Në pritje të vendimit të presidentit për Marrëveshjen e Parisit

Amerika

Në pritje të vendimit të presidentit për Marrëveshjen e Parisit

Më: 1 qershor 2017 Në ora: 19:57
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti Donald Trump thotë se do të njoftojë sot pasdite vendimin e tij në lidhje me angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Marrëveshjes së Parisit për Klimën. Marrëveshja e arritur në 2015, e cila synon të reduktojnë çlirimin e gazeve karbonike në atmosferë, ka aktualisht mbështetjen e 195 vendeve.

Presidenti bëri të ditur përmes një postimi mbrëmë në llogarinë e tij në Twitter se do ta bëjë njoftimin në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë të enjten pasdite. Dje disa grupe mediatike njoftuan se presidenti kishte vendosur të tërhiqej nga marrëveshja globale,.

Më parë të mërkurën, pas një takimi me Kryeministrin vjetnamez Nguyen Xuan Phuc, zoti Trump tha se po dëgjonte mendimet e “shumë njerëzve nga të dyja skajet e debatit” për të analizuar opsionet.

Zëdhënësi Sean Spicer tha se personat me të cilët është konsultuar presidenti përfshijnë drejtues biznesi dhe krerë shtetesh të huaja.

Nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga Marrëveshja e Parisit, do të shënonin një hap prapa në politikat ambjentaliste të ndjekura nga administrata e mëparshme amerikane, nën Presidentin Barak Obama. Tërheqja do të entuziazmonte bazën republikane të presidentit, por do të revoltonte ambjentalistët dhe aleatët e Amerikës.

Njoftimet se Amerika mund të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit u përcollën me kundërshti nga komuniteti i organizatave dhe aktivistëve për mjedisin si dhe nga kryebashkiakët e qyteteve më të mëdha amerikane, të cilët u zotuan t’i përmbahen marrëveshjes, pavarësisht nga vendimi që merr presidenti.

“Nëse Shtëpia e Bardhë tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, ne do ta zbatojmë marrëveshjen në Los Anxhelos,” u shpreh përmes një postimi në Twitter, kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Eric Garcetti.

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio postoi këtë koment në Twitter: “Do ta marrim situatën vetë në dorë. Kam në plan të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për të ruajtuar angazhimin e qytetit të Nju Jorkut ndaj Marrëveshjes së Parisit”.

Aktivistët për klimën shprehën revoltim, duke kritikuar Presidentin Trump:

"Donald Trumpi ka bërë një gabim historik, të cilin nipat tanë do ta gjykojnë të shtangur dhe të pezmatuar duke pyetur veten se si mundet një udhëheqës botëror të jetë aq i shkëputur nga realiteti dhe morali,” tha përmes një deklarate për Zërin e Amerikës Michael Brune, presidenti i Klubit Sierra, një organizatë e fuqishme ambjentaliste.

Një deklaratë të ngjashme nxorën edhe anëtarët e grupit Votuesit e Ligës së Mbrojtësve të Mjedisit, ku thonin “Me një vendim tepër të papërgjegjshëm, Presidenti Trump do të rrezikonte jo vetëm shëndetin dhe sigurinë e komuniteteve amerikane, por do të minonte edhe pozitën e Amerikës si udhëheqëse globale në një numër çështjesh”.

Elon Musk, miliarderi që zotëron kompanitë Tesla dhe Space X, ka thënë se nëse presidenti tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit, ai do të japë dorëheqjen nga tre grupe shkencore që ofrojnë konsulencë për Shtëpinë e Bardhë.

Ekonomisti Gary Hufbauer i Institutit Peterson me seli në Uashington tha për Zërin e Amerikës se parashikon që vende të tjera do të mbeten pjesë e marrëveshjes dhe se vendimi i zotit Trump për t’u tërhequr do ta vinte Amerikën në një pozitë jo të mirë.

"Një deklaratë nga Presidenti Trump se Amerika po tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit nuk do të sjellë medoemos vendime të ngjashme nga vende të tjera. Ajo është më tepër një deklarim synimesh se sa një akt konkret tërheqjeje,” thotë ekonomisti.

Në pritje të vendimit të qeverisë amerikane, aleatë evropianë dhe të tjerë kanë shprehur shqetësimin e tyre.

“Unë po vazhdoj të loboj pranë autoriteteve amerikane në të gjitha nivelet për t’i marrë shumë seriozisht ndryshimet klimatike dhe për të treguar udhëheqjen që Amerika ka treguar në të kaluarën,” tha Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson për televizionin Sky News.

Zëdhënësi i presidentit rus Dmitri Peskov tha se marrëveshja ka një rëndësi të madhe, por se nuk do të jetë shumë e efektshme pa pjesëmarrjen e faktorëve kryesorë.

Kryeministri i Kinës Li Keqiang tha se Kina do të respektojë angazhimin që ka marrë për të zbatuar marrëveshjen.

Llogaria zyrtare e Kombeve të Bashkuara në Twitter kishte mesazhin “Ndryshimet klimatike nuk mund të vihen në dyshim. Mobilizimi për klimën është i pandalshëm. Zgjidhjet për klimën ofrojnë mundësi të pakrahasueshme”.

Ambasadori i Francës në SHBA, Gerard Araud, shkruante në Twitter “Korporata të mëdha amerikane kanë shprehur mbështetje për Marrëveshjen e Parisit”.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se Presidenti Donald Trump “nuk i kupton në tërësinë e tyre” termat e Marrëveshjes së Parisit. Zoti Juncker tha se udhëheqësit evropianë janë përpjekur t’ia shpjegojnë zotit Trump procesin e tërheqjes nga marrëveshja “me fjali të thjeshta dhe të qarta” gjatë takimeve të javës së kaluar.

Jean-Claude Juncker, një ndër udhëheqësit me të cilët u takua zoti Trump javën e kaluar, theksoi se duhen disa vjet për t’u tërhequr nga një pakt i ri ndërkombëtar. “Ky nocioni se: ‘Unë Jam Trumpi; Unë Jam Amerikan; Amerika Mbi të Gjitha; dhe Unë Do të Tërhiqem’ nuk ka për t’u realizuar,” tha zoti Juncker.

Por nuk ka pasur vetëm reagime negative.

Një grup prej 22 senatorësh republikanë i kanë bërë thirrje zotit Trump të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për të shmangur rrezikun e padive gjyqësore që mund të ndërlikojnë përpjekjet e administratës aktuale për të anuluar projektet për energji të pastër të administratës së mëparshme.

Organizata Freedom Works, e cila punon drejt një synimi për një burokraci sa më të vogël qeveritare, arsyetonte në një deklaratë se respektimi i marrëveshjes do të shoqërohej me një kosto shumë të lartë për Amerikën, duke i kushtuar ekonomisë së vendit mbi 2 trilionë dollarë dhe mbylljen e afro 400 mijë vendeve të punës.

“Amerikanët nuk kanë gëzuar rritje reale ekonomike dhe të rrogave për një kohë shumë të gjatë dhe ky traktat nuk arrin të gjejë një balancë mes ruajtjes së mjedisit dhe ruajtjes së begatisë,” thuhet në deklaratë.

Brett Schaefer i Fondacionit Heritage me pikëpamje pro-presidentit Trump tha se vendimi për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit duhet të jetë i lehtë për zotin Trump, pasi gjatë fushatës ai pat thënë se të gjitha pretendimet për ndryshime të klimës janë sajesa.

“Nëse tërhiqet, do të kritikohet nga grupet ambjentaliste dhe organizata të tjera të majta që gjithsesi nuk e mbështesin,” tha zoti Schaefer. “Por nëse përpiqet t’i shmangë këto kritika do t’u impononte një kosto më të lartë votuesve amerikanë, bizneseve amerikane, do të ngadalësonte rritjen ekonomike duke thyer një premtim të fushatës. Kjo është një çështje thjesht bardh e zi, mendoj se zgjedhja është fare e qartë për presidentin,” thotë Schaefer./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat