SHBA pranë miratimit të vaksinës së tretë

Amerika

SHBA pranë miratimit të vaksinës së tretë

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 14:19
Foto ilustrim

Paneli i ekspertëve këshillimorë pranë Agjencisë Amerikane të Barnave dha dritën jeshile për vaksinën me një dozë të zhvilluar nga Johnson & Johnson, duke e quajtur të sigurtë dhe efikase. Tashmë pritet edhe vendimi zyrtar i agjencisë para se vaksina të lejohet të përdoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deri më tani Shtetet e Bashkuara janë vendi më i goditur në botë nga pandemia dhe autorizimi për përdorim emergjent i një vaksine të tretë lehtëson përpjekjet e administratës Biden për të luftuar pandeminë. Më herët SHBA ka miratuar vaksinat e Pfizer dhe Moderna.

“Ne do të përdorim çdo mënyrë të mundshme për të zgjeruar prodhimin e vaksinave sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Presidenti Joe Biden ndërsa vendi shënon mbi 510,000 viktima.

J&J tha se vaksina e saj me vetëm një dozë mund të ruhet për një kohë të gjatë në temperatura standarde frigoriferike, gjë që “ofron përparësi logjistike dhe praktike” krahasuar me vaksinat e tjera.

Ndërsa fushatat e vaksinimit rriten në kombet më të pasura, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mori mbështetje unanime një rezolutë që kërkon përmirësim dhe shpërndarje të vaksinave në vendet e goditura nga konfliktet dhe në vendet e varfra.

Por për Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vendet më të pasura duhet të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale të vaksinave në mënyrë që të zgjerohet prodhimi. Ideja kundërshtohet me forcë nga shumë vende të pasura dhe nga industria farmaceutike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat