Ish-drejtori i FBI-së: Hetimi nisi për 4 amerikanë, jo Trumpin vet

Amerika

Ish-drejtori i FBI-së: Hetimi nisi për 4 amerikanë, jo Trumpin vet

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 11:40
James Comey

Një hetim i FBI-së mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, fillimisht kishte në shënjestër “4 shtetas amerikanë”, por jo ish-kandidatin republikan Donald Trump, apo drejtues të fushatës së tij. Kjo është çfarë zbulohet tashmë të ketë thënë ish-drejtori i FBI-së, James Comey.

Lajmi është zbuluar të shtunën në një transkriptim 235-faqesh, i publikuar nga kreu i Komitetit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve, Bob Goodlatte, republikan nga Virxhinia, si dhe kreu i Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare, Trey Gowdy, republikan nga Karolina e Jugut, disa orë pas dëshmisë me dyer të mbyllura të dhënë nga Comey gjatë së premtes.

Comey tha se “të paktën disa” prej personave në shënjestër ishin të lidhur me fushatën e Trumpit në njëfarë mënyre, por Trumpi vet nuk ishte i përfshirë në hetimin nëse këta 4 individë kanë bashkëpunuar me Rusinë për të ndikuar në zgjedhje në favor të Trumpit.

“Ne hapëm një hetim ndaj 4 amerikanëve për të parë nëse kishte apo jo ndonjë lidhje mes tyre dhe përpjekjeve ruse për ndikim”, i ka thënë Comey Gowdyt. “Mes atyre 4 amerikanëve nuk ishte kandidati presidencial. Të paktën disa prej tyre ishin të lidhur. FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë nuk i kanë konfirmuar emrat e tyre publikisht, ndaj dhe nuk po jap më shumë detaje”.

Comey ishte shprehur gjithashtu për republikanin nga Teksasi, John Ratcliffe, se FBI-ja dyshonte që 4 individët nën hetim kishin ndihmuar Rusinë të ndikonte në zgjedhje.

Edhe pse 4 individët nuk janë përmendur publikisht me emër, ish-ndihmësi i fushatës së Trumpit, George Papadopoulos u hetua dhe prokurori special, Robert Mueller dhe u lirua nga burgu të premten pas vetëm 12 ditësh. Papadopoulos kishte pranuar fajësinë për deklarata të rreme ndaj agjentëve të FBI-së.

Ndihmës të tjerë të Trumpit, përfshi këshilltarin për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn, si dhe ish-avokatin personal të tij, Michael Cohen, kanë pranuar gjithashtu fajin se kanë gënjyer mbi marrëdhëniet e tyre me shtetas rusë gjatë fushatës dhe periudhës së tranzicionit presidencial.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat