Senati merr në shqyrtim paketën prej 1,9 trilionë dollarë të ndihmës ekonomike

Amerika

Senati merr në shqyrtim paketën prej 1,9 trilionë dollarë të ndihmës ekonomike

Më: 1 mars 2021 Në ora: 18:29
Foto

Pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve vetëm me mbështetjen e ligjvënësve demokratë, paketa e ndihmës ekonomike për pandeminë e koronavirusit e Presidentit Joe Biden me vlerë 1,9 trilionë dollarë tani kalon për shqyrtim në Senat. Thirrja për unitet në Senat e Presidentit Biden pritet të testohet këtë javë.

Shkalla e infeksionit me Covid-19 po bie në Shtetet e Bashkuara dhe qeveria ka dhënë miratimin për përdorim urgjent të një vaksine të tretë. Por rënia ekonomike vazhdon. Paketa e ndihmës ekonomike për koronavirusin e Presidentit Biden me vlerë 1.9 trilionë dollarë synon të ndihmojë të papunët, së bashku me distriktet shkollore në vështirësi dhe industritë e goditura rëndë.

Projektligji u miratua në Dhomën Përfaqësuesve vetëm me mbështetjen e ligjvënësve demokratë. Tani ai kalon për shqyrtim në Senatin me 100 anëtarë, i cili është i ndarë në mënyrë të barabartë midis demokratëve dhe republikanëve, me Nënpresidenten demokrate Kamala Harris që mund të hedhë votën përcaktuese në rast të një votimi të barabartë në linja partiake. Projektligji, i cili përfshinë pagesa direkte prej 1,400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, nuk mund të humbasë mbështetjen e asnjë senatori demokrat.

Por jo të gjithë demokratët janë të unifikuar mbi ato që përmban projekligji. Disa prej tyre këmbëngulin që propozimi për rritjen e pagës minimale në 15 dollarë në orë të jetë pjesë e versionit përfundimtar të projektligjit.

“Unë e mbështesë rritjen e pagës minimale në projektligjin për Covid-19 sepse ajo është një pjesë e madhe e rimëkëmbjes ekonomike. Njerëzit që vuajnë më shumë nga paga minimale dhe pasojat e pandemisë janë punonjësit e domosdoshëm. Shumë prej tyre janë gra dhe po marrin paga shumë të ulëta”, tha senatorja demokrate Mazie Hirono.

Disa senatorë demokratë dhe republikanë po sugjerojnë që në vend të rritjes së pagës minimale direkt në projektligj, ata mund të bëjnë gjëra të tjera si përjashtimi nga lehtësirat tatimore për korporatat që nuk rrisin pagat. Megjithatë, republikanët në përgjithësi argumentojnë për një paketë stimuluese ekonomike më të fokusuar.

“Projektligji thjesht nuk është i fokusuar. Ne kemi biseduar me presidentin dhe njerëzit e tij për këtë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje për një qasje më të përqendruar mbi çështjet reale të kujdesit shëndetësor dhe çështjet ekonomike që janë urgjente", tha senatori republikan Rob Portman.

Udhëheqësit demokratë duan që projektligji të miratohet deri më 14 mars, kur skadojnë përfitimet e tanishme të papunësisë. Nëse miratohet, paketa ekonomike do të jetë raundi i gjashtë i ndihmave nga qeveria federale gjatë pandemisë./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat