Shqiptohet dënimi i parë për trazirat në Kongres

Amerika

Shqiptohet dënimi i parë për trazirat në Kongres

Më: 19 korrik 2021 Në ora: 20:50
Mbështetësit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, brenda ndërtesës së Kongresit në Uashington, 6 janar, 2021.

Një burrë nga Florida u bë personi i parë që u dënua me burg për pjesëmarrje në trazirat në Kongresin amerikan, më 6 janar.

Paul Allard Hodgkins, 38 vjeç, u shpall fajtor në qershor për pengim të punës së Kongresit.

Hodgkins, i cili e ka pranuar fajësinë, u dënua të hënën me tetë muaj burg.

Ai tha se hyrja në Kongres ka qenë “vendim i marrë”.

“Mund të them pa asnjë dyshim se jam vërtet i penduar për veprimet e mia, jo sepse përballem me pasoja, por për shkak të dëmit që ka shkaktuar incidenti i asaj dite dhe mënyrës se si është dëmtuar vendi që unë e dua”, tha Hodgkins para gjykatës.

Hodgkins është në mesin e rreth 800 personave që kanë hyrë në Kongres më 6 janar.

Atë ditë, mbështetësit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, kanë bërë përpjekje ta pengojnë punën e Kongresit në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit, në të cilat kandidati demokrat, Joe Biden, ka dalë fitues.

Trazirat kanë lënë pesë persona të vdekur, përfshirë një zyrtar të policisë.

Kongresi, megjithatë, ka arritur ta certifkojë rezultatin zgjedhor dhe Biden e ka marrë detyrën e presidentit në muajin janar.

Kongresi amerikan e ka fajësuar Trumpin për nxitje të trazirave, por ai është shpallur i pafajshëm nga Senati.

Deri më sot, Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka arrestuar më shumë se 535 individë për “veprimtari kriminale”, në lidhje me trazirat në Kongres./REL

Video nga arkivi i REL-it:

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat