Marrin goditje përpjekjet e demokratëve mbi emigracionin

Amerika

Marrin goditje përpjekjet e demokratëve mbi emigracionin

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 06:38
Ilustrim

Këshilltarja e pavarur e Senatit, e cila intepreton procedurat parlamentare, tha se demokratët nuk mund të fusin brenda një projektligji madhor prej 3.5 trilionë dollarësh, që mbështet programet sociale dhe ato të lidhura me klimën, çështje që zgjidhin problematikën e shtetësisë për miliona migrantë. Vendimi shihet si një goditje e fortë ndaj demokratëve për të arritur atë që ata kanë kërkuar prej kohësh.

Vendimi i marrë nga Elizabeth MacDonough, interpretuesja jopartiake e rregullores së Senatit, konsiderohet si një pengesë për Presidentin Joe Biden, demokratët e Kongresit, aleatët e tyre progresistë si dhe ata që mbështesin politikat pro-emigracionit. Vendimi shuan shumë prej shpresave të demokratëve që t’u mundësonin një pjese të migrantëve kartën jeshile (statusin e banorit të përhershëm) dhe mundësisht shtetësinë, për shkak të kundërshtimit të republikanëve.

Vendimi i zonjës MacDonough u bë i ditur nga një zyrtar i cili foli në kushte anonimiteti.

Sipas këshilltares së pavarur të Senatit çështja e imigracionit nuk mund të përfshihet në një projektligj të gjerë që gëzon mbrojtje nga procedurat e stërgjatura parlamentare, të njohura si filibastër. Për të shmangur këtë lloj procedure bllokuese, ligjet duhet të miratohen me votat e 60 nga 100 anëtarët e Senatit. Në këto kushte, në një Senat të ndarë në mënyrë të barabartë 50 me 50, dispozitat ligjore të lidhura me emigracionin, praktikisht nuk kanë asnjë mundësi të miratohen.

Vendimi i zonjës MacDonough dëmton përpjekjet që do t’i kishin hapur rrugën shtetësisë për emigrantët e sjellë ilegalisht në vend që në moshë të mitur, shpesh të quajtur "ëndërrimtarë"; migrantët që gëzojnë një status të përkohshëm mbrojtjeje, të cilët kanë lënë vendin e tyre për shkak të fatkeqësive natyrore si dhe dhunës ekstreme, si dhe për ata që konsiderohen si punonjës thelbësorë e punonjësit e fermave.

Qendra Liberale për Përparimin Amerikan ka vlerësuar se nga kjo përpjekje e demokratëve mund të përfitonin rreth 6 milionë persona. Presidenti Biden kishte propozuar një masë më të gjerë që do të kishte prekur 11 milionë emigrantë.

Projekligji prej 3.5 trilionë dollarësh pritet të rrisë shpenzimet në fushën sociale, atë të mjedisit si dhe programe të tjera. Ai pritet t’i financojë nismat kryesisht falë rritjes së taksave për të pasurit dhe korporatat. Demokratët e moderuar duan të heqin disa prej dispozitave të tij, përfshirë dhe reduktimin e faturës së këtij projekligji, gjë që kundërshtohet nga progresistët.

Drejtuesit e partive po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një kompromis mbi projektligjin gjithëpërfshirës miratimi i të cilit do të përmbushte pritshmëritë e pothuajse çdo demokrati në Kongres. Por që paketa të miratohet, demokratët nuk duhet të humbasin asnjë votë brenda radhëve të veta në Senatin e ndarë 50 me 50, si dhe jo më shumë se tre vota në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat