Një VKM hileqar i Edi Ramës ndaj Kosovës

Analiza

Një VKM hileqar i Edi Ramës ndaj Kosovës

Nga: Xhevat Mustafa Më: 20 shtator 2021 Në ora: 09:15
Xhevat Mustafa

Duke ia rrëmbyer këto dy kampione olimpike, njëherazi i digjet mundësia Kosovës të përfaqësohet në të ardhmen në podiumin e nderit e të fituesve, të nderohet dhe identifikohet nga fitoret e këtyre vajzave edhe si shtet i pavarur...dhe sovran, që konkurron denjësisht edhe në fushat e sporteve. Kujt i intereson dhe shërben kjo???

Lidhur me VKM për punësimin në Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë të xhudisteve fituese të medialjeve të arta në Olimpiadën Verore të Tokios, 2021, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, siç thuhet në komunikatën zyrtare nga Kryeministria e Shqipërisë, "sipas dëshirës së tyre", po shpreh këtë opinion kundërshtues. Dëshiroj të shprehem qysh në fillim. Si shtetas dhe qytetar i Shqipërisë, kam dashur dhe dëshiroj shumë që këto dy sportiste të talentuara, pra, Distria dhe Nora, të përfaqësonin dhe nderonin Shqipërinë, në Olimpiadën Verore të Tokios, në korrik 2021 dhe në veprimtari ndërkombëtare sportive në të ardhmen. Por, edhe kur fituan medalet e arta, kur në nder të tyre u ngrit flamuri dhe u ekzekutua hymni shtetëror i Kosovës, kur prej tyre u nderua Kosova, u gëzova së tepërmi, natyrshëm, sepse jemi një KOMB. Ndërsa si gazetar, si analist politik dhe si ish diplomat i Shqipërisë në Kosovë, duke e parë problemin përtej aspektit sportiv, edhe në planin politik, gjeostrategjik, sidomos të lidhur edhe me “maskaradën e bisedimeve të pafundme Kosovë –Serbi” dhe me “fantazmën apo gorillën rajonale, Open Balkan”, nuk mund ta pranoj dhe mbështes. Duke mos harruar se shit-blerja e sportistëve është një tregti dhe praktikë e moçme dhe se ekipi kombëtar i futbollit i Shqipërisë ka pasur dhe ka plot futbollistë nga Kosova, përsëri për këtë rast konkret, subjektivisht, jam vendosmërisht kundër. Kundërshtimi im nxitet dhe mbështetet në argumente faktike e logjike e jo nga “mungesa e tifozllëkut të sëmurë” ndaj gjasme “Rilindjes” e nga alergjia partiake apo politike ndaj Edi Ramës, personalisht dhe institucionalisht. Ndërsa Edi Rama, në rastin në fjalë, mund t’i dojë këto dy vajza kampione vetëm për medaljet, imazhin dhe famën ndërkombëtare, që mund t’u japin, unë, si pjesë e shumicës së shqiptarëve në Shqipëri, as e çojmë ndërmend këtë llogari dhe këtë lloj dashurie! Në të kundërt, i duam më shumë për Kosovën se sa për medaljet.

Nga sa jam informuar nga miq të mi në Pejë dhe Prishtinë ato janë vajza të pjekura dhe inteligjente. E marrin me mend nga "fitoret" e ekipit olimpik shqiptar në Tokio dhe nga sa u kanë rrëfyer shoqet dhe shokët nga Shqipëria për trajtimin minimal të tyre në Tiranë se çfarë kushtesh për stërvitje, çfarë niveli trajtimi dhe "perspektive" i presin në Shqipëri! Gjithashtu, besoj se qeveria e Kosovës, vetë Albin Kurti, duke ua kapur me të drejtë tek fakti se parapërgatitjet dhe paraqitjet e tyre në garat ndërkombëtare janë financuar nga taksapaguesit kosovarë, nuk do t'i lejojë të bëhen "ushtare" apo "police" të Edi Ramës dhe Niko Peleshit! Në Kosovë ato kanë kushte stërvitjeje dhe trajtimi të mira, të krahasueshme jo vetëm me ato të vendeve të rajonit, por edhe më gjerë, me shumë gjasa, edhe më të mira se në Tiranë...Me siguri do t'u përmirësohen shpejt dhe vazhdimisht! Prandaj, i këshilloj që VKM - në e Ramës ta lexojnë sa për të ditur se çfarë shkruhet. Apo, thjeshtë sa për formalitet dhe respekt për vendin nga vjen. Pastaj, me bindje të plotë për të mos rënë viktimë e “karremit të tij të premtimeve për kushte optimale dhe paga speciale”, ta hedhin në koshin e plehrave!!!

Njëherazi, shumëkush nga shqiptarët, në Kosove dhe Shqipëri, mund të mendojë dhe shprehë edhe pyetjen: përse nuk mendohet dhe zbatohet një praktikë tjetër, e njohur dhe aplikuar në botë? E kam fjalën për alternativën që në olimpiada dhe kampionate europiane dhe botërore Shqipëria dhe Kosova të paraqiten me ekipe të përbashkëta. Ky do të ishte një sfidim i OKB, BE, federatave ndërkombëtare të sporteve...dhe një akt konkret drejt bashkimit të gjithanshëm apo të plotë kombëtar!!! Por, natyrshëm shpërthen pyetja: a e duan si me një zemër dhe mendje, me bindje dhe sinqeritet të plotë këtë bashkim të gjithë politikanët dhe pushtetarët në Tiranë dhe në Prishtinë??? Duke ia rrëmbyer këto dy xhudiste, kampione olimpike, njëherazi i digjet mundësia Kosovës të përfaqësohet në të ardhmen në podiumin e nderit e të fituesve, të nderohet dhe identifikohet nga fitoret e këtyre vajzave edhe si shtet i pavarur...dhe sovran, që konkurron denjësisht edhe në fushat e sporteve. Kujt i intereson dhe shërben kjo???

Për të shmangur dëmtimin politik dhe afirmativ të shtetit të Kosovës, pikërisht në këtë kohë kur Kosova ka shumë nevojë e dobi nga emrat dhe medaljet e tyre, për këto dy sportiste, mund të shikohet edhe mundësia e punësimit në Ushtrinë dhe Policinë e Kosovës. Nëse kjo është e pamundur(çka më duket jo e tillë) dhe Distria dhe Nora kanë interes pragmatist, punësimi, financiar... të pranojnë këtë VKM nga Tirana, atëherë do të ishte e këshillueshme që ato dhe qeveria e Kosovës të vënë kushtin e vazhdimit të përfaqësimit të ekipeve olimpike dhe të formateve të tjera, të REPUBLIKËS së KOSOVËS! Sipas gjykimit tim, kjo do të ishte zgjedhja dhe zgjidhja më e mirë, për Distrian e Norën dhe për Kosovën!

Miku im i vjetër, si kohë, biznesmeni, publicisti dhe botuesi prestigjioz, me origjinë nga Peja e me banim në Zvicër, Xhevdet Mazrekaj, më shkroi në facebook, më 27.07.2021, për suksesin e këtyre dy vajzave pejane: “Këtu (në suksesin e Distrias dhe Norës) besoj se përveç natyrës ka ndikuar edhe trajneri Driton Kuka, që është i së njëjtës lagje. Si një xhudist i suksesshëm, ai ka ditur që ta nxisë tek vajzat shpirtin garues dhe t’u falë të gjitha aftësitë fizike, sportive, teknike..., sot janë ato pa konkurrencë dhe na bëjnë krenarë kudo!”

Meqenësë jemi të një mendjeje apo në një linjë interpretimi të kësaj VKM-je e të këtij akti, dëshiroj të citoj një fragment nga komenti i gazetarit kurajoz Bledian Koka, në facebook, më 18.09.2021.

“Edi Rama është një njeri që të vjedh ëndrrën. Po, po ëndrrën. Ti e shikon natën, Edi Rama e merr vesh dhe të nesërmen del dhe proklamon si ëndërr që e ka parë ai. Kështu po ndodh edhe me dy medalistet shqiptare të Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Kelmendi. Sepse idenë për të ngritur një strukturë konkrete sportive të koordinuar, të përbashkët, me Kosovën gjallë e në botë, s’e mendon apo çon ndërmend. Edi Rama po mundohet të vjedhë apo blejë me premtime marramendëse ëndrrën, që kanë realizuar këto kohë qeveritë në Kosovë, të cilat për 14 vjet, bënë atë që nuk e ka bërë Shqipëria në 109 vjet. Prandaj Edi Rama sot bëri atë që di të bëjë më mirë. Të vjedhë ëndrrën për të cilën Nora, Distria dhe Kosova kanë derdhur djersë e para. Ai, i dehur nga avujt e fitores pa lavdi..., i mori ato dy vajza e sportiste të talentuara dhe i bëri "ushtare" të vilajetit të Surrelit, me fermanet e zakonshme...sulltanore...!”

Po e mbyll këtë shkrim me statusin pak radhësh, por shumë shprehës në tekst e nëntekst të publicistit dhe studiuesit të mirënjohur në mbarë Botën Shqiptare dhe përtej saj, Enver Bytyçi, përcjellë dje, më 19 shtator, po në facebook: “Eeeee, o Driton Kuka! Kur ta kuptosh ti hilen e Edi Ramës, do ketë marrë fund gjithçka!

Nora e Dustria do të shpallin se përfaqësojnë Shqipërinë e do kenë tradhtuar Kosovën! Nuk duron Edi Rama famën e Kosovës! Rama dhe Vuçiç tmerrohen nga suksesi i Kosovës!

Pas vilës Dua Lipës do i japin pasaportë shqiptare dhe do paguajnë që ta quajnë këngëtare nga Shqipëria! Qëllimi është që emrin Kosovë ta zëvendësojnë me emrin Kosovo-Metohi!”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat