SHBA-ja e Joe Biden duhet të veprojë si një udhëheqëse e re, jo si një udhëheqëse e rikthyer

Analiza

SHBA-ja e Joe Biden duhet të veprojë si një udhëheqëse e re, jo si një udhëheqëse e rikthyer

Nga: Anne-Marie Slaughter Më: 25 janar 2021 Në ora: 19:57
Joe Biden

Pesë fjali. Kjo është gjithçka që Joe Biden i kushtoi politikës së jashtme në fjalimin e tij 21- minutësh gjatë cermonisë së përurimit në mesin e kësaj jave. Për më tepër, njëra prej tyre, e huazuar nga Barak Obama dhe duke evokuar Thomas Jefferson, ishte:“Ne nuk do të udhëheqim thjesht nga shembulli i forcës sonë, por nga forca e shembullit tonë”, gjë që do të thotë rregullim i gjërave në shtëpi.

Dhe kjo erdhi nga një president i ri amerikan që ka udhëtuar nëpër botë, që ka drejtuar Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, dhe është emri i parë që u vjen ndërmend shumë udhëheqësve të botës. Ai përdori me të drejtë një qasje të ekuilibuar.

Tek e fundit, fuqia dhe ndikimi i SHBA-së jashtë vendit do të varet nga aftësia e tij për të bërë bashkë kombin; për të riparuar infrastrukturën e tij, sistemet shëndetësore dhe arsimore; për të rivendosur besimin e publikut te demokracia; dhe për të mbyllur hendeqet gërryese të racës dhe klasës.

Duke pasur parasysh këto sfida, çështja është se ku duhet t`a përqendrojnë kohën dhe vëmendjen e tyre të kufizuar Biden dhe ekipi i tij me përvojë i politikës së jashtme. Hapi i parë, siç e pranoi edhe vetë Biden është “të ripërtërijmë aleancat tona, dhe të angazhohemi sërish me botën”.

Ai filloi t`a përmbushë këtë premtim përmes nënshkrimit të një morie urdhrash ekzekutivë:duke iu bashkuar Marrëveshjes së Klimës së Parisit dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhe duke kërkuar një zgjatje 5-vjeçare të një traktati të rëndësishëm të kontrollit të armëve mes SHBA-së dhe Rusisë.

Gjithashtu, në ditët në vijim Biden do të duhet të kryejë telefonata me shumë krerë shtetesh dhe qeverish, duke pohuar se Amerikës mund t’i besohet edhe një herë si një aleate dhe partnere e besueshme. Por në përgjithësi, SHBA-ja duhet më shumë të dëgjojë sesa të flasë.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken, do të ndërmarrë me siguri një turne global sigurie. Por ai duhet të veprojë sikur Amerika të jetë një udhëheqëse e re e botës,dhe jo si një udhëheqëse e rikthyer në këtë detyrë. Siç vuri në dukje Nicholas Stern në nëntor “Nuk është se SHBA-ja është një udhëheqëse botërore që bëri 4 vite pushim, dhe tani po rikthehet. Bota ka ecur përpara. Bota e re është ajo që ka në qendër të skenës SHBA-në, Kinën, BE-në dhe Indinë”.

Ekipi i Biden duhet t`a mendojë mirë se si duhet të udhëheqë në këtë botë,duke ia nisur nga supozimi se SHBA nuk është më një fuqi e domosdoshme. Lëvizja e tyre më e mirë do të ishte rikthimi tek aleanca e ngushtë me Bashkimin Evropian.

Një nga kontributet më të mëdha që mund të japë Amerika për paqen dhe prosperitetin global, është të ndalojë së menduari për Evropën si 27 kryeqytete të ndara, dhenë vend të kësaj të punojë me Brukselin drejt një koalicioni të vërtetë transatlantik, që do të përfshinte gati 800 milion njerëz; rreth një e treta e ekonomisë globale; një rrjet të gjerë diplomatik dhe kulturor; dhe një grup vlerash të përbashkëta.

Biden duhet të lëvizë me shpejtësi, për t`a pranuar propozimin e presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von der Lejen për “një axhendë të re transatlantike”. Kina sapo ka nënshkruar një marrëveshje tregtare me BE-në. Ndërsa një sondazh i kryer së fundmi nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, tregon se shumica e qytetarëve në të 11 vendet evropiane, parashikojnë se Kina “do të jetë ndoshta një fuqi edhe më e fortë se SHBA-ja brenda 10 viteve”.

Zoti Biden duhet të përshpejtojë negociatat për një marrëveshje SHBA-BE, e cila duhet të mbulojë jo vetëm çështjet e tregtisë dhe investimeve, por edhe bashkëpunimin e thellë për një ekonomi me miqësore me mjedisin, një angazhim të përbashkët ndaj drejtësisë raciale dhe gjinore, dhe një kornizë të përbashkët për qeverisjen e botës dixhitale.

Shumë vende, të udhëhequra nga Kina dhe Rusia, po shpallin sovranitetin e tyre dixhital, duke krijuar një internet të ndarë. Në rast se SHBA dhe BE do të mund të bien dakord mbi rregullat dhe normat e përbashkëta për një internet të hapur dhe të sigurt që mbron të drejtat dixhitale, ato do të hedhin bazat për një rend të ri të shekullit XXI.

Së fundmi, Biden duhet t’i japë përparësi më shumë çështjeve globale sesa konkurrencës mes fuqive të mëdha. Kongresi dhe disa nga këshilltarët e tij, janë të përqendruar natyrshëm në vende dhe rajone të caktuara. Por theksi i Biden tek çështjet e klimës dhe shëndetit të popullatës amerikane për shkak të Covid-9, çështjet ku ai kërkon zgjidhje që mund të fuqizojnë gjithashtu një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme, duhet të orientojnë gjithashtu edhe politikën e tij të jashtme.

Diplomacia globale shëndetësore, është po aq e rëndësishme për të luftuar pandeminë aktuale. Ndërsa virusi që shkakton Covid-19 po pëson ndryshime, vetëm strategjitë kombëtare të vaksinave nuk do të funksionojnë. Nëse vendet në zhvillim qëndrojnë të mbyllura ose në kolaps ekonomik, ekonomia globale nuk mund të rimëkëmbet dot.

Për më tepër, diplomacia shëndetësore do t’i përparojë më shpejt interesat e SHBA-së në krahasim me rivalët e saj:fondi i veçantë që dha dikur George W. Bush për të luftuar pandeminë e HIV-AIDS e rriti më shumë reputacionin e Amerikës në Afrikë, sesa shumë përpjekje të drejtpërdrejta për t`a luftuar ndikimin kinez në këtë kontinent.

Nëse historia është një farë udhëzuesi, pavarësisht nga përparësitë që vendos Biden, bota do ketë vazhdimisht sfida. Koreja e Veriut mund të lëshojë një raketë; Vladimir Putin mund të krijojë një krizë të re për t’i shpërqendruar rusët nga lëvizja anti-korrupsion e Alexei Navalny; Kina mund të forcojë shtypjen e saj mbi Hong Kongun.

Lindja e Mesme është ende plot surpriza, dhe Venezuela po bëhet një shtet i dështuar. Kur të vijnë këto kriza, Joe Biden duhet t’u përgjigjet me forcë dhe kompetencë. Sidoqoftë, në përcaktimin e kursit të tij, ai duhet të zgjedhë edhe mjetet që do të përdorë. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat