Në sheshin e Bashkisë së Filadelfias valon flamuri Kuq e Zi

Amerika

Në sheshin e Bashkisë së Filadelfias valon flamuri Kuq e Zi

Nga: Sadik Elshani Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 23:44
Filadelfia

Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Filadelfias organizon ngritjen e flamurit tonë në Bashkinë e Filadelfias me një ceremoni solemne. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Filadelfias. 

Edhe këtë vit, në datën 26 nëntor u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë dhe përkundër motit me shi, sheshi u mbush me shqiptarë, shqiptarët u mblodhën të bashkuar, ashtu siç na thërret Himni ynë Kombëtar: “Rreth flamurit të përbashkuar….” Për rregullimin e skenës, tribunës festive, si zakonisht, u angazhua zoti Haki Collaku. Skena ishte zbukuruar me flamurin Kuq e Zi dhe atë amerikan. Po ashtu gati të gjithë të pranishmit mbanin flamujt Kuq e Zi dhe ata amerikanë. Kënga dhe vallja jehonte anembanë sheshit.

Në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Filadelfias, Jim Kenney, në këtë ceremoni merrnin pjesë Përfaqësuesja e Qytetit të Filadelfias (City Representative), zonja Sheila Hess dhe drejtorja e Zyrës për Çështje të Emigrantëve, zonja Miriam Enriquez. Që në çastet e para të takimit tonë, zonjat Hess e Enriquez shprehen befasinë e tyre të këndshme për numrin e madh të pjesëmarrësve, organizimin shumë të mirë dhe atmosferën festive, shumë të gëzuar, plot energji e dinamizëm. Shihje vetëm fytyra të qeshura. Ceremoninë e hapi zoti Sadik Elshani, i cili u uroi të pranismëve 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe bëri disa njoftime lidhur me programin e kësaj veprimtarie. Gjatë këndimit të Himnit tonë Kombëtar në shtyllë ngritej flamuri Kuq e Zi, flamuri i shqiptarëve. Për të ngritur flamurin këtë vit u nderua zonja Nikoleta Papa e cila ka qenë edhe mësuese në shkollën “Gjuha jonë”, të drejtuar nga shoqata “Bijtë e shqipes”. Pas këndimit të himneve kombëtare të ShBA-ve dhe atij shqiptar, fjalën e mori z. Tajar Domi, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

Në fjalën e tij z. Tajar theksoi rëndësinë e kësaj date që nga koha e Skenderbeut e gjer te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë në vitin 1912, përpjekjet shumëshekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi. Ai i bëri një përshkrim edhe rrugëtimit 100 vjeçar të Shqipërisë së pavarur, që kohëve të fundit është bërë një faktor me rëndësi i stabilitetit në rajon e më gjërë, rolin e saj në NATO dhe pjesëmarrja e saj në misionet paqeruajtëse në Irak e Afganistan. Një pjeës të fjalës së tij ai ia kushtoi edhe ndihmës së madhe që ka dhënë Amerika në mbrojtjen dhe përkrahjen e Shqipërisë dhe çeshtjes shqiptare në përgjithësi. Për këtë populli shqiptar gjithmonë do t’i jetë mirënjohës Amerikës dhe popullit amerikan. Po ashtu, ai foli edhe për punën e mirë që është duke bërë shoqata “Bijtë e shqipes” për rujajtjen e gjuhës dhe traditave tona kombëtare.

Pastaj shumë e entuziazmuar dhe e emocionuar, fjalën e mori zonja Sheila Hess, e cila tha se ndihej e privilegjuar që po merrte pjesë në festimin e 106 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe njëherësh po sillte përshëndetjet e ngrohta dhe konsideratën e lartë të kryebashkiakut (Mayor-it) Jim Kenney.

Ajo falenderoi shoqatën “Bijtë e Shqipes” për ndihmesën e dhënë për të organizuar këtë ceremoni të përbashkët. Ajo shtoi se Filadelfia është një qytet i pasuruar me llojshmërinë e popujve të ndryshëm që vijnë nga të gjitha anët e globit dhe e zgjedhinë Filadelfinë si shtëpi të tyre për të rritë familjet, bërë biznes dhe për të përparuar. Ndërsa për rolin e shqiptarëvë në Filadelfia ajo u shpreh: “Qyteti mirëpritës i Filadelfias përparon (lulëzon) me kontributin që e bëjnë shqiptaro – amerikanët e Filadelfias në të gjitha fushat e jetës së qytetit – zhvillimin ekonomik e tregtar si dhe karakterin dhe pasurinë kulturore të lagjeve tona.” Ajo gjithashtu i njoftoi të pranishmit se qyteti i Filadelfias dhe kryebashkiaku Kenney janë të përkushtuar për t’i mirëpritur emigrantët nga të gjitha anët e botës.

Pas përfundimit të fjalës së saj ajo ia dorëzoi zotit Domi Proklamatën me të cilën kryebashkiaku i Filadelfias e nderonte Shqipërinë në përvjetorin e saj të pavarësisë dhe e shpallte 28 Nentorin e vitit 2018 si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Filadelfia. Edhe në tekstin e Proklamatës lartësohej historia e Shqipërisë dhe vlerësohej puna dhe ndihmesa e shqiptarëvë në zhvillimin e përparimin e Filadelfias, duke sjellur kulturën e tyre, vlerat e larta kombëtare e njerëzore.

Në vazhdim fjalën e mori zonja Miriam Enriquez, e cila shprehu kënaqësinë që në emër të kryebashkiakut po na uronte mirëseardhjen në Bashki për ta shënuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe ajo e theksoi se Filadelfia është qytet ku emigrantët janë të mirëpritur dhe zyra që ajo drejton gjithmonë do të jetë në shërbim të emigrantëve, për t’i ndihmuar ata, për t’i bashkërenduar veprimtaritë e ndryshme kulturore, shoqërore, sportive dhe për t’u integruar më mirë në jetën e qytetit

Pas këtyre fjalimeve të rastit përsëri jehoi kënga dhe vallja shqiptare, edhe përkundër kohës me shi, siç e cekëm më lart. Kështu edhe këtë vit me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit në Bashkinë e Filadelfias. Zemra të mbushet me kënaqësi kur e sheh duke valuar flamurin tonë në qytetin ku u shpallë pavaresia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund ta mbyllim këtë shkrim pa i shprehur falenderimet dhe mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetit të Pennsylvanias dhe qytetit të Filadelfias që na kanë pranuar si qytetar të lirë e të barabartë, ku jetojmë, punojmë, studiojmë, rrisim familjet tona dhe me krenari e ngremë flamurin tonë Kuq e Zi. Ndërsa Shqipërisë sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetës.

Filadelfia, 4 Dhjetor 2018

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat