Brazil, përparim në përpjekjet kundër Covid-19

Amerika

Brazil, përparim në përpjekjet kundër Covid-19

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 16:19
Foto ilustrim

Brazili ishte ndër vendet që u ndesh me vështirësi të mëdha në blerjen e vaksinave kundër Covid-19 në fillim të këtij viti dhe me numër të lartë vdekjesh. Udhëheqësit e tij vendosën të përdornin vaksinën kineze CoronaVac për të filluar fushatën e imunizimit. Por vaksina kineze është shmangur nga shumë brazilianë pasi studimet tregonin një nivel të ulët të efektshmërisë, duke nxitur autoritetet braziliane që të ndalonin shpërndarjen e miliona dozave këtë muaj në pritej të studimeve të mëtejshme. Brazili ka bërë disa ndryshime që mund të kenë filluar të japin rezultate pozitive.

CoronaVac konsiderohet si vaksina më e dobët në Brazil.

E prodhuar nga kompania kineze Sinovac, vaksina ka një nga nivelet më të ulëta të efekthsmërisë kundër Covid-19 prej vetëm 50.38%, pothuajse jashtë kufirit të pranueshëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Vaksina kineze për herë të parë u përdor në Brazil me një partneritet me qendrën kërkimore të Institutit Butantan në Sao Paulo.

Ajo u bë ndër vaksinat më të disponueshme në vend, por edhe më e përbuzura.

Çdo ditë krijoheshin radhë të gjatë në qendrat e vaksinimit në Sao Paulo, por njerëzit largoheshin menjëherë pasi e kuptonin se alternativa e vetme ishte CoronaVac-u.

"Unë nuk do ta vë jetën time në rrezik, nëse ekziston një vaksinë tjetër më efikase. Do shkoj në klinika të tjetra për të gjetur një vaksinë tjetër", thotë biznesmeni Charles Cardoso.

"Unë i besoj Pfizer-it më shumë, dhe jo vaksinës CoronaVac", thotë një banor tjetër i Sao Paulos.

Në fillim të këtij muaji, rregullatori shëndetësor i Brazilit, Anvisa, pezulloi dhe tërhoqi 12 milionë doza të vaksinës CoronaVac të prodhuara në një fabrikë të paautorizuar në Kinë.

Në një përpjekje për të ndryshuar imazhin e vaksinës dhe për të rritur besimin e publikut, Instituti Butantan po investon në studime mbi efektshmërinë e vaksinës CoronaVac. Njëri prej këtyre studimeve po zhvillohet në qytetin e Serranas, afër Sao Paulos. Të gjithë banorët mbi 18 vjeç u vaksinuan me CoronaVac. Pas disa muajsh, rezultatet ishin pozitive.

Projekti S i Institutit Butantan, tregoi se numri i vdekjeve shënoi rënie me 95 për qind në tremujorin e dytë të vitit. Instituti Butantan gjithashtu thotë se vaksinimi në shkallë të gjërë uli numrin e shtrimeve në spitale me 86%.

Sipas të dhënave të Sekretarit të Shëndetësisë në Sao Paulo, muajin e fundit, qyteti i Serranas nuk regjistroi asnjë vdekje nga Covid-19.

"Ne po jetonim në një moment të pandemisë në Brazil, kur zvogëlimi i shtrimeve në spital dhe i numrit të vdekjeve ishte përparësia kryesore. Efektshmëria prej mbi 80% e vaksinës CoronaVac për rastet e rënda ishte një element kyç në përmirësimin e gjendjes së pandemisë në vend. Dhe studimet si ai në Serrana kanë treguar se vaksina është e efektshme në zvogëlimin e rrezikut nga vdekja për të gjithë popullatën", thotë infektologu Alvaro Costa.

Por me variantet e reja që po përhapen me shpejtësi në nivel global, CoronaVac do të përballet me një provë tjetër për reputacionin e saj. Serrana në shtator regjistroi dy infeksione me variantin Delta. Të dy pacientët ishin të vaksinuar dhe kishin simptoma të lehta.

Shkencëtarët e Institutit Butantan thonë se shenjat e para janë inkurajuese, por rezultatet përfundimtare do të shpallen muajin tjetër.

Më shumë se 82 milionë njerëz, ose 38 për qind e popullsisë së Brazilit, tani janë vaksinuar plotësisht, duke tejkaluar mesataren botërore. Sipas të dhënave të qeverisë, 43.9% e të vaksinuarve janë imunizuar me vaksinën AstraZeneca, 32.9% me CoronaVac dhe 21% me vaksinën Pfizer. Deri kohët e fundit Brazili ishte një nga vendet me përhapjen më të madhe të koronavirusit në botë, por ekspertët thonë se vaksinimi e ka ndryshuar këtë prirje. Numri mesatar ditor i vdekjeve në shtator ka rënë në më pak se 900 nga afër 5 mijë që ishte në prill./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat