Reagime partiake ndaj raportit të FBI-së për Gjykatësin Kavanaugh

Amerika

Reagime partiake ndaj raportit të FBI-së për Gjykatësin Kavanaugh

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 21:16
SHBA

Mes kundërshtimesh të forta nga demokratët, senatorët republikanë u zotuan sot të vazhdojnë me votimin për konfirmimin e të emëruarit të Presidentit Donald Trump në Gjykatën e Lartë, Bret Kavanaugh, vetëm pak orë pasi FBI-ja paraqiti raportin e saj rreth akuzave për sulm seksual nga zoti Kavanaugh.

Ligji i detyron senatorët të mos zbulojnë detajet e raportit të FBI-së, një kopje e vetme e të cilit u bë i disponueshëm për ta lexuar pas dyerve të mbyllura të një salle të sigurtë brenda Kapitolit. Megjithatë, disa senatorët republikanë dolën për t’u thënë gazetarëve se nuk panë asgjë që mund të implikonte zotin Kavanaugh në sjellje të papërshtatshme seksuale.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, tha se FBI-ja nuk mundi të gjejë “palë të treta që të mund të mbështesnin ndonjë prej akuzave; (nuk gjeti) asnjë mbështetje nga dëshmitarët, madje edhe nga personat e përmendur si dëshmitarë okularë nga pala akuzuese”.

Javën e kaluar, Christine Blasey Ford i tha Komisionit të Senatit për Gjyqësorin se zoti Kavanaugh e pati sulmuar seksualisht gjatë një feste të nxënësve të shkollës së mesme, në fillim të viteve 1980-të. Zoti Kavanaugh mohoi me forcë akuzat.

Demokratët nuk folën për përmbajtjen e raportit të FBI-së, por thanë se mund të jetë dëmtuar prej kufizimeve të vendosura ndaj hetimit nga Shtëpia e Bardhë, së bashku me senatorët republikanë të Komisionit për Gjyqësorin. Në media pati njoftime se gjatë hetimit nuk u intervistuan as zonja Ford dhe as zoti Kavanaugh.

Senatorja kryesore demokrate në Komisionin për Gjyqësorin, Dianne Feinstein, tha se “gjërat më të rëndësishme të këtij raporti ishin ato që mungonin. Duket si produkt i një hetimi jo të plotë”.

Senatorja Feinstein shtoi se “demokratët ranë dakort që objekti i hetimit të ishte i kufizuar. Ne nuk ramë dakort që Shtëpia e Bardhë t’i lidhte duart FBI-së”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah, tha se pas “shqyrtimit më gjithëpërfshirës në histori të një të emëruari për anëtar të Gjykatës së Lartë”, Shtëpia e Bardhë ka “besim të plotë” se emërimi i zotit Kavanaugh do të konfirmohet. Senati pritet të votojë të premten për të mbyllur debatin dhe të shtunën për të konfirmuar emërimin e tij. Javën e kaluar, Komisioni për Gjyqësorin e kaloi kandidaturën e zotit Kavanaugh në plenaren e Senatit, me kushtin që FBI-ja të zhvillonte një kontroll shtesë të figurës së tij./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat