Zyrtarë të lartë të administratës Trump, të shqetësuar për ndërhyrjet ruse - Bota Sot
Zyrtarë të lartë të administratës Trump, të shqetësuar për ndërhyrjet ruse

Amerika

Zyrtarë të lartë të administratës Trump, të shqetësuar për ndërhyrjet ruse

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 19:44
Zyrtarë të lartë të administratës Trump

Zyrtarë të administratës Trump shprehën shqetësim për rrezikun për ndërhyrje në zgjedhjet e ardhshme amerikane. Drejtori i Shërbimeve amerikane të Zbulimit, Dan Coats, paralajmëroi se Rusia vazhdon “përpjekjet për të dobësuar dhe përçarë” Shtetet e Bashkuara para votimeve.

“Vazhdojmë të shohim një fushatë të gjerë nga Rusia për të dobësuar dhe përçarë Shtetet e Bashkuara”. Ai shtoi se është “në dieni edhe të përpjekjeve nga vende të tjera që janë të interesuara të ndikojnë tek zhvillimet e brendshme politike” të Amerikës. Zoti Coats i bëri komentet në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të enjten pasdite.

Duke demonstruar solidaritet, zyrtarët e administratës Trump theksuan shqetësimet rreth përpjekjeve të huaja për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit dhe folën mbi punën e agjencive të tyre për të mos e lejuar këtë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton, Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, Sekretarja e Sigurisë së Vendit Kirsten Nielsen dhe Gjenerali Paul Nakasone, drejtor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, folën përpara gazetarëve.

Analistët e shohin ndërhyrjen ruse si një përpjekje për të dobësuar besimin e amerikanëve tek institucionet publike.

"Kjo është shumë, shumë serioze, është dobësim i besimit në sistemin tonë zgjedhor. Sigurisht, mënyra se si Rusia ndërhyn në zgjedhje është duke përhapur gjëra të pavërteta, nganjëherë qesharake për kandidatin tjetër".

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller po heton mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje dhe mbi mundësinë e një bashkëpunimi të fshehtë ndërmjet Moskës dhe fushatës së zotit Trump.

Presidenti Trump, nga ana e tij vazhdimisht e ka quajtur hetimin një "gjueti shtrigash".

Këshilltari i presidentit për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, Drejtori i FBI-së, Christopher Wray dhe Sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kirstjen Nielsen bënë gjithashtu komente në konferencën për shtyp.

Zoti Coats tha se Presidenti Donald Trump “na ka dhënë udhëzime të posaçme që ta trajtojmë rrezikun e ndërhyrjeve në zgjedhje dhe sigurinë e procesit tonë zgjedhor si një përparësi kryesore”.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Nielsen paralajmëroi: “Vetë demokracia jonë është në shenjestër”.

Presidenti Trump ka thënë se ka diskutuar me Presidentin rus Putin çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhje, gjatë takimit muajin e kaluar në Helsinki. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, pas bisedimeve me zotin Putin, Presidenti Trump i mbajti krahun udhëheqësit rus që mohoi se Moska kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 2016 për të ndihmuar në fitoren e Donald Trumpit.

Pasi u përball me kritika të forta në vend, Presidenti Trump i tërhoqi komentet dhe tha se e pranonte përfundimin e shërbimeve amerikane të zbulimit se Rusia në fakt kishte ndërhyrë në procesin zgjedhor.

Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller po kryeson procesin hetimor mbi ndërhyrjet ruse dhe nëse ka pasur bashkëpunim të fshehtë mes Moskës dhe fushatës Trump para zgjedhjeve 2016.

Zoti Trump e ka sulmuar në mënyrë të përsëritur procesin hetimor si “gjueti shtrigash”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...