Kush është “Donald Trumpi” i Gjermanisë, që mund ta pasojë Merkelin në detyrë

Analiza

Kush është “Donald Trumpi” i Gjermanisë, që mund ta pasojë Merkelin në detyrë

Nga: Matthew Karnitschnig Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 18:12
Fridrih Merc

Një i moshuar me një karakter luftarak, që flet me të njëjtën ashpërsi si mbi homoseksualët ashtu edhe pedofilët, që i cilëson si humbje kohe debatet mbi barazinë gjinore, dhe që nuk e honeps fare Angela Merkel. Ky është Fridrih Merc, që po përpiqet të bëhet kancelari i ardhshëm i Gjermanisë.

Dhe habi më e madhe, është se ai e ka një shans për të pasur sukses. Një yll në rritje të shpejtë në rradhët e demokristianëve si një i mbrojtur nga figura më e njohur konservatore në parti Volfgang Shojble, Merz dështoi në vitin 2002 të bënte një hap të madh në karrierë, kur Merkel, asokohe udhëheqësie e partisë, nuk lejoi që ai të merrte kontrollin e grupit parlamentar të CDU-së.

Merc, 65-vjeç, një avokat i korporatave të mëdha, e ka kaluar shumicën e 20 viteve të fundit duke pasur një jetë komode, teksa ishte pjesë e bordeve të shumë kompanive, gjë që i ka dhënë mundësi të vërë mënjane një farë pasurie.

Gjithsesi, ai mbeti një figurë e dashur në krahut të djathtë të CDU, edhe pse nuk pati asnjëherë marrëdhënie të afërta me Merkelin. Shumë konservatorë, e akuzojnë kancelaren për shkeljen e parimeve bazike të partisë, duke e spostuar CDU-në shumë në të majtë, sidomos për çështje të tilla si emigracioni dhe politikat sociale.

Ata argumentojnë se ishin politikat e Merkelit, ato që lejuan ngritjen e Alternativës për Gjermaninë të ekstremit të djathtë, që është bërë partia më e madhe opozitare në vend.

Kur Merkel dha dorëheqjen si udhëheqëse e partisë në vitin 2018, Merc – të cilin gjermanët më të moshuar e mbanin mend si një konservator të thekur në fushën e politikave ekonomike, dhe mbrojtës të vlerave tradicionale, u shfaq befas në garën për ta pasuar atë.

Ai i mohoi akuzat se donte të hakmerrej ndaj Merkel, dhe këmbënguli se motivi i tij i vetëm ishte shërbimi publik. Në atë kohë, Gjermania po përballej ende me pasojat e krizës së refugjatëve, CDU sapo kishte pësuar një varg humbjesh të vogla elektorale, ndërsa popullariteti i Merkel ishte në rënie.

Merc arriti të shfrytëzonte situatën, dhe për pak sa nuk e mposhti Anegret Kramp-Karrenbauer, kandidaten e përzgjedhur të Merkel, për ta pasuar atë në detyrën si kancelare, por edhe si udhëheqëse e CDU. Gjithsesi fund, Kramp-Karrenbauer fitoi mbështetjen e kongresit të partisë, duke entuziazmuar delegatët me një fjalim pasionant.

Dy vjet më vonë, pas vendimit të befasishëm të Kramp-Karrenbauer për t’u hequr dorë nga aspiratat e saj për ta pasuar Merkelin si kancelare, Merc është rikthye sërish në skenë. Këtë herë, ai përballet me të përzgjedhurin e ri të Merkel, Armin Lashet, kryeministrin e landit Nordhein-Vestfalen dhe Norbert Rëtgen, kryetarin e komitetit të marrëdhënieve të jashtme në Bundestagun gjerman.

Delegatët e CDU-ë pritet të zgjedhin në janar si udhëheqës njërin nga tre kandidatët. Fituesi do të bëhet kandidati i supozuar i partisë për kancelar, dhe duke supozuar se CDU-ja dhe partia e saj motër bavareze, CSU do të ruajnë pozitat e tyre elektorale, edhe kancelari i ardhshëm i Gjermanisë.

Por nëse historia e kohëve të fundit e CDU-së na ka mësuar diçka, trashëgimia nuk ka gjasa që të ndodhë normalisht. Kjo kryesisht për shkak të Merc, që duke e imituar Trumpin në SHBA, ka lënë të kuptohet se establishmenti brenda partisë, po komploton për të sabotuar garën e tij.

“Por kjo gjë nuk do të funksionojë”- u tha ai armiqve të tij të supozuar në një intervistë televizive  muajin e kaluar, duke iu referuar vetes në vetën e tretë. “Ju nuk do ta shkatërroni Merc apo ta lodhni atë. Ai do të qëndrojë në këmbë!”-shtoi ai. Merc e kundërshtoi planin e udhëheqjes së CDU për të vonuar procesin, një hap që partia tha se ishte e detyruar të ndërmerrte për shkak të pandemisë.

Arsyeja është e ai po kryeson në sondazhe, duke qenë shumë përpara 2 rivalëve të tij. Në një sondazh të botuar nga “Der Spiegel”, Merc udhëheq me 26 për qind, pasuar nga Rëtgen dhe Lashet me respektivisht 10.6 për qind dhe 8.1 për qind. Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Shpan, që nuk është edhe zyrtarisht në garë, u rendit i dyti me 23 për qind.

Më shumë se 20 për qind e të anketuarve, thanë se do të preferonin një kandidat tjetër. Por pavarësisht nga të dhënat e sondazhit, opinioni publik mund të mos ketë shumë ndikim mbi rezultatin përfundimtar. Kjo pasi ato që kanë rëndësi janë votat e hedhura nga 1.001 delegatët e konventës, një grup i përbërë nga funksionarët e CDU-së nga të 16 landet e Gjermanisë.

Kontingjenti më i madh vjen nga landi Nordhein-Vestfalen. Për këtë arsye, shumë analistë mendojnë se kjo do t’i japë avantazh Lashet, udhëheqësit të këtij landi. Dhe ndërsa Merc është popullor nga pjesa me e djathtë e CDU, ai ka arsye të jetë mosbesues ndaj mbështetjes që gëzon në popullatën e gjerë, e cila nuk ka treguar asnjë prirje për të braktisur kursin e qendrës të ndjekur nga Merkel.

Në këto kushte, dhe meqë vota është e fshehtë, dhe do të ketë një balotazh, parashikimi i fituesit është i pamundur. Edhe pse është kryesisht një produkt i establishmentit politik gjerman, strategjia e Merc ka qenë ta shpërfaqë veten si një njeri i jashtëm, i gatshëm t’i thotë të vërtetat  pakëndshme udhëheqjes së partisë.

Në një nga shkrimet e tij të fundit, Merc e pranoi ndikimin pozitiv të Merkelit në rrethana të vështira, por sugjeroi që politikat e saj “e shtuan rrezikun” e shkaktimit të krizave të reja. Garimi kundër establishmentit kishte kuptim 2 vjet më parë, kur Merkel ishte në pikën më të ulët të popullaritetit dhe CDU-ja po e kritikonte menaxhimin e saj të krizës së refugjatëve.

Por tani mund të ketë më pak kuptim. Merkel është politikania më popullore në Gjermani, me një pëlqyeshmëri prej mbi 70 për qind. Edhe CDU-ja ka “ri-zbuluar” dashurinë e saj për të.

Kjo gjë sugjeron se që partia ka më shumë të ngjarë të zgjedhë një figurë si Lashet, sesa një përçarës si Merc.

Disa zyrtarë në CDU, druhen se një fitore e Merc do ta përçante thellë partinë. Të tjerë shqetësohen se qëndrimet e tij konservatore, do të distancojnë votuesit e qendrës që Merkel i tërhoqi në parti vitet e fundit, dhe do të rrezikonte një koalicion me të Gjelbrit, të cilin shumica e analistëve politikë në Berlin e shohin si rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve parlamentare të vjeshtës së ardhshme.

A duhet që Merc të udhëheqë vendin më të madh të Evropës? Disa prej atyre që kanë punuar me të nga afër, kanë dyshimet e tyre. Ata e përshkruajnë atë si të kundërtën e një lojtari ekipi, dhe të papërshtatshëm për botën e drejtuar nga konsensusi i një koalicioni qeveritar. “Ai kërkon të marrë vetë çdo vendim”- thotë një nga ish-bashkëpunëtorët e Merc, duke shtuar se ai ka tendencën të injorojë këshillat.

Megjithatë, pas 20 vjetësh qeverisjeje në stilin merkelian të drejtuar nga konsensusi, shumë njerëz në CDU e dëshirojnë qasjen e fuqishme të Merc. Pyetja e vetme është nëse Gjermania është e përgatitur të përballet me pasojat.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat