste që mund të paraqiten para gjykatës duhet të varet nga vetë ajo në konsultim me kolegët e saj, stafin dhe rregullat", thekson Mike Lee, senator republikan nga Juta.

Vendi i zbrazët në Gjykatën e Lartë të vendit, ka intensifikuar garën presidenciale tashmë mjaft të ashpër./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat