SHBA, Komisioni i Etikës nis hetimet ndaj republikanit Matt Gaetz

Amerika

SHBA, Komisioni i Etikës nis hetimet ndaj republikanit Matt Gaetz

Më: 10 prill 2021 Në ora: 06:22
Matt Gaetz

Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili kontrollohet nga demokratët njoftoi të premten se kishte nisur një hetim mbi pretendimet se ligjvënësi republikan Matt Gaetz "mund jetë përfshirë në akte të paligjshme seksuale dhe përdorim të paligjshëm të drogës".

Kryetari demokrat dhe republikani kryesor i komisionit thanë në një deklaratë se ata ishin "në dijeni të akuzave publike" se zoti Gaetz, një mbështetës i vendosur i ish-Presidentit Donald Trump, mund të ketë shkelur "rregulloren e Dhomës së Përfaqësuesve, ligjet ose standardet e tjera të sjelljes".

Sipas një burimi të zbatimit të ligjit që foli në kushte anonimiteti zoti Gaetz po hetohet nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për shkelje të mundshme të ligjit, pasi ka paguar shpenzime për udhëtimet e një vajze 17-vjeçare me të cilën ai kishte një marrëdhënie romantike.

Ndaj ligjvënësit të Floridës nuk janë ngritur akuza dhe ai vetë ka pohuar në mënyrë të përsëritur se nuk ka kryer asnjë të paligjshme.

Udhëheqësit e Komisionit të Etikës thanë se do të hetonin nëse zoti Gaetz "ishte përfshirë në sjellje të paligjshme seksuale ose përdorim të paligjshëm të drogës, nëse kishte shpërndarë fotografi ose pamje filmike të papërshtatshme në Dhomën e Përfaqësuesve, nëse kishte përdorur fondet e fushatës për qëllime personale dhe nëse kishte pranuar ryshfet, apo dhurata të paligjshme”.

Zyra e zoti Gaetz reagoi nëpërmjet një deklarate: "Përsërisim edhe një herë se këto pretendime janë haptazi të rreme dhe se nuk janë vërtetuar nga askush”.

Të enjten ligjvënësi Adam Kinzinger u bë i pari republikan në Kongres që bëri thirrje që zoti Gaetz të japë dorëheqjen.

"Matt Gaetz duhet të japë dorëheqjen", shkruante në një postim në Twitter zoti Kinzinger, një kritik i hapur i zotit Trump.

Të enjten burime zyrtare njoftuan se një mik i zotit Gaetz, Joel Greenberg, pritet të vetëdeklarohet fajtor në një proces gjyqësor kundër tij që po zhvillohet në një gjykatë federale në Florida, nën akuzat për trafik seksual e mashtrim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat