Lamtumirë poeti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Luigj Çekaj

Amerika

Lamtumirë poeti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Luigj Çekaj

Nga: Elmir Siqeca Më: 5 janar 2021 Në ora: 22:36
Luigj Çekaj

Me dhimbje të madhe njoftojmë se sot me 5 janar në Nju Jork u nda nga jeta anëtari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, poeti i njohur Luigj Çekaj. Është një humbje e madhe për Shoqatën tonë, për Shqipërinë dhe për të gjithë lexuesit e tij të shumtë.

Luigj Çekaj ishte anëtarë i devotshëm i Shoqatë së Shkrimtarëve që nga themelimi, dhe njëherit sekretari i Shoqatës 2001-2003.

Jemi me fat dhe të nderuar që në librin e fundit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)” anëtari ynë i nderuar, Luigj Çekaj përfaqësohet me krijimet e tij letrare.

I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Çekaj, duke i qëndruar pranë. Me ta ndajmë bashkërisht dhimbjen e madhe. Pushofsh në paqe poeti i dashur. Do të na mungosh shumë. U prehsh në paqe!

Nga kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

***

Me këtë rast po paraqesim një përmbledhje të shkurtër të jetës dhe veprës së tij madhore që iu flet brezave.

Shënime biografike nga libri “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)”, Nju Jork, 2020

Luigj Çekaj lindi me 28 maj 1951 në fshatin Shkrel të Malësisë së Madhe të Shkodrës.Kur ishte në moshën 2 vjeçare, në vitin 1953, babai i tij Kolë Çekaj për t’i shpëtuar dënimit me vdekje arratiset dhe vendoset në Amerikë. Luigj Çekaj kështu, me njollën absurde të prekurit politikisht, do të jetonte nën tmerrin e persekutimit të diktaturës, që shkoi deri në arrestimin e tij. Në vitin 1969 ka kryer me nota të shkëlqyera Gjimazin Jordan Misja, ndërsa në vitin 1975 është përjashtuar nga Filiali i Universitetit Shtetror ku studionte në vitin e tretë të Fakultetit të inxhinierisë mekanike.

Gjithmonë ka patur pasion letersinë por mundësia për të botuar ju dha vetëm pas vendosjes së demokracisë. Në vitet 1991-1993 ai ka kontribuar si redaktor i poezisë në gazetën e pavaruar “Besa” Shkodër. Pas kësaj kohe emigron në Amerikë si emigrant politik. Vendoset në Bronx të New Yorkut, ku gjatë viteve 1994-1998 punon në revistën “Trojet tona” ndërsa në vazhdim në revistën “Jeta katolike”, New York.

Është anëtarësuar në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë që nga themelimi. Ka qenë sekretar i Shoqatës gjatë viteve 2001-2003.

Veprat e botuara:

“Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998.

“Unë vij nga Shkodra”, publicistikë, 2004.

“Nënë, ti hije e kaltër prej loti”, poezi, 2010.

Motivi im më i dashur motivi për Shqipërinë

Shqipëri…

Ja ku dola përsëri te motivi im më i dashur

Me gjakun gati si të ngrirë,

Me zëmrën gati si të plasur

Dhe me një dënesë malli të pazakontë

Që ka për ti fshirë lotët ndoshta nesër.

Shqipëri…

Asgjë në këtë botë veç nënës

Nuk kam dashur më fort se ty

Se ti me frymën tënde…

Më ke shndrruar në qënie ajri

Se t i me duart e tua më ke bërë njeri

Mrekulli që unë i ndiej te shpirti dhe te zëri.

Dhe e di Shqipëri…

Detit Adriatik dhe Jonit tëndë

Ja u kam marrë borxh ngjyrën e syve!

Siç kam njohur nepër mite

Dragonët tu dhe shtojzovallet. . .

Se ti vetë më ke rritur

Midis penelave me pisha të larta

Duke vizatuar në qiell pejsazhet.

Shqipëri. . . atdheu im

Si dhe krenaria ime e vetme

Që edhe kur nuk dua të mburrem me ty

Ti sikur vazhdon të bësh ligjin në Mesdhe!

Ti shkruash mesazhe perlash Evro-Botës

Për të gjitha kryeveprat shqiptare

Ja pikërisht këtu qëndron dhe arti. . .

I dashurisë së një poeti të varfër për Atdhe. . .

***

(Si homazh po sjellim pranë jush esenë e Kozeta Zylos kushtuar poetit brilant Luigj Çekaj)

Poezia e Luigj Çekaj një hartë me metafora plagësh...

...Pasi me ta mbusha sarkofagët, vjeshtat dhe lumenjtë/ Nxorra sytë nga vendi dhe vendosa t'i hedh në det/ Bota nënujore me lashtësinë e shkruar në shtrat/ Me sytë e mi sfidoi thellësinë e ujit të vet...

Marrë nga poezia "Me lotët e popullit tim" fq.102

Kam kohë që lexoj poetin Luigj Çekaj, ish të vuajturin nga diktatura, por jo në kohën e akullt kur dritën mbyllnin nën gur morti...

I lexoj sot nën urën e dhimbjeve të emigrantëve që lëkundet në Oqean midis Shqipërisë dhe Amerikës. Vetëtima zhuritëse e mohimit nën diktaturë nuk mundi dot t'ju zhveshë atyre fisnikërinë si poet dhe njerëz, edhe pse mbi shpinë të tyre rëndon pesha e vuajtjeve dhe e mundimeve si guri i Sifizit.

Ndonëse kanë kaluar 22 vjet nga rënia e diktaturës është e çuditshme se si këtyre poetëve të persekutuar dhe burgosur më parë nuk iu kushtohet vëmendje e merituar anipse poeti Çekaj rilindi në Amerikë...

Poezite e tij të shkruara brenda qelive pus të zi të burgjeve, apo nën një Hënë të përgjakur nga hanxhari i një gardiani, medoemos bëhen si gjoksi i Rozafës së murrrosur që la amanet për të ushqyer fëmijët. Ndryshe çmimdhënësit i lënë poetët siç do të shprehet Çekaj në poezinë "Justinës" Kryet si qyqe shkoj dhe i mbëhtes tek vrasësi im i vjetër. De-pre-si-o-ni.

Ai shkruan me një butësi Bible për nënën e tij të shtrenjtë dhe kjo ndodh shpesh me poetë të kësaj race dhe ja se si:

Kur ti erdhe nga Shqipëria/ Besoja se as vdekjet nuk do të mund të na ndanin më/ si as distancat/ Ndërsa pranë teje kam celuloren me dyqind fotografi/ Një dosje dhimbjesh në ermrin tim/ Që më kujton prangat/ si dhe tre a katër stilokalema...

Këtë lidhje aq të ngushtë nënë e bir e bën dhe më hyjnore poeti bir që qan dhe e puth, dhe dy pikëlzat e lotit të tij varen si rruaza argjendi në qafën e bukur dhe të rrudhosur të nënës halleshumë.

Duke lexuar ndjen se poeti i burgosur i ka shkruar me lotin blu të Hënës vargjet dhe i ka stamposur brenda trupit ku me siguri kishte fshehur fletoren poetike të shpirtit.

Ai i shkruante natën në muret e ftohta të dhomës së burgut ku metafora bëhej zjarri i ngrohtë, ndërsa qerpikët e rënduar nga lodhja bënin roje për të ruajtur legjendat që shkruheshin në libërthin e zemrës.

Libërthi u bë si një dritëz ylli, violinë Apostulli, një legjendë që do të tregohet gjatë... Autori shpesh duket dhe një romantik i kohës plot kulturë dhe mirësi dhe ja si e përshkruan bukurinë e një vajze meksikane: Balli i saj paksa i verdhë, dukej si një shpatullëz hënet/ ku si dy pellgje të kaltër yjesh, i shkëlqenin fort dy sytë/ Ngado që ta shikoje/ dukej se ishte meksikane/ por një meksikane e çuditshme, që sfidonte dhe mrekullitë. Me këto vargje Çekaj të kujton ciganen e bukur të Frederica Garsia Lorkës i cili u frymëzua prej saj dhe ja se si: "O mjellmë e zeshkët që noton në një liqen/ Me lotuse të rritura, me valë të portokallta/ Me karafila të kuq, ku shkulma kundërmon/ Foletë e roitura që ti mban nën flatra/ Martire andaluze, grua e mbetur beronjë/ Ç’janë puthjet e përflakura ti s’e di/ Puthjet e përziera me heshtje të thellë nate/ Dhe me zhurmën e turbullt të ujit që rri".

Pena e tij nxjerrë nga gjoksi nimfat e bukura, perëndeshat e bukurisë që emocionojnë me ndjesi të holla si filigramet e artizanëve të punuara në shekuj aq mjeshtërisht në poezinë "Trëndafilat e Majamit". "Sapo i pashë këta trëndafila m'u kujtuan buzët e tua të kuqe/ Kopshtet erotike të Shkodrës dhe gjethet jeshile të tulipanit/ Tani dhe shpirti im i lodhur belbëzon dalëngadalë emrin"...

E bukura tërheq kudo e për më tepër një poet si Çekaj që prek ylberet përmallimthi në qerpikët e bukur të vashave. Poeti aty ndërton folezën e dashurisë hyjnore, i cili i jep një dritëz të re botës dhe ndez flakën e dashurisë aq të munguar. Poezitë e tij kanë mbirë natyrshëm si një ngushëllim për shpresë, ato janë filiza të një aristokrati të poezise dhe bëhen model qytetarie të një poezie në perfeksion.

Vargjet e tij më duket sikur më sjellin pranë Ana Ahmatovën ku nobelisti Brodcki thotë se rigjeti gjuhen e ligjërimit në universin shurdhmemec.

Në dhuratën me librat e tij që më dërgoi midis të tjerave në dedikim më shkruante se: "Lorka e quan poezinë thjesht si..."Një drer të plagosur", kurse unë vazhdon poeti me një modesti për t'u pasur zili, vjershat e mia dosido do t'i quaja "si një Njeri i plagosur" duke e zëvendësuar me artin e zëvendësimit fjalën dreri me njeri ...

Ashtu si dreri me sy të magjishem dhe vështrim te butë që shetit pranë pemëve dhe ul kokën për të pirë ujë, buzë një pellgu a liqeni të pastër plagoset pafajësisht nga gjahtarët, ashtu më duket dhe poeti, zemra e të cilit u plagos pafajësisht nga gardianët e dhjamosur që zbatonin urdhërat e diktaturës verbërisht.

Diçitura e shkruar me një shkrim të bukur kaligrafik do të ruhet gjatë dhe me krenari në arshivën time personale dhe ndërkohë të kujton poetin tjetër hyjnor Frederik Rreshpjen me poezinë vdekjen e Dedelit të cilit varrin ja bënë në aerodromin e qiellit, ndërsa Zeusin modern e mallkoi. Poezite e Çekajt jane si një far që fshehin shkëndijëza brenda metaforave të tyre me një ngarkese të theksuar emocionale plot gazavaje që prekin thellë zemrat e lexuesve të shumtë.

Shokët e burgut të tij janë dhimbja e madhe e poetit. Një prej poezive kushtuar bashkëvuajtesve është ish të burgosurit politik "Luigj Kabashit" të cilët kanë lindur në një qytet me disidentë të rebeluar si metaforat e Selman Ruzhdiut, ku plagët e viktimave s'ka mundur asnjë pushtet t'i shërojë, mjerisht...

"Me Luigjin, dashtë pa dashtë/ Kam patur një si fat absurd/ Sepse kur Ai shpresonte të dilte jashtë/ Unë trëmbesha se do të hyja në burg"/

Në poezitë e tij ngrihen probleme të mprehta sociale dhe shoqërore që po kalon shoqëria jonë. Kështu hapja e dosjeve me të cilët spekullojnë shumë nga parlamentarët tanë ai shkruan: "Hapeni shtatoren/ o ushtarë që të shoh/ Shkodrën dhe time motër..." Dhe krejt si në historinë e njërës nga ato me telefaks ma dërgoni urgjent "Dosjen". Dhe nxini ku të mundni/ Bëjeni sterrë deri në fund/...Se me "dosjen" time të bardhë, Kam ndërmend të bëj biznes, Në blefsha atje njëqind dollarë, Dy milion këtu do e shes..."

Ato pikojnë dhe trokasin mendueshëm mbi shpirtrat tanë, mbi shpirtrat e lexuesve, por nuk jam e sigurtë, se sa ndihen ndër shpirtra ligjvënësish??

Poezitë e Çekaj janë vatër e prushtë me thëngjij ndezur. Ai bisedon poetikisht me shkrimtarë të shquar i ka ftuar për darkë në tryezën e tij dhe ndjen dhimbje për njerëzit e papërgjegjshëm që gjejnë lloj lloj mënyrash per të hedhur baltë mbi punën e tyre dhe ja se si: "Parmbrëmë, Noli me Konicën qenë për darkë tek unë, Të dy nervoz, sepse i shanin në Internet edhe pas vdekjes!... Kurse Millosh Gjergj Nikolla/ Me një penë të ngulur në gjoks! I tundur më tha: Atdheu im m'u ankua! Tashti duket se s'ka më nevojë për mua!"

Marrë nga poezia "Shpirtrat e Shqiptarëve më duken si Ata të purgatorëve", fq.34.

Poeti ndjen dhimbje gjer në eshtër për përbaltjen që iu bëhet burrave të ndritur të Kombit, apo vuajtjet e tmerrshme që pësoi kjo klasë fisnikësh, ndaj ai lutet duke thënë në poezinë: "Le të jem unë shpirti i fundit/ Që po gërryhem/ Nga tërë ky përrua gjaku/ Sajuar për zhdukjen e popullit tim. Marrë nga poezia "Le të jem unë" fq.25

Duke përfunduar poezitë e Cekaj pashë dhe preka nga afër një hartë me metafora plagësh, ku pena e tij siç dhe shprehet është një lufte poetike, është hartë e dhimbshme plagësh vizatuar me thika hijesh mbi shpinë...

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat