Anketa: Gjyqi e konsolidoi mbështetjen publike për shpalljen fajtor të ish-Presidentit Trump

Amerika

Anketa: Gjyqi e konsolidoi mbështetjen publike për shpalljen fajtor të ish-Presidentit Trump

Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 15:29
Avokatët e Trumpit

Një anketë e publikuar të hënën tregon se gjyqi i dytë i ish-Presidentit Donald Trump në Senat e konsolidoi mbështetjen publike për shpalljen e tij fajtor nën akuzën e nxitjes së rebelimit.

Nga anketa e re e ABC News dhe firmës Ipsos, del se mbi gjysma e amerikanëve ose 58% thonë se zoti Trump duhej të ishte shpallur fajtor. Javën e kaluar, para votimit të Senatit, kjo shifër ishte 56%.

Vitin e kaluar, kur gjyqi i parë në Senat e shpalli ish-presidentin gjithashtu të pafajshëm, amerikanët ishin të ndarë thuajse barabar në lidhje me rezultatin: 49% e miratuan dhe 47% jo, sipas një sondazhi të Universitetit Monmouth.

Të shtunën e kaluar vetëm 7 republikanë votuan me demokratët për shpalljen e ish-presidentit fajtor, ose 10 vota më pak për të arritur shumicën e dy të tretave të nevojshme.

Sipas sondazhit të ri, të shtatë republikanët, që përbëjnë 14% të grupit republikan në Senat, pasqyrojnë 14% të republikanëve në të gjithë vendin që besojnë se zoti Trump duhej të ishte dënuar dhe ndaluar të mbante poste në të ardhmen./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat