Seanca për konfirmimin e ambasadorit amerikan në Kinë

Amerika

Seanca për konfirmimin e ambasadorit amerikan në Kinë

Më: 3 maj 2017 Në ora: 23:10
Terry Branstad

I emëruari nga presidenti Donald Trump për në postin e ambasadorit amerikan në Kinë, guvernatori i Ajovës, Terry Branstad, ishte përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë të martën në seancën që po zhvillohet për konfirmimin e tij. Ai u përball me pyetje lidhur me tensionet në rritje me Korenë e Veriut, si dhe çështje të tregëtisë, sigurisë dhe të drejtave njerëzore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine thotë se një numër senatorësh besojnë se ai ka cilësi të rralla për këtë pozicion.

Shqetësimet lidhur me kapacitetet bërthamore të Koresë së Veriut dhe retorika e saj kërcënuese, u përmendën shpesh gjatë seancës, me senatorët që e pyetën guvernatorin e Ajovës, Terry Branstad rreth ndihmës së Kinës për të frenuar udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Zoti Branstad tha se Pekini është i vetëdijshëm për kërcënimin që paraqet fqinji i saj dhe se nuk dëshiron që refugjatët nga Koreja e Veriut të vërshojnë në Kinë në se do të kishte luftë.

“Mendoj se ata e kuptojnë, ashtu si edhe vende të tjera në Azi, se ky fiksim që ka udhëheqësi i Koresë së Veriut për raketa të telekomanduara dhe çdo gjë tjetër, është një kërcënim shumë serioz për njerëzimin dhe se ne të gjithë duhet të gjejmë rrugë për të punuar së bashku.”

Gjithashtu në fokus ishte edhe përkeqësimi i të drejtave të njeriut në Kinë. Zoti Brandstad kërkoi të sigurojë komisionin për këtë çështje.

“Në se konfirmohem si ambasador, unë do të punojë çdo ditë për të përfaqësuar vlerat amerikane tek udhëheqja e Kinës dhe tek gjithë populli kinez. Vlerat që përfshijnë mbrojtjen e të drejtave njeriut për të gjithë, një tregëti të lirë dhe të hapur, një rend të bazuar në rregulla në sipërfaqet ujore që rrethojnë Kinën dhe për rëndësinë e lirisë së shtypit.”

Senatori Joni Ernst nga Ajova vuri në dukje se zoti Branstad është tani guvernatori që ka shërbyer më gjatë në detyrë dhe theksoi lidhjet e tij të ngushta me udhëheqësin e Kinës.

“Guvernatori Branstad e njeh mirë Kinën dhe udhëheqësit e saj. Ai u takua fillimisht me presidentin Xi Jinping kur ky i fundit vizitoi Ajovën gjatë një udhëtimi kërkimor bujqësor në vitin 1985.”

Zoti Branstad tha se në se konfirmohet nga Senati, ai do të shfytëzojë lidhjen e ngushta me presidenitn Xi për të promovuar paqen dhe stabilitetin dhe nuk do të druhej të ngrejë në takime çështje për të cilat të dyja vendet nuk pajtohen./voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat