30-vjet më parë - për herë të parë në Shtetet e Bashkuara Dr. Ibrahim Rugova - Bota Sot
30-vjet më parë - për herë të parë në Shtetet e Bashkuara Dr. Ibrahim Rugova

Amerika

30-vjet më parë - për herë të parë në Shtetet e Bashkuara Dr. Ibrahim Rugova

Nga: Gjekë Gjonlekaj/New York Më: 8 tetor 2019 Në ora: 06:33
Në New York nga e majta, Ëngjell Sedaj, Tonin Mirakaj, Ibrahim Rugova, Dom Rrok Mirdita

Si sot 30-vjet të shkuara arritën për herë të parë në Shtetet e Bashkuara Dr. Ibrahim Rugova dhe Prof.Dr. Ëngjell Sedaj. Tridhjetë vjetë më parë ishte 300-vjetori i vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit. Disa dijetarë shqiptarë midis tyre Profesor Engjëll Sedaj kshin botuar në shtypin shqiptarë të Kosovës shkrime të rëndësishme për jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit. Në atë kohë shtypi i Kosovës sidomos gazeta "Rilindja"shitej në dy tri qëndra të New Yorkut. Nga kjo gazetë mësonim shumë për Kosovën. Ato ditë kisha marrë një monografi të mrekullueshme të Pjetër Bogdanit përgatitur nga albanologu i peërmendur shqiptar Profesor Dr. Martin Camaj. Kjo vepër mbase më e mira deri sot për jetën dhe veprën e Pjetër Bogdanit ishte botuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së tij. Këto për mua ishin frymëzim për idenë e një konference shkencore në New York për këtë kolos të fesë dhe kulturës shqiptare të shekullit XVII.  Viti 1989 ishte mbase viti më tragjik i Kosovës, pas protestave të mëdha të viteve 1968 dhe 1981. Viti 1989 ishte i tmerrshëm sepse në marsin e atij viti, Jugosllavia kishte hequr autonominë e Kosovës që ishte garantuar në kushtetutën jugosllave të vitit 1974. Ky akt barbar kishte shkaktuar shqetësime të mëdha, bile si pasojë e atij vendimi anti-shqiptar ishin vrarë pothuajse  30 qytetarë shiptarë të Kosovës. Në kushte të tilla politike ishte i pamundur organizimi i një konference për Imzot Pjetër Bogdanin në Kosovë. Në muajin korrik të vitit 1989 i kisha bërë një telefonatë Profesor Dr. Arshi Pipës në lidhje me mundësinë e një konference shkencore në New York  për Imzot Pjetër Bogdanin. Profesor Dr. Arshi Pipa gëzonte respekt të jashtzakonshëm për çështjet tona kulturore. Ai e priti mirë propozimin tim,dhe dy javë më vonë Profesor Pipa i kishte dërguar një letër  Dom. Rrok Mirditës duke i propzuar që një konferencë e tillë ishte mirë të oraganizohej nga Kisha Katolike Shqiptare "Zoja e Shkodrës". Profesor Arshi Pipa e arsyetonte këtë, ngase Pjetër Bogdani kshte qënë autoritet i lartë fetar shqiptarë. Pas disa ditësh Dom.Rrok Mirdita më bëri telefonatë dhe më tregoi në lidhje për propozimin e Arshi Pipës. Unë ia tregova Dom Rrokut të vërtetën se kisha biseduar me Arshi Pipën për këtë çështje. Propozimi i Arshi Pipës që kjo konferencë të bëhëj nën patronazhin e Kishës Katolike Shqiptare kishte qënë ide e mrekullueshme. Dom Rrok Mirdita gjatë bisedës telefonike kërkoi mbështetjn time për organizimin  e këtij simpoziumi. Ai më vlerësonte si dashamirë dhe ishte shumë i sinqertë me mua. Unë i premtova menjëhërë, por i vura kusht që të ftohej Dr. Ibrahim Rugova. Ai më pyeti për kualifikimet dhe veprimtarinë e tij. Për mua kjo shte punë e lehtë ngase Ibrahim Rugovën e kisha njohur gjatë kohës kur kisha qënë student në Prishtinë në fund të viteve 60'. Në atë kohë Ibrahim Rugova ishte i njohur si njëri prej intelektualëve më serioz të Kosovës. Ai botonte shkrime dhe studime serioze në gazetat dhe revistat më të mira të vendit dhe kohë pas kohe organizonte konferenca letrare. Ishte intelektual shumë i heshtur dhe shumë i izoluar. Kishim udhëtuar së bashku nja dy herë me tren nga Fushë Kosova për në Pejë. Prej tij kisha dëgjuar për herë të parë për veprën:"Kosova Djepi i Shqiptarizmit" të H.Kokolarit gjithashtu dhe për disa vepra të tjera që ishin të ndaluara në Kosovë. Më kishte lënë përshtypjen e një intelektuali shumë të ditur dhe patriot. Në vitin 1970 imigrova në Shtetet e Bashkuara por kisha ruajtur kujtime të mira për këtë personalitet të kulturës sonë kombëtare. Në fund të viteve 80' ishte bërë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në vitin 1989 Elez Biberaj i " Zërit të Amerikës” kishte dërguar në Kosovë gazetarë të njohur amerikanë, midis tyre Jolian Naegle dhe Lora Silber e cila në atë kohë ishte edhe korrespondente e gazetës britanike "Financial Times" të Londrës. Lora Silber ishte në atë kohë në Beograd por sipas kërkesave të VOA-shqip shkonte në Kosovës,mvarësisht prej zhvillimeve atje. Naegle dhe Silber kishin biseduar disa herë me Ibrahim Rugovën në lidhje me problmet e Kosovës. Gjatë intervistave Dr. Rugova ishte treguar shumë i guximshëm, që për ne te Seksionit shqip të VOA ishte një mrekulli. Pasi i tregova Imzot Mirditës  këto të vërteta për Rugovën, e pranoi poropozimin tim menjëherë.  Por tha se kishte mik një tjetër shqiptar të Kosovës, nga kohja e studimeve teologjike në Universitetin e Zagrebit,fjala ishte për Profesor Dr. Ëngjëll Sedaj që do të deshironte ta ftonte në këtë seminar. Në mbledhjen e parë të Këshillit të Kishës  për organizimin e kësaj konference të cilën e drejtonte Tonin Mirakaj u pranua propozimi për ftesën e tyre dhe të profesorëve Arshi Pipa dhe Martin Camaj. Në këtë mbledhje u pranua pa asnjë dyshim edhe kërkesa për ftesën e At. Daniel Gjeçaj nga Roma. Ftesën tonë ia kisha komunikuar me telefon Ibrahim Rugovës. Ai e pranoi shumë mirë këtë lajm,duke shtuar se i është shumë mirënjohës Kishës Katolikë Shqiptare të New Yorkut që e kishte ftuar për të ligjëruar në këtë simpozium për idhudhin e tij Imzot Pjetër Bogdani.  Dr. Ibrahim Rugova ishte specialisti më i madh i kësaj konference ngase teza e tij e doktoratit kishte qënë Pjetër Bogdani. Me 7 tetor të vitit 1989 Ibrahim Rugova dhe Engjëll Sedaj arritën në Aeroportin John Kennedy të New Yorkut. Arritën në ora 6 të mbrëmjes. Kishin dalur për ta pritur në aeroport edhe Dom.Pjetër Popaj dhe Tonin Mirakaj. Elez Biberaj dhe familja e tij kishin dërguar një limuzinë luksoze për t'i pritur dy dijetarët e njohur të Kosovës në aeroport. Unë i shtriva dorën e mirëseardhjes në Amerikë. Ai buzëqeshi, dhe më njohi dhe shtoi se nuk kisha ndryshuar shumë edhe pse nuk ishim parë për pothuajse për dy dekada.Gjatë rrugës prej aeroportit në hotelin afër Kombeve të Bashkuara biseduam shumë për gjëndjen në Kosovë. Ai tha shumë gjëra me rëndësi për të ardhmen e Kosovës, por fjalën demokraci dhe demokrtazimin e përdori më shumë se asnjë fjalë tjetër. Aty për aty fitova përshtypjen se ishte më shumë demokrat se nacionalist. Ai tha: "Jugosllavia është bërë si një kotec pulash". Kjo ishte fjalia më profetike që kisha dëgjuar prej tij. Nuk ishte aspak optimist për të ardhmen e Jugosllavisë. Atë natë Ibra dhe Ëjlli dhe disa shqiptarë të tjerë ishim të ftuar për darkë në shtëpinë e Tonin Mirakaj. Miliana dhe Tonini kishin organizuar një pritje të shkëlqyeshme për mysafirët nga Kosova. Atë natë Ibrahim Rugova u ra në sy të gjithëve për pirjen e tepruar të duhanit. Bile një mik amerikan i Tonin Mirakaj mjek specialist i kishte thënë Toninit për dëmet që do t'i shkaktojë pirja e duhanit.
> Të nesërmen më  8 tetor ditë e shtunë në ora 10 të mëngjezit në sallën e madhe të Universitetit Fordham në New York filloi punimet simpoziumi për jetën dhe veprimtarinë e Imzot Pjetër Bogdanit. Kjo ishte mbledhja më e madhe shqiptare që kisha parë ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Kishin ardhur shqiptarë nga shumë qytete të Amerikës. Shumica kishin ardhur për të parë dhe takuar Ibrahim Rugovën. Të gjithë ligjëruesit u duartrokitën për ligjëratat e tyre por Ibrahim Rugova u duartrokit më shumë se të gjithë ata së bashku. Elez Biberaj që atë dite kishte ardhur nga Washingtoni për këtë ngjarje të madhe kultorore dhe për t'u takuar me Ibahim Rugovën kishte shënuar se të pranishmit ishin ngriturn ë këmbë 14 herë për nderin dhe respektin e këtij burri shqiptar që më vonë do të bëhej udhëheqësi kryesor i lëvizjes paqësore për lirinë e Kosovës. Në bashkëpunim me Elez Biberaj përgatitëm atë ditë një kronikë speciale nga Universiteti Fordham.
> Pas konferencës Dr. Ibrahim Rugova u përshëndet me të githë shqiptarët pa dallim bindjesh politike ose krahinore. Për shqiptaro-amerikanët anti-komunist kjo ishte diçka e rë. Ç'prej Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e Amerikës nuk kishin pasur në mesin e tyre një personalitet kaq të nderuar dhe të dashur. Gjatë qëndrimit prej 10 ditësh në New York dhe në Washington Ibrahim Rugova ishte takuar me shumë shqiptarë dhe amerikanë. Ai kishte shkuar edhe në Washington ku shte takuar me personalitete të njohura të politikës amerikane midis tyre edhe me senatorin Robert Dole. Natyrisht se politikanët amerikanë i kishin dhënë udhëzime të rëndësishme për themelimin e një partie demokratike në Kosovë, ashtu siç kishin bërë me shumë udhëheqës të lëvizjeve demokratike të vëndeve komuniste në Evropën Lindore. Amerikanët ishin në dijeni për zhvillimet politike në Kosovë, sidomos pas demonstratave të vitit 1981. Gazetat e mëdha amerikane kishin treguar interesim të jashtzakonshëm për ngjarjet e Kosovës sidomos gjatë viteve 80. Natyrisht se edhe shqiptaro-amerikanët e ditur dhe dashamirë të Kosovës kishin dhënë sugjerimet e tyre për të mirën e atdheut të tyre të robëruar. Ibrahim Rugova i dëgjonte këshillat e shqiptaro-amrikanëve me vëmëndje. Nuk reagonte për asnjë propozim të shqiptarëve. Bile edhe propozimin e tyre për bashkimin kombëtar e dëgjonte me vëmëndje dhe nuk e kundërshtonte. Për fyerjet dhe sharjet ndaj sistemit komunist jugosllav nuk çante kokën fare. Ndërsa Ëngjell Sedaj ishte pak më i kujdeshëm.Profesor Sedaj nuk e paramendonte rënjen e Jugosllavisë. Profesor Sedaj ishte shumë më pedant në punët e tij se Ibrahim Rugova.
> Ibrahim Rugova ishte në atë kohë dijetar dhe vizionar "par exellence".
> Gjatë  kohës sa qëndroi në New York e shoqërova për vizita të ndryshme në pjesët më të bukura dhe më të rëndësishme të New Yorkut, ku bënin pjesë edhe Kombet e Bashkuara, Qëndra Rokefeller e shumë të tjera.Nuk e dijë pse por nuk kishte aspak interesim për t'i vizituar këto mrekulli botërore. Hoteli ku qëndronin ishte vetëm një rrugë largë Kombeve të Bashkuara dhe një herë e vizituam këtë qëndër të diplomacisë botërore. Në atë kohë isha korrespondent i VOA pranë kësaj Organizate dhe si i tillë kisha mundësi të vizitojmë pjesët më të rëndësishme dhe më të bukura të OKB-ës.Gjatë vizitës në këtë Organizatë nuk u ndje aspak mirë, ngase kishte frikën e spiunazhit jugosllav. Atë ditë ia bëra të mundur një takim të shkurtër me kryetarin e Sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të atij viti, por nuk e pranoi. Ai tha nëse bëjë takime të tilla dhe ato bëhën publike, propaganda jugosllave ka për të më krahasuar  me Sheshelin i cili  ato ditë vërtitej nëpër koridoret e Kombeve të Bashkuara. Në biseda dhe debate ishte shumë propërëndimor. Gjatë kësaj vizite në OKB iu drejtova me këto fjalë: "Dr.Ibrahim Rugova dëgjo çka po të thëmë. Pa u sitë dhe pa u shoshë  nëpër këtë makinë të madhe të diplomacisë botërore, Kosova nuk do ta fitojë pavarësinë. Më dëgjoi por nuk bëri asnjë koment.  E nderonte kulturën e krishterë por më shumë kulturën hebraike dhe Testamentin e Vjetër. Ishte  shumë i vendosur kundër Orientit dhe kulturës orientale. E urrente me pasion otomanizmin dhe sundimin e tyre, bile merrte shëmbull përpjekjet e tyre që gjuha shqipe të shkruhej me germa arabe, kur ata vetë bënin orvatje që gjuha turke të shkruhej me germa latine. Ibrahim Rugova nuk fliste keq për Ramiz Alinë. Ai e quante Ramiz Alinë "zo.. kur..." që në Kosovë do të thotë i zgjuar.  Një herë e pyeta kush kishte qënë demokrati më i madh shqiptarë para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë. Ai tha se demokrati më  madh shqiptar kishte qënë Luigj Gurakuqi. Nuk kishte paragjykime fetare dhe as krahinore. Pasi kishte mbaruar konferenca më kishte thënë dicka që nuk e harroj kurrë: " Sot për herë të parë në jetën time u ngrita në këmbë për të nderuar intonimin e himnit tonë kombëtar shqiptar",dhe shtoi se kishte ndjerë emocione të jashtzakonshme në këtë rast. Ibrahim Rugova dhe Ëngjell Sedaj u larguan me përshtypje të mira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata panë me sytë e tyre vullnetin e mirë të shqiptarëve të Amerikës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E prekën me dorë dhe e panë me sytë e tyre këtë vend të madh supërfuqi. Udhëtimi i tyre i parë i këtij niveli në Amerikë ishte akt historik. Fryma liridashëse e Pjetër Bogdanit i solli në Amerikë për të mirën e Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në trojet e tyre në Jugosllavi. Dom. Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj dhe Tonin Mirakaj u treguan shumë fisnikë në këtë rast. Unë personalisht ruaj kujtime të bukura nga ajo vizitë dhe lidhjet tona vazhduan deri në Konferencën e Daytonit. Ibrahim Rugova kishte një pamje të qetë dhe ëngjullore. Ishte shumë i butë në fjalë dhe biseda. Në atë kohë u bë shqiptari më i nderuar në Amerikë. Shumica ishin të bindur se do të triumfojë lëvizja e tij paqësore, që kishte qënë bindje e gabuar. Megjithatë Ibrahim Rugova hapi i pari dyert e politikës amerikane për të mirën e Kosovës. Ai ishte dhe mbetet Kristofor Kolombi i Kosovës, sepse ai e zbuloi Amerikën që bëri aq shumë për Kosovën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...