Si e ka reformuar administrata Trump politikën e imigracionit

Amerika

Si e ka reformuar administrata Trump politikën e imigracionit

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 21:40
Presidenti amerikan Donald Trump

Administrata Trump ka nxjerrë mbi 400 akte ekzekutive që kanë reformuar në mënyrë dramatike sistemin amerikan të imigracionit. Disa nga këto veprime po diskutohen ditët e fundit në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ndarja e familjeve

Një reagim i fortë ka pasuar njoftimet se qeveria amerikane nuk ka informacion mbi vendndodhjen e prindërve të 545 fëmijëve të ndarë në kufirin SHBA-Meksikë në kuadër të politikës tashmë të anuluar “tolerancë zero” për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Aktivistët për të drejtat e immigrantëve thanë se nuk e dinë se ku ndodhen tani fëmijët dhe përse nuk mund të gjenden prindërit që ishin kthyer në vendet e origjinës.

"Fëmijët nuk janë më nën përgjegjësinë e Departamentit për Sigurinë Kombëtare, apo të Departamentit për Shëndetësinë, pra nuk janë më nën përgjegjësinë e qeverisë federale,” thotë Lee Gelernt i projektit për të drejtat e imigrantëve pranë Unionit për Liritë Civile Amerikane.

"Kanë dalë jashtë sistemit, pas sponsorizimit. Kjo do të thotë se janë marrë nën përkujdesje nga një i afërm. Dikush që e njihnin, nëse ishin me fat. Për disa më pa fat, mund të jetë një kushëri i largët të cilin nuk e kanë takuar më parë. Por ndoshta i ka marrë nën përkujdesje një familje amerikane e cila i mban prej tre vjetësh”.

Një deklaratën e Departamentit për Sigurinë Kombëtare thotë se autoritetet federale “ende nuk kanë identifikuar një familje të vetme e cila ka kërkuar ribashkimin dhe kthimin e fëmijës në vendin e origjinës”.

Zoti Gelernt tha se nëse identifikohen, prindërit kanë përpara zgjedhjen e tmerrshme “ose të ndahen përjetësisht me fëmijën, ose ta kthejnë në një mjedis të rrezikshëm në vendin e origjinës, pasi nuk ka shanse të sillet prindi në SHBA”.

Një gjykatës federal dha urdhër vjet që qeveria amerikane të bashkonte fëmijët me prindërit e ndarë nga programi i vitit 2017 në kohën kur administrata Trump kishte ndërmarrë përpjekjet e para për të kufizuar futjen e azil-kërkuesve në SHBA nga kufiri jugor.

Padi në Gjykatë të Lartë

Gjykata e Lartë ka rishikuar kalendarin dhe ka caktuar datën 30 nëntor për të dëgjuar argumentet e administratës për të përjashtuar imigrantët pa dokumente nga numërimi i popullatës, i cili sapo përfundoi. Numërimi i popullatës shërben ndër të tjera edhe për të përcaktuar sa ligjvënës ka çdo shtet.

Gjykata e Lartë ka pranuar të dëgjojë dy raste lidhur me politikat në kufirin SHBA-Meksikë. Njëri prej tyre lidhet me zhvendosjen e fondeve federale nga administrata Trump për të ndërtuar një pjesë të murit kufitar, një ndër premtimet kryesore të zotit Trump gjatë fushatës 2016, por që Kongresi nuk pranoi ta mbështeste plotësisht me fonde.

Image
Presidenti Donald Trump në kufirin SHBA-Meksikë

Lënda e dytë lidhet me programin e administratës Trump “Qëndroni në Meksikë” që detyron azil-kërkuesit të presin në Meksikë gjatë kohës që shqyrtohen aplikimet e tyre nga gjykata.

Rregullat për status azilanti

Departamenti i Sigurisë Kombëtare propozoi një rregullore që nuk lejon disa individë të sigurojnë status azilanti, pasi janë shpallur më parë fajtorë për shkelje të parregullt të kufirit amerikan.

Propozimi do të bllokonte persona që kanë strehuar imigrantë të paligjshëm, që janë kapur me drogë ose substanca të tjera të palejueshme apo me letra të falsifikuara identifikimi, ose nëse kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga asistenca publike.

Sipas rregullave, nuk do të ketë përjashtime as për imigrantët, të cilëve u është pastruar dosja nga shkelje të mëparshme.

Sipas ligjit aktual të imigracionit, azil-kërkuesit që nuk paraqesin kërkesë për status azilanti brenda një viti nga mbërritja në SHBA, humbasin të drejtën për këtë status. Ata që janë shpallur fajtorë për vepra të rënda penale, përfshirë terrorizëm, gjithashtu janë të përjashtuar.

Rregullat e reja hyjnë në fuqi në nëntor.

Deportime të përshpejtuara

Agjencia e Imigracionit dhe Doganave (ICE) njoftoi se do të fillojë “largimet e përshpejtuara” që pengojnë një kategori imigrantësh të dalin para gjykatësit për të kërkuar të qëndrojnë në SHBA.

"Aftësia për të zbatuar këtë element të rëndësishëm të statutit do të na fuqizojë më tej në detyrën që të mbrojmë komunitetet dhe integritetin e ligjeve tona të imigracionit,” tha përmes një deklarate Tony Pham, zyrtari që po përmbush funksionet e drejtorit të agjencisë ICE.

Imigrantët kanë detyrën “të tregojnë në mënyrë të kënaqshme sapo janë në prani të një oficeri të imigracionit” përse nuk duhet të deportohen në moment, tha zoti Pham.

Kjo politikë do të rezultojë në deportime të përshpjetuara të imigrantëve pa dokumente kudo që ndodhen në SHBA, nëse oficeri arrin në përfundimin se kanë jetuar në Amerikë më pak se dy vjet dhe se nuk ishin pranuar në mënyrë të ligjshme në këtë vend dhe nuk kishin marrë falje nga autoritetet./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat