Marrja e azilit politik në Shtetet e Bashkuara - Bota Sot
Marrja e azilit politik në Shtetet e Bashkuara

Amerika

Marrja e azilit politik në Shtetet e Bashkuara

Më: 4 gusht 2018 Në ora: 20:56
SHBA

Njerëzit që bëjnë kërkesa për azil politik pasi kanë ardhur në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, kanë më shumë gjasa të refuzohen, sesa të marrin të drejtën e qëndrimit. Nga 120,094 kërkesa për azil nga hyrësit e paligjshëm në vitin 2017, vetëm 6,995 janë dhënë sipas Departamentit të Drejtësisë. Sergio, një 64 vjeçar nga Meksika, është një nga ata fatlumë.

Rradhët e gjata janë tani të zakonshme në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, ku emigrantët rreshtohen në postet zyrtare të kufirit për të hyrë në Amerikë ligjërisht dhe kërkojnë azil. Nëse e bëjnë këtë ligjërisht ata kanë shans shumë më të mirë për të fituar azilin. Sipas statistikave qeveritare të vitit 2016, ata që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme dhe kërkojnë azil u përgjysmohen gjasat për ta marrë atë.

Sergio, i cili erdhi ilegalisht nga Meksika, është një nga fatlumët.

“Unë erdha në Shtetet e Bashkuara në vitin 1992 sepse atje nuk kishte shumë punë”.

Sipas procedurave të rrepta të zbatimit të administratës Trump, Sergio ishte në rrezik deportimi pasi u arrestua për dehje në maj të vitit të kaluar.

Në një burg pranë Los Anxhelosit, ai thotë se një roje e fyeu në fillim të nëntë muajve të tij në paraburgim.

“Më tha; je i burgosur. I thashë ‘Jo, nuk jam i burgosur, jam në paraburgim për imigracion, nuk kam kryer ndonjë krim”.

Sergio thotë se marrëdhëniet e tij me rojet u përkeqësuan nga ai fillim. Avokati i tij, Joel Frost-Tift i cili punon për Projektin e të Drejtave të Emigrantëve Esperanza, një program i Organizatave Bamirëse Katolike, aplikoi për azil për klientin e tij, i cili vuante nga sëmundje mendore.

“Ai pati disa trajtime mjekësore në paraburgim, por jo sa duhej. U përpoq të vetëvritej një muaj para se të lirohej. Kjo tregon se mjekimi i tij nuk ishte mjaftueshëm kur ishte në paraburgim”.

Një gjykatës pranoi argumentin se Sergio nuk do të merrte kujdes të nevojshëm nëse ai do të kthehej në Meksikë. Ai i dha azil në shkurt.

Sergio e mori azilin relativisht shpejt, por zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se sistemi po ngadalësohet nga rritja e numrit të kërkesave.

Sergio ndihet i lehtësuar që rasti i tij është zgjidhur, por ai është ende duke pritur për vizën.

“I stresuar tani për tani pasi jam në shtëpi të përkohshme”.

I lirë, por në strehim të përkohshëm, ai është gati për fillimin e një kapitulli të ri./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...