Trump, Biden, fushatë në shtetin e Xhorxhias

Amerika

Trump, Biden, fushatë në shtetin e Xhorxhias

Më: 4 janar 2021 Në ora: 20:47
Joe Biden dhe Donald Trump

Presidenti Donald Trump dhe Presidenti i zgjedhur Joe Biden shkojnë sot në shtetin jugor të Xhorxhias, dita e fundit e fushatës para balotazhit për dy vende, që do të vendosin se cila parti do të ketë shumicën në Senat.

Presidenti Trump shkon në qytetin Dalton për një tubim në mbrëmje në mbështetje të senatorëve republikanë David Perdue dhe Kelly Loeffler.

Zoti Biden do të jetë në Atlanta për të shtuar shanset e kandidatit demokrat Jon Ossoff, i cili garon ndaj senatorit Perdue, dhe të pastorit Raphael Warnock, që kandidon përballë senatores Loeffler.

Të dyja garat për senatin kaluan në balotazh pasi asnjë prej kandidatëve nuk fitoi shumicën e duhur të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Shteti i Xhorxhias vazhdon të jetë në qendër të pretendimeve të përsëritura, të pabazuara të zotit Trump për mashtrim me votat.

Zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve, përfshirë republikanët mes tyre, kanë pohuar se numërimi ishte i saktë dhe se gjykatat e shumta i kanë hedhur poshtë sfidat ligjore të ngritura nga ekipi elektoral i zotit Trump.

Nëse të dy demokratët fitojnë të martën, partia e tyre do të zotëronte shumicën në një Senat ku secila palë do të kishte nga 50 vende dhe ku, sipas rregullit, Zëvendës Presidentja e zgjedhur Kamala Harris do të hidhte votën vendimtare në rastin e një barazimi.

Një fitore e republikanëve, qoftë edhe në njërën prej garave, do të sillte një qeverisje të ndarë, me republikanët në kontroll të Senatit dhe demokratët që mbajnë Shtëpinë e Bardhë dhe Dhomën e Përfaqësuesve./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat