Në nderim të jetëve të humbura nga pandemia

Amerika

Në nderim të jetëve të humbura nga pandemia

Më: 9 tetor 2021 Në ora: 21:08
Ekspozita interaktive u dha familjeve mundësinë për të shkruar mesazhe personale për të dashurit

Pandemia e koronavirusit u ka marrë jetën më shumë amerikanëve sesa pandemia e gripit spanjoll në vitet 1918-1919. Një artiste është e vendosur që përmes instalacionit të saj artistik, më shumë se 700,000 jetë të humbura, të mos harrohen.

“Kjo është pjesa më e dhimbshme e ditës, të ndryshosh këta numra”, thotë artistja Suzanne Brennan Firstenberg.

Qendra e përpunimit të dhënave për koronavirusin pranë Universitetit Johns Hopkins mbledh të dhënat për vdekjet nga COVID-19 në të gjithë botën. Shifrat e vdekshmërisë në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të rriten.

Artistja nga Merilendi, Suzanne Brennan Firstenberg, bën më shumë sesa ndryshon numrat, ajo shpreson të ndryshojë mendjet përmes instalacionit në një sipërfaqe prej 8 hektarësh në parkun kombëtar në kryeqytetin amerikan.

“Përmes kësaj vepre publike arti, mbase do të ndikoj tek ndërgjegja e atyre njerëzve që nuk po zgjedhin ende të vaksinohen, ose që nuk duan të mbajnë maskën”, thotë ajo.

Artistja dhe vullnetarët nga një kompani lokale kopshtarie punuan tre ditë duke vënë më shumë se 600 mijë flamuj të bardhë pranë monumentit të Uashingtonit.

“Kam 25 vjet që dal vullnetare dhe me këtë instalacion doja të ndihmoja për të vënë në vend dinjitetin e atyre që kanë humbur jetën nga kovidi në Shtetet e Bashkuara", thotë artisja Suzanne Brennan Firstenberg.

Charonda Johnson këndon në kujtim të babait të saj të ndjerë, rreshterit në pension Kevin Taylor nga Dover-i i shtetit Delauer. Johnson thotë se babai i saj vdiq nga COVID-19 gushtin e vitit të kaluar. Natën që ajo ishte e ftuar të këndonte në parkun kombëtar, më 24 shtator, babai i saj do të kishte mushur 65 vjeç.

“Doja të isha këtu për të shprehur pikëllimin tim, por edhe për të ndihmuar familjet e tjera të lënduara që të kuptojmë së bashku se si ta marrim veten, si t'i bashkojmë botët tona?”, thotë ajo.

Amber Spencer po mban zi për humbjen e mikeshës së saj Brinae Whatcott, një nënë e re nga Fort Smith i shtetit Arkansas.

Sipas familjes së saj, Amber e cila ishte infektuar me COVID-19, lindi me operacion në gusht. Ajo vdiq menjëherë pasi pa beben e saj për herë të parë më 23 shtator.

“Ja sollën foshnjën e saj për ta takuar për herë të parë dhe për t’i dhënë lamtumirën njëkohësisht”, thotë Amber.

Nëna 28 vjeçare Brinae Whatcott kishte humbur babanë e saj nga COVID-19. Flamuri i bardhë që përfaqëson atë është vendosur pranë flamurit të saj.

Zonja Spencer thotë se numri i flamujve në park tregon për madhësinë e humbjeve.

“Ndjej se duhet t'u besojmë njerëzve që i kushtojnë jetën studimit të sëmundjeve infektive dhe të besojnë atë që thonë, dhe të dëgjojnë atë që thonë për të ndihmuar në ndalimin e rritjes së numrave”, thotë Amber.

Më shumë se 3,000 flamuj kanë shenja të kuqe, që nënkuptojnë humbjen punonjësve të kujdesit shëndetësor.

“Të jep një ndjesi të mire, një moment për të kujtuar ata që humbëm”, thotë Shama LeFevre e cila humbi babain e saj nga koronavirusi.

Shama LeFevre thotë se dedikimi i një flamuri në parkun kombëtar për nder të babait të saj - Yogi Dumera nga Arlingtoni i Virxhinias - është gjest i rëndësishëm për vajzën e saj.

“Doja që ajo të kuptonte se çfarë do të thotë e gjithë kjo dhe çfarë nënkuptojnë 7-8 muajt e fundit të jetës sonë, pikëllimi të cilin po kalojmë.”

I lindur në Indi, babai i saj u vendos në SHBA, ku krijoi familje dhe hapi një restorant. Ai i mbijetoi një transplanti në zemër, por humbi betejën me COVID-19 më 30 dhjetor.

Ekspozita interaktive u dha familjeve mundësinë për të shkruar mesazhe personale për të dashurit.

“Shpresoj që kur të krijojmë një memorial të përhershëm, kjo do të shërbejë si mësim që të mos lejojmë që kjo të ndodhë përsëri”, thotë për Zërin e Amerikës artistja Suzanne Brennan Firstenberg.

Pas 17 ditësh, instalimi u mbyll me një ceremoni gjatë perëndimit të diellit. Artistja Firstenberg thotë se çdo flamur me shkrim mbi të do të pastrohet, dokumentohet dhe arkivohet. Ajo thotë se instalacioni i ndihmoi vizitorët të kuptojnë se nuk janë vetëm në pikëllimin e tyre./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat