Presidenti Trump dhe zonja e parë do të vizitojnë Pitsburgun

Amerika

Presidenti Trump dhe zonja e parë do të vizitojnë Pitsburgun

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 16:33
Presidenti Trump dhe zonja e parë, Melania Trump

Presidenti amerikan Donald Trump dhe zonja e parë, Melania Trump shkojnë të martën në Pitsburg të Pensilvanisë për t’u shprehur ngushëllimet 11 personave në një sinagogë të qytetit. Megjithatë, disa udhëheqës hebraikë duan që presidenti të mos shkojë pa dënuar më parë nacionalizmin e bardhë. Zoti Trump ka fajësuar shtypin se po nxit zemërim në vend.

Zoti Trump ka dënuar vrasjen në masë të së shtunës në sinagogën e Pitsburgut që shkaktoi vdekjen e 11 vetëve dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve, përfshirë policë.

Rabini i sinagogës foli të hënën për shkaqet e nxitjes së këtyre akteve të urrejtjes.

"Kur flet me gjuhën e urrejtjes si udhëheqës, u jep leje të gjithë njerëzve të thonë ‘është e pranueshme të flasësh kështu, t’i trajtosh njerëzit kështu’ dhe përgjigjja ime është ‘jo, nuk është e pranueshme’”, tha rabini Jeffrey Meyers.

Kryetari i Bashkisë së Pitsburgut, Bill Peduto tha se i kishte kërkuar Shtëpisë së Bardhë që të mos e bënte vizitën presidenciale para ditës së martë, kur zhvillohen funeralet e viktimave, me kërkesë të familjeve të tyre dhe për shkak se punonjësit e rendit ende janë të angazhuar me gjendjen pas vrasjes masive.

Rabini i sinagogës e mirëpriti vizitën e zotit Trump, por disa udhëheqës të komunitetit hebraik në Pitsburg, në një letër të hapur i kërkuan presidentit që të mos shkojë në qytetin e tyre pa dënuar më parë “nacionalizmin e bardhë”.

"Ajo që kanë shkruar ata është pikërisht ajo që ndjej unë. Mendoj se ai do të shkaktonte më shumë përçarje, zemërim dhe trishtim. Nuk na duhen mendimet dhe ngushëllimet e tij”, thotë Gail Goldman, banore e zonës dhe anëtare e komunitetit hebraik.

I dyshuari Robert Bowers që u godit tre herë nga policia, doli para trupit gjykues të hënën nën akuzat federale për vrasje dhe sulm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat