Reagimi ndaj koronavirusit, një shans për të rikthyer madhështinë e Perëndimit

Analiza

Reagimi ndaj koronavirusit, një shans për të rikthyer madhështinë e Perëndimit

Nga: Russell Berman & Nicolas Goetzmann Më: 8 prill 2020 Në ora: 18:26
Foto ilustrim

Shumica e vendeve perëndimore, janë përfshirë aktualisht në një debat politik dhe fajësim reciprok, mbi udhëheqësit që reaguan si duhet ndaj pandemisë, dhe ata që dështuan përballë krizës aktuale. Por si të ashtuquajturit populistë, ashtu edhe globalistët, janë të kërcënuar nga i njëjti virus që erdhi nga Vuhani.

Nga Xhastin Trudo tek Boris Xhonson, virusi ka shkaktuar një kaos, që përbën një sfidë për të gjitha demokracitë liberale dhe ekonomitë e tregut. Megjithatë, ndërsa politikat partiake – siç është normale në një demokraci – bëhet pjesë e debatit politik, nuk duhet të ketë asnjë dyshim mbi fajtorin e vërtetë të kësaj pandemie.

Siç e thotë më të drejtë Pol Miler “Xi Jinping nuk e krijoi virusin, por qeveria e tij është drejtpërsëdrejti përgjegjëse për përhapjen e tij globale, dhe për pasojat e tij të tmerrshme mbi njerëzit dhe ekonomitë në mbarë botën”. Nëse autoritetet në Kinë do të kishin vepruar në mënyrën duhur kur sëmundja u identifikua në fillim – që në mes të nëntorit 2019 – ajo mund të ishte lokalizuar në Hubei, dhe pandemia mund të ishte ndalur, ose të paktën do ishte kufizuar shumë.

Nga ana tjetër, mjeku hero dr.Li Uenliang, u pengua nga regjimi shtypës që t’i japë alarmin botës. Dhe për shkak të dorës së hekurt të Partisë Komuniste Kineze mbi shtetasit e saj, neve

nuk na mbetet tani gjë tjetër veçse të numërojmë të vdekurit:Faleminderit, shoku Xi!

Këtë fatkeqësi e kemi peshqesh prej komunizmit kinez. Nevoja për të mposhtur koronavirusin, është një këmbanë alarmi për t’u përballur me sfidën kineze, dhe kjo gjë do të kërkojë një rishikim të gjerë të aspiratave perëndimore dhe rolit të shteteve-kombe për t’i arritur ato.

A jemi ne aktualisht në lartësinë e detyrës? Fatkeqësisht, G7 nuk arriti të dalë me një deklaratë të përbashkët më 25 mars, për shkak të paaftësisë së saj për t’u dakordësuar me presidentin amerikan Trump mbi emërtimin “virusi i Vuhanit”. Shumë udhëheqës evropianë mbeten ende peng i Kinës, dhe refuzojnë t’i tregojnë asaj gishtin e fajit, pavarësisht viteve të transferimeve të imponuara të teknologjisë, spiunazhit përmes Huaueit, megjithë korruptimin e universiteteve perëndimore, megjithë përndjekjen e ujgurëve, dhe tani pavarësisht koronavirusit.

Përballë vdekjeve të shumta të shkaktuara nga virusi që na erdhi nga Vuhani, tani është koha që Evropa të bashkohet me Uashingtonin për të adresuar problemin më të madh që cilësohet “globalizim”. Problemi quhet kinezifikim i botës:një transferim i programuar i hegjemonisë globale drejt Kinës.

Ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, ndryshojnë në lidhje me gatishmërinë e tyre për t’u përballur me Kinën, dallojnë edhe përgjigjet e tyre ndaj sfidave ekonomike. Institucionet amerikane, kanë vepruar me guxim dhe vendosmëri. Rezerva Federale, ndërmori më 23 mars masën radikale të një lehtësimi gjigant sasior.

Dhe Kongresi miratoi një plan bipartiak prej 2 trilionë dollarësh, për të luftuar krizën e rëndë ekonomike. Edhe në një vend thellësisht të ndarë, përkundër politikës së fajësimit dhe vitit elektoral, demokratët dhe republikanët ishin në gjendje të dakordësoheshin mbi një program të guximshëm, në emër të shqetësimit të tyre të përbashkët mbi interesin e rrezikuar kombëtar.

Kjo krizë, është gjithashtu një mundësi që Perëndimi të rifitojë madhështinë e dikurshme:të mposhtim virusin, dhe të përballemi me Kinën që e dërgoi atë tek ne. Përgjigja evropiane ka qenë më pak drastike. Të paktën në aspektin monetar, Banka Qendrore Evropiane (ECB) e njohu urgjencën e situatës, dhe njoftoi më 18 mars një program stimulimi prej 750 miliardë eurosh. Pas paralizës së krizës financiare të vitit 2008, BQE ka mësuar disa leksione, edhe pse mbetet shumë më e kujdesshme se sa Rezerva Federale në SHBA, çka është një pasqyrim i mandatit të saj më të kufizuar.

Megjithatë në aspektin fiskal, Këshilli Evropian është dëshmuar mjerisht i paaftë për t’i dhënë krizës një përgjigje efektive, edhe pse “Goldman Sachs” parashikon për këtë vit një recesion prej -9 për qind në eurozonë. Italia, Spanja dhe Franca, do të vuajnë pasojat më të rënda.

Por Bashkimi Evropian, për shkak të konservatorizmit fiskal të disa vendeve të Evropës Veriore, ka refuzuar sërish të mbështesë anëtarët e vet, falë strategjisë së tij të përhershme të “pak e nga pak”. Ne duhet të presim që papunësia, sidomos në Evropën Jugore, të rritet ndjeshëm.

Evropianët duhet ta kuptojnë, se nuk duhet të presin shpëtimin nga Bashkimi Evropian, që qartazi nuk mund të krahasohet me paketën stimuluese që nënshkroi më 27 mars presidenti Trump.

Përkundrazi, nëse duan që të frenojnë disi dramën ekonomike që po shpaloset para syve tanë, ata duhet të veprojnë në nivelin e shteteve të tyre të kombëtare. Është kombi, dhe jo BE-ja, mjeti i duhur për ta adresuar këtë krizë ekzistenciale. Indiferenca e holandezëve dhe gjermanëve ndaj krizën ekonomike në Itali nuk është ndonjë gjë e re.

Shtetet evropiane, duhet të harrojnë çdo iluzion se do t’u vijnë në ndihmë institucionet evropiane.

Edhe BQE nuk ka nevojë për “eurobonot” ose “korona-bonot” që të veprojë. Pasi programi i saj i lehtësimit sasior, është krijuar për të blerë borxhet kombëtare.

Franca, Spanja dhe Italia, duhet ta kuptojnë sa nuk është vonë, se dobësia e tyre e vazhdueshme, është një simptomë e menaxhimit të krizave evropiane. Dhe ata nuk kanë luksin të shpërdorojnë një dekadë tjetër. Njohja e rolit të shtetit-komb sovran, nuk është nostalgji për një të kaluar të largët.

Pas Luftës së Dytë Botërore, suksesi i shkëlqyer i Perëndimit u arrit pikërisht përmes bashkëpunimit të shteteve-kombe, dhe jo përmes dobësimit të fuqisë së tyre, apo nënshtrimit të tyre ndaj një burokracie post-nacionale.

Kriza e virusit të Vuhanit, e bën të qartë domosdoshmërinë e shtetit kombëtar, pasi u pa edhe njëherë në mënyrën në mënyrë më të keqe të mundshme cili është në fakt “solidariteti” evropian. Kontrolli i kufijve, strategjia mbi shëndetin publik dhe stimulimi ekonomik, duhet që të adresohen në nivelin kombëtar.

Brukseli vetëm sa do të vonohet dhe në fund do zhgënjejë. Kontrasti me politikat amerikane ndaj kësaj krizë, është shumë i dukshëm. Megjithatë, kriza është ndërkohë një mundësi që Perëndimi të bëhet sërish madhështor si dikur: ta mposhtim virusin, dhe të përballemi me Kinën që e dërgoi atë tek ne.

Dhe arritja e kësaj madhështie kërkon një koordinim midis kombeve perëndimore, brenda Evropës dhe përtej Atlantikut. Është koha të hartohen dhe miratohen programe, që promovojnë me guxim mirëqenien e klasës së mesme, përmes një politike monetare ekspansioniste dhe fiskale. Kjo mund të sjellë në Evropë, atë që presidenti Trump e quajti “bum të jakave blu”, përmes programeve investuese dhe punësimit të plotë.

Kjo është e kundërta e globalizmit, që eksportoi prosperitet dhe vende pune drejt Kinës. Përkundrazi, ne duhet të shkëpusim zinxhirët tanë të furnizimit, nga varësia që kemi aktualisht nga një diktaturë komuniste, të ndjekim politika të brendshme, që inkurajojnë rritjen ekonomike nga e cila përfiton e gjithë shoqëria, dhe të pranojmë se është forca e shteteve tona kombëtare, ajo që do t’i japë mundësi secilit vend, dhe Perëndimit në tërësi, që të bëhet sërish madhështor si dikur. Kapitullimi ndaj Kinës, nuk është aspak një opsion. / “Fox News” – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat