Teuta shqiptare e trojeve amerikane

Amerika

Teuta shqiptare e trojeve amerikane

Nga: Baki Ymeri Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 22:07
Kopertina

Poeti është mbreti i imagjinatës, poetesha është mbretëresha e befasive, kurse poezia është një dhuratë hyjnore, balsam i shpirtit, testamenti i jetës, drita e fjalëve, princesha e arteve, thesari i ndjenjave dhe një burim i pashtershëm energjishë hyjnore. Shpirtluanesha e Kosovës, Teuta Elashani vjen me shpirtin e hapur dhe koncepte të reja, personale, lirike, patriotike dhe artistike. Ajo është një frymë e re që ndjen frymëmarrjet e kohës, para se t’i afishojë ato si do deklarata dashurie tejet të qarta, sidomos te Vargjet e jetës, Populli im, Atdhe, Daja dhe nipi, Plisi, Kalaja, Gjuha shqipe, etj.

Diku në hapsirën më të rëndë të përmbajtjes ndërmjet germave, mund të gjendet një rrugë për kthim në kohërat e qarqet pararendëse për fatin e gjuhëve dhe çasteve në të cilat ka depërtuar bota, moment të cilin zakonisht të tjerët e anshkalojnë. Aq kohë sa ekziston zjarri i pashuar i dashurisë ndaj familjes dhe farefisti, ndaj kombit dhe atdheut, atëherë është mirë që gjërat shkojnë kah e mbara në një drejtim të mirëditur dhe të mirëseardhur. Një linjë zig-zake e jetës vëhet për t’u lexuar kur ke besimin se faktikisht nga përjetësia del në horizontin e një dritë të qetë, edhe pse nuk vërehet asgjë, por thjesht një pastërti e kristaltë shpirtërore, ngase kështusoj duhet të ngjajë: „Trung me rrënjë të thella/ Në degët tua/ Na lartëson në pafundësi.” (Atdhe)

Ekziston një përgëzim i përpjekjeve gjatë rrugës së përmbushjes, qoftë edhe atëherë kur rruga shpesh herë mund të jetë kolaterale me rrugët e komunikimit fluid. Ja përmallimi i rikthimit në trojet e shtyllave të fatit, një përngutje permanente për të notuar mbi valët e kohës që të janë dhënë, pa marrë parasysh se nga po na shpie rrugëtimi. Medoemos duhet t’i besojmë lirisë së dashurisë që nuk ndalet kurrë. Ajo vjen të shijojë nga çastet magjike të rastit, dhe i vetmi fakt që vjen parasysh, është fakti se dashuria sjell pas vetes krejt peshën e ndjenjave të konektuara pa të cilat nuk mundet: „Mbretëreshë e ndjenjave/ Burim i vargjeve pafund/ Më e afërta me magjiken/ Pa ty bota thjeshtë një gur.” (Dashuria)

Poemat e Teutës shëmbëllejnë me do piktura sentimentale ku zotëron shikimi që prek. Përherë zhvillohet një luftë ndjenjash që revelacioni të ekzistojë në vetëvete, jo vetëm si një bindje konfuze e rrugëtimit ndërmjet përfytyrimeve të më shumë shëmbëlltyrave të pamundësisë së arritur në moshën e pjekur të mënyrës për të qenë. Nuk mund të ketë dashuri lirike dhe patriotike pa pritjen e të gjitha pritjeve, kurse rregullat e lojës krijojnë vend edhe për dashuri, ngase dashuria në fund të fundit, jo vetëm një përjetim, por edhe një dramë mund të quhet, sado që asaj tenton t’i japish një dimension tjetër të kuptimit...

Teuta Elshnai ka dinjitet dhe nuk bie viktimë e përjetimeve të përshkuara përmes magjisë së fjalëve. Përkundrazi, ajo din të kalojë vetë dhe pa përkrahjen e askujt, tejmatanë portave të fitores. Është e ndërgjegjshme për fuqinë e iluzionit që zëvendëson çfarëdoqoftë hapsirë mendimesh. Ajo dashuron ngase ekziston, dhe gjithëçka që është e mundshme të ekzistojë për dashuri. Në këtë vepër me dy autorë (babë e bijë), Teuta vjen në gjuhën shqipe me një eksperiencë artistike të jashtëzakonshme. Ndjeshmëria e saj është një dhunti e pavarësisë për të mbetur e para që sjell një brishtësi që u kundërvihet të gjitha pengesave. Autorja e këtyre vargjeve tenton të përjetojë çdo prekje, kudoqoftë dhe kurdoherë, gjithmonë me shpirtin pranë pavdekësisë së dashurisë.

VARGJET E JETËS

Te parin varg e ftova

I dyti më përgjëroi

Në çerdhe vargjesh

Agimi më zgjoi...

MALLI

Kur ikët...dhe zemra iku menjëherë

Thuhet s’mund t’jetojmë pa të

Jam një përjashtim atëherë...

PA JU

Dhimbja është shumë e madhe,

atë e ktheva në dashuri për jetën...

VARGU I PASHKRUAR...

Ëndrra e mbushur jetësi

Dielli në plotësi

Fëmija qiellin kufi

LIRI - vargu je TI

RRUGA E POETIT

Më mungon hapi

Që kurrë s’më la vet

Tash mbaj emrin

Ymer për jetë...

KUSH DHE SI E PËRJETËSOI KËTË GJENI TË LETRAVE SHQIPE

Shumë shokë, kusherinj, dajë e shkrimtarë e përjetësuan Ymer Elshanin.
Rifat Kukaj e shkroi artikullin “Këlithje shpirti”, në vend të përkujtimit, të botuar në “Rilindje” më 26 korrik 1999 në faqe 8. Riza Greiçevci e shkroi poezinë “Ti je gjallë Ymer” (nipit tim) e cila i ka katërmbëdhjetë strofa, e botuar në “Rilindja për fëmijë”, numër 11202, të martën, më 10 gusht 1999, faqe 9. Kjo poezi është botuar edhe në librin “Të fala Tiranë”, faqe 69, botuar në Prishtinë, 1999. Dr. Xhevat Syla ka botuar një monografi “Universi i mirësisë”, jeta dhe vepra letrare e Ymer Elshanit, shtëpia botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2008. Një meritë të veçantë kanë Halili Kuliqi dhe Arif Veliu, të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm shkruan “ATDHEDASHURIA”, në veprën e Ymer Elshanit, “YLLI ËNDRRIMTAR”, e cila u botua në Prishtinë më 2008. Kjo vepër u botua me rastin e 60 vjetorit të lindjes të poetit Ymer Elshani, në të cilën bëhet analiza e 113 poezive. Vlen të theksojmë se në disa poema mirren pak vargje për ilustrim. Ndonjëherë nuk shënohen si në origjinal. Përdoren fjalë të huaja si për shembull fjala mesazh nga gjuha franceze në vend të porosi.

Unë mendoj se është bërë një analizë e thuktë dhe me përkushtim nga Halil Kuliqi dhe Arif Veliu, prandaj në fund kur e mbarova së lexuari shkrova: Ndoshta nuk gaboj të shkruaj se ju jeni njohësit më të mirë të shpirtit, mendjes dhe zemrës së shkrimtarit më tragjik në botë – Ymer Elshani. Lumtë ju që e keni njohur e mjerë unë që shumë pak e kam njohur. Qibrije Demiri – Frangu i jep një vend të veçantë në “Letërsi për fëmijë”, Prishinë, 2011, ku i jep hapësirë në 15 faqe, duke e quajtur Krijuesi emblematik – Ymer Elshani. Ndër të tjera Qibrija shkruan: “Autor i suksesshëm i tregimeve, i romaneve, i poezive, i pjesëve teatrale, si dhe shkrimeve kritike për letërsinë për fëmijë, Ymer Elshani del të jetë shkrimtari më besnik i fëmijëve. Ai asnjëherë nuk iku nga fahu i tij – krijimtaria për fëmijë”.

Një vend të veçantë për përjetësimin e Ymer Elshanin zë edhe botimi i temës së magjistraturës: “Aspekte të poezisë sonë për fëmijë”, (1945 – 1976) botuar në Prishtinë, më 2013. Këtë vepër Ymer Elshani e shkroi me përkushtim të madh, duke i lexuar dhe studiuar më parë 105 vepra për fëmijë, ku bëri analizën e tyre dhe paraqiti krijimtarinë e të gjithë shkrimtarëve për fëmijë brenda kufijve të ish-Jugosllavisë. Përkitazi për këtë monografi shkroi edhe Shefqet Rexhepi: “Studim i thuktë i lirikës për fëmijë gjatë tri dekadave”, botuar në gazetën e përditshme “Bota sot”, numer 6438, Prishtinë, e mërkurë, 3 korrik 2013. Ku ndër të tjera shkruan se është një studim i një rëndësie të veçantë për letërsinë tonë për fëmijë.

Për Ymer Elshanin shkroi edhe norvegjezi Josef Martines në librin PUSET E VDEKJES NË KOSOVË, i cili u botua në Prishtinë, më 2006. Në këtë libër është paraqitur edhe fotografia e Ymer Elshanit dhe e nënës së tij Nailes në faqen 111 dhe 112. Martinsen ka shitur shtëpinë e pushimeve në Suedi, ka shpenzuar rreth 20 mijë euro, ka vrapua katër vjet nëpër Kosovë, vetëm e vetëm të dokumentojë vuajtet e civilëve shqiptarë gjatë luftës 1998 – 1999. Përjetësimin më të mirë shkrimtarit, Ymer Elshanit do t’ia bëjë Nezir Prokshi, i cili është duke i mbledhur të gjitha punimet e tij që i janë botuar nëpër gazeta dhe revista siç ishin: “Pionieri”, dhe “Gazeta e pionierëve”, që botoheshin në Prishinë dhe “Gëzimi” e “Fatosi”, që botoheshin në Shkup. Ai do t’i botojë në vëllimet e veçanta: Poemat, poezitë, tregimet, romanet, dramat për fëmijë dhe kritikat letrare. Sado që të shkruajmë për martirin Ymer Elshanin, nuk mundemi kurrë t’i dalim hakut, sepse ai e sakrifikoi jetën e vet, të katër djemëve, gruas dhe nënës vetëm e vetëm se e deshi vendin e vet dhe nuk deshi të largohej dhe kështu korbat e zi ia morën jetën pikërisht në ditën e sotme para 17 vjetësh. (Nezir Selmani)

Shahe Rama

KUR E VRANË POETIN

Kur vranë poetin të pashpirtët
Bashkë me katër pëllumbat e tij
Qielli u ngrys tepër shumë
Rrëke lëshoi një shi.

Ylberi s`doli si për inat
Hëna buzevarur ndriçonte
Nuk vdes poeti, tha vargu i tij,
Vetëm pak gjumë ka vënë në sy.

YMER ELSHANIT

Edhe vetë ëndërronte “Çka ëndërrojnë lulet,”

Të rriten harlisur në kopshtin e vet të lirë -

Në ballë përmendoresh çdo njëra të përulet

Në shenjë t’nderimit për njerëzit më të mirë!

-“Le të vijë në Sharr pranvera” me gjelbërim

“Përjetimet e Bardhoshit” atij dimri të gjatë,

“Plaku me violinë” ato i përcjell në rrëfim-

Me “Yllin ëndërrimtar” mbi Kodrën e thatë.

Nëpër detin e tij njerëzor “Anija e miqësisë”

Sa “Guri i çmueshëm” sa “Unaza magjike”

Është bartur drejtë kah “Ishulli i lumturisë”-

Kosova kështu mendohej prej kohës epike.

“Aventurat mbi trotinetin e vjetër” perënduan

Si “Ylli ëndërrimtar” e ”Përralla për ylberin”

- “Loti udhëtar“ mbeti, shekujve që kaluan;

Prindër edhe fëmijë tok provuan zjarr-ferrin !

Është vrarë poeti thanë familja në Poklek

Kundër kodit njerëzor fjala, e shpirtit krijues,

Atë stinë nuk kënduan zogj nuk u panë lejlek

Ndër oxhaqe kullash, qiellit dukur trishtues!...

Ali M. Lajçi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat