Vdes ish-nënpresidenti Walter Mondale

Amerika

Vdes ish-nënpresidenti Walter Mondale

Më: 20 prill 2021 Në ora: 15:17
Ish-nënpresidenti amerikan Walter Mondale

Vdiq në moshën 93 vjeçare ish-nënpresidenti amerikan Walter Mondale, një zë udhëheqës mes demokratëve liberalë të fundshekullit 20.

Në një deklaratë për stafin dhe që u publikua menjëherë pas vdekjes, Mondale shkruante:

"Çasti im ka ardhur. Mezi pres t’i bashkohem (gruas) Joan dhe (vajzës) Eleanor." "Para se të ndahem doja t'ju bëja me dije se sa të rëndësishëm jeni për mua".

Mondale shërbeu nën ish-Presidentin Jimmy Carter nga viti 1977 në 1981 dhe humbi me shumicë dërrmuese ndaj Ronald Reaganit në zgjedhjet presidenciale të vitit 1984.

Ai ishte i pari kandidat i një partie të madhe amerikane që emëroi një grua si kandidate për nënpresidente. Mondale besonte në një qeveri aktiviste dhe punoi për të drejtat civile, integrimin në shkolla, mbrojtjen e konsumatorit dhe interesat e sindikatave.

Më vonë, ai shërbeu si ambasador në Japoni nga viti 1993 në 1996 nën ish-presidentin Bill Clinton.

Mondale kishte folur ditët e fundit me ish-presidentët Carter dhe Clinton, me presidentin Joe Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris, tha një zëdhënës i familjes.

"Jill dhe unë mësuam me shumë hidhërim për vdekjen e nënpresidentit Walter Mondale, por jemi shumë mirënjohës që kishin për mik dhe mësues të dashur njërin nga patriotët dhe nëpunësit publikë më të përkushtuar të vendit tonë", thanë presidenti Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden në një deklaratë.

Ish-presidenti 96 vjeçar Jimmy Carter shkruante: "Sot vajtoj për vdekjen e mikut tim të dashur Walter Mondale, të cilin e konsideroj si nënpresidentin më të mirë në historinë e vendit tonë."

"Ai ishte një partner i paçmuar dhe një shërbëtor i aftë i popullit të Minesotës, i Shteteve të Bashkuara dhe i botës", tha ish-presidenti Carter./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat