Në shenjë respekti për Dr. Pass

Amerika

Në shenjë respekti për Dr. Pass

Nga: Moza Boletini Më: 10 maj 2020 Në ora: 10:45
Dr. Pass, bashkeshortja dhe Saimir Pirgu

Në spitalin Mount Sinai në Manhattan, në detyrën e Shefit të Kardiologjisë Pediatrike dhe Drejtorit të Shërbimeve të Aritmisë si dhe Bashkëdrejtor i Qendrës Pediatrike të Zemrës po tek ky spital, punon mjeku human Robert Pass. 

Eshtë mjek me emër dhe renditet tek më të mirët në Amerikë. Ka realizuar ndërhyrje kardiake me shumë sukses edhe tek pacientë shqiptarë (fëmijë e te rritur). Duke qenë i suksesshëm, ka patur edhe pacientë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e trojet e tjera shqiptare me ndërmjetësimin e Organizatave Shqiptaro-Amerikane "Gift of Life", etj. Disa prej pacientëve shqiptarë që Dr. Pass ka operuar jetojnë në Bronx.

Dr. Pass ka kryer studimet në Harvard me rezultate të shkëlqyera. Përpara spitalit Mount Sinai në Manhattan, ka punuar si Zv. Shef në Departamentin e Kardiologjisë së fëmijëve në Montefiore Medical Center në Bronx dhe më parë në NY Presbyterian Columbia dhe Cornell ne Manhattan.

Dr. Pass është autor i afro 100 artikujve në fushën e kardiologjisë pediatrike dhe shpesh është i ftuar të flasë në takime ndërkombëtare mbi temën e elektrofiziologjisë pediatrike.

Si mjek, jo vetëm që tregon kujdes të jashtëzakonshëm për pacientët, por edhe në fundjavë shkon në spital për të ndjekur pacientët pas operacionit.

Sot në këtë situatë kritike përveç punës si mjek kardiolog, kuron edhe pacientë me COVID-19. 

Duke operuar me sukses edhe fëmijë shqiptarë, Dr. Pass ka marrë falenderime nga pacientët e prindërit e tyre. Në një rast një familje nga Vlora i dërgoi llokume me postë, pasi që fëmija kreu me sukses operacionin dhe ata u kthyen në atdhe.

Dr. Pass është i afërt e dashamirës me komunitetin tonë, ka miq shqiptarë të cilët i nderon e respekton në festa e veprimtari të ndryshme. Si artëdashës i muzikës klasike, ndër artistët që ai ndjek në skenat e Manhattanit, rradhiten edhe Saimir Pirgu, Inva Mula, Ermonela Jaho e të tjerë. 

Përveç punës së tij klinike, ai është i njohur edhe për një Podcast javor të quajtur "Pediheart: Kardiologjia Pediatrike Sot", i cili ndiqet në të gjithë botën me gati 100,000 shkarkime. Në këtë Podcast ai interviston personalitete të fushës së mjekësisë kardiovaskulare pediatrike e në sfond, episodet shpeshherë i mbyll me muzikë klasike edhe të këngëtarëve operistikë shqiptarë

Eshtë intervistuar nga revista prestigjoze amerikane U.S. News, televizione e revista të ndryshme.

Nga natyra e karakteri i tij ai është tepër modest. Si komunitet i jemi mirënjohës e duke qenë se sot në kohë pandemie të rëndë, në fokusin e ditës janë sakrificat e mjekëve për të shpëtuar jetë njerëzish, ky shkrim të shërbejë si një duartrokitje për punën e mirë mjekësore e humane të Dr. Robert Pass.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat