Venezuelë, vazhdojnë protestat kundër presidentit Maduro

Amerika

Venezuelë, vazhdojnë protestat kundër presidentit Maduro

Më: 1 qershor 2017 Në ora: 19:44
Venezuelë

Në Venezuelë vazhdojnë protestat e dhunshme kundër qeverisë socialiste të presidentit Nicolas Maduro. Deri tani të paktën 60 persona kanë gjetur vdekjen.

Ministrat e jashtëm të vendeve të Organizatës së Shteteve Amerikane zhvilluan dje një takim të posaçëm në Uashington për të diskutuar mbi krizën në këtë vend.

Qëndrimet e diplomatëve u ndanë në dy linja. Një pjesë mendon se ndërhyrja ndërkombëtare dhe rajonale është e vetmja mënyrë për t'i dhënë fund dhunës ndërsa pjesa tjetër argumenton se askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme të një vendi sovran.

"Është e domosdoshme që t’i bëjmë thirrje qeverisë së Venezuelës të ndalë shtypjen e popullsisë civile që proteston në rrugë, të garantojë jetët e tyre dhe të lirojë të burgosurit politikë. Gjithashtu përsëris thirrjen për të mos armatosur popullsinë civile, kjo nuk çon askund përveçse në përplasje të dhunshme që Venezuela nuk i meriton”, tha Maria Angela Holguin, Ministre e Jashtme e Kolumbisë.

Por ndryshe mendon përfaqësuesi i Nikaraguas në këtë organizatë.

"Organizata e Shteteve Amerikane nuk mund të vazhdojë të përdoret nga një vend apo grup vendesh, për të ndërhyrë në sovranitetin dhe të drejtën për vetëvendosje të një vendi anëtar. Kërkojmë ndërprerjen e veprimeve armiqësore dhe linçimin politik ndërkombëtar kundër qeverisë së Republikës së Venezuelës", tha Luis Exequiel Alvarado Ramirez, ambasadori i Nikaraguas.

Presidenti i Venezuelës Maduro ka kërcënuar me tërheqje nga Organizata e Shteteve Amerikane në shenjë proteste ndaj asaj që ai e quan, një fushatë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të minuar sovranitetin e Venezuelës.

Ai ka bërë thirrje për rishikimin e kushtetutës së vendit, duke e konsideruar si të nevojshme për të vendosur paqen dhe për të ndalur siç pretendon, mundësinë e një grushti shteti prej kundërshtarëve të tij.

Por sipas kritikëve, një veprim i tillë do të bllokonte mbajtjen e zgjedhjeve dhe çdo përpjekje për të rivendosur demokracinë.

Venezuela, një vend i pasur me naftë, është në prag shkatërrimi ekonomik dhe politik, pjesërisht për shkak të rënies së çmimit ndërkombëtar të naftës, por edhe keqmenaxhimit të qeverisë.

Protestat e përditshme që kërkojnë zgjedhje të reja, lirimin e të burgosurve politikë dhe ndihma humanitare, janë kthyer në përplasje të dhunshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat