"Fryte të bollshme” të "Open Balkan" dhe qeverisë Rama 3!

Analiza

"Fryte të bollshme” të "Open Balkan" dhe qeverisë Rama 3!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 23 shtator 2021 Në ora: 08:10
Xhevat Mustafa

”..çmimet e bukës e të drithërave në Shqipëri, më 2020, ishin sa 70% e mesatares së Bashkimit Europian. Por, e matur sipas metodës së fuqisë blerëse..., shqiptarëve u kushton blerja e bukës 87 herë më shtrenjtë se një europiani.”

1 shtator 2021, çmimet e bukës me miell serbo- ukrainaso- rus, si dhe të mishrave, sallamrave, djathrave, gjalpit, vajrave, biskotave, makaronave, ilaçeve, frutave, zarzavateve, kafesë, kakaos, akulloreve, ëmbëlsirave, arrave, bajameve, kikirikave, lajthijave, fistikëve,...,u rritën sa deshën oligarkët e shumicës dhe pronarët e mesëm e të vegjël, pa u rritur nga qeveria Rama 2-3, asnjë lek pagat dhe pensionet! Kështu, Shqipëria, një nga shtetet më të varfra të Europës, renditet si vendi, ku banorët e saj shpenzojnë më shumë për bukë dhe drithëra në raport me të ardhurat e tyre mujore e vjetore. Sipas tabelave të publikuara nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat), publikuar në mediat tona “Monitor”, “Koha Jonë”, “Telegraf”...më 8 shtator 2021, shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB- që mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një vit) ishin 4.8%, në vitin 2020, më të lartat në Europë, sa 70% e mesatares së Bashkimit Europian. Por, sipas metodës së fuqisë blerëse (ku mesatarja e Bashkimit Europian merret si referencë me 1), shqiptarëve u kushton buka 87 herë më shtrenjtë se një europiani.

Sipas Autoritetit të Konkurencës, shprehur edhe në revistën “Monitor”, rritja e çmimit të bukës, është një lojë e fshehtë që bëhet nga ana e tregtarëve. Të kapur tek rritja me 5 lekë për 1 kg e miellit nga firmat sllave nga e blejnë, ata nxituan të rrisin me 10-20 lekë çmimin e bukëve, duke dëmtuar drejpërdejtë sidomos shtresat në nevojë, xhepat dhe koston e jetesës së një masë të madhe pensionistësh me pensione mujore minimale në rreth 15.000-20.000 lekë. Pandjeshmëria e tyre njerëzore e sociale nuk mbetet me kaq. Njëherazi, kanë ulur peshën e bukës masive. Sipas detyrimeve 1 bukë masive, që duhet të jetë me peshë 800-1.000 gr., nëse u kujtohet njerëzve të AKU-së që t’i peshojnë, do të “befasohen” kur t’u dalë 700 gr dhe 600 gr. Nëse këta do të kujtohen të bëjnë edhe kontroll cilësor buka do t’u dalë e fryrë edhe me maja, sodë dhe më përbërës të tjerë. Po kështu ndodh edhe me simitet dhe llojet e tjera të bukëve, të cilat gjithashtu janë rritur në çmime, por ose kanë mbetur me të njejtën peshë, ose, në plot furra buke, janë ulur në peshë, duke u shitur edhe më shtrenjt se në Gjermani e në disa vende të tjera të Perëndimit. Ndërsa me vende të tjerë të Ballkanit është e kotë të bësh krahasime.

Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 220 euro në vit, më të lartat në rajon, së bashku me Malin e Zi (216 euro). Nivelin më të ulët në rajon e ka Maqedonia (157 euro) e më pas Serbia (164 euro).Shqipëria është shteti që ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me totalin, për shpenzime më pak bazike e deri të ato që nuk janë të domosdoshme, si psh argëtimi, turizmi....Të ardhurat mesatare për frymë të shqiptarëve janë sa 31% e mesatarës së Bashkimit Europian, më e ulëta në Europë (pas nesh Bosnja-Hercegovina me rreth 32%) Shumica e popullit të thjeshtë, me të ardhura minimale, që e përjetojnë prej 8 vitesh rritjen e pafre të kostos së jetesës, si rrjedhojë e rritjes të çmendur të çmimeve, taksave dhe të korrupsionit, mund të mos kenë nevojë për fakte. Por, nuk janë të paktë ata enveristo-rilindas, shumica të punësuar në sektorë shtetërorë e me biznese familjare, që vetë dhe me soi e sorrollop jetojnë mes bollëkut dhe qejfeve nëpër Shqipëri e duke bërë pushime e turizëm nëpër botë, që duan fakte edhe për format e panumurta të varfërisë, edhe pse i shikojnë fare mirë me sy tek komshinjtë, kushërinjtë, shokët, miqt...Po ua jap një fakt, që është 100% i vërtetë. Para pak ditësh, në Durrës, në një familje të afërt me mua për nga lidhjet familjare, një grua, A.M, me pension rreth 8.500 leke dhe i shoqi, me pension rreth 24.000 lekë dhe me fatura për drita, ujë, internet... në rreth 10.000 lekë në muaj, u prekën nga Covid 19.

Gruaja më rëndë e burri më lehtë. Për gruan mjekja rekomandoi antibiotikë, që i blenë me para borxh me faturë rreth 12.500 lekë dhe hollues gjaku(Roteas) me vlerë rreth 8.500 lekë. Në gjendjen dhe me hallet e përditshme të mbijetesës së këtij çifti pensionistësh janë rreth 35-40 % e familjeve. Paradoksalisht apo shqiptarisht, shumica e qytetarëve, ulur në karriget e kafeneve, të qebabtoreve, në divane para ekraneve, duke ndjekur serialet turq, Osmanin(Ertogryl), Nehir, Pafajësia..., seriale mbushur ose me dhunë e gjak, ose me intriga mes vjehrrave dhe nuseve, dashnoreve dhe nuseve; kunetërve dhe baxhanakëve; ndeshje futbolli nga kampionatet e vendeve perendimore; përrallat e reja të Edi Ramës; sherrnajën e investuar nga Soros e Rama, mes Berishës dhe Bashës..., nuk shprehin shqetësim e jo më revoltim për këto rritje abuzive e të pamëshirshme, edhe të bukës së përditshme të gojës, siç po bëjnë edhe këto ditë shumica e popujve të qytetëruar, të emancipuar dhe demokratizuar në Botën Perëndimore kundrër detyrimit për vaksinim anti covid 19!!!??? Edhe pse u janë prekur buka e gojës, lekët e paktë të kuletave dhe të xhepave, shumica e qytetarëve shqiptarë “harrojnë”se kanë të drejtë ligjorë e njerëzore të bashkohen e të protestojnë vetëm para kryeministrisë, sepse në qeverinë Rama 3, për nga emërtimet nuk kuptohet se cila ministri, ministre apo ministër, mund të merret me mbrojtjen e të drejtave jetike të përditshme të popullit. Nuk mund të shkojnë të ankohen edhe tek PD-ja dhe partitë aleate të saj, si opozitë.

Pikërisht në këto ditë kritike, kur duhej t’u dilte në krye shumicës së qytetarëve dhe të sulmonte qeverinë Rama 3 për masakrën elektorale, për përbërjen, gjasme programin dhe për tufën me premtime mashtruese, PD-ja po e ndihmon qeverinë, me sherrnajën e stisur në gjirin e vet mes Bashës dhe Berishës, me “konkursin” se cili është antiamerikan dhe cili filoamerikan i flaktë, se cili është demokrat i sinqertë dhe cili sorosian i hapur apo fshehtë... Ndërsa Shqipëria përjeton këtë rritje të re të çmimeve, "dhuratë bujare" nga “Open Balkan” dhe nga qeveria Rama 3, Kosova përmbytet nga një "tcunam" prodhimesh serbe... Qeveria “Kurti” ka refuzuar deri më tani nismën e “Ballkanit të Hapur” me argumentin se ajo dëmton interesat e Kosovës në raport me Serbinë edhe në fushën ekonomike, ku një peshë kryesore e zë shkëmbimi i mallrave dhe produkteve. Por të dhënat zyrtare të agjencisë së statistikave dhe doganave të Kosovës, tregojnë se nën hundën e qeverive Hoti e Kurti, Serbia tashmë e ka pushtuar serish tregun kosovar me mallra dhe produktet e saja.

Gjatë periudhës 1 janar -30 qershor 2021, Serbia ka volumin më të madh të importeve në Kosovë, krahasuar kjo me të gjitha vendet e Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë. Kjo i ka detyruar qytetarët dhe bizneset nga Kosova të blejnë më shumë mallra serbe, për të cilat nuk mund të jenë të pabaza dyshimet për cilësinë dhe dëmshmërinë, kur dihet se është traditë e moçme se në Serbi prodhohen dhe eksportohen plot mallëra vetëm për “shiftarë”, pa përjashtuar edhe nga magazinat e mbushura me grurë, misër, elb, tërshërë për bagëti....Pas një rënieje të fortë në vitin 2019, kur Kosova zbatoi reciprocitetin, bllokimin e importeve me Serbinë, në periudhën janar-qershor 2021, Serbia kaloi sërish në vend të parë nga rajoni i CEFTA-s, një union për bashkëpunimin rajonal, ekonomiko-tregtar, që, siç dihet prej rreth 15 vjetësh përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut,Bosnjë-Hercegovinën. Për nga koha e krijimit, harta e përfshirjes dhe për nga veprimtaria e deritanishme, CEFTA e bën të tepërt e të panevojshëm Open Balkanin e Vuçiçit, Ramës e të Zajevit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Serbia renditet e para nga shtetet me importin më të lartë me 6.4%, për 6- mujorin e pare 2021, kurse Shqipëria renditet e dyta me 5.6% dhe Maqedonia e Veriut e treta me 5.2%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë importet serbe u rritën me 143%, ato nga Shqipëria me 61%, nga Maqedonia e Veriut me 26%. Mendohuni, bëjini mirë llogaritë dhe parapërgatituni qysh tani për reflektim dhe kundërvënie, vëllezër e motra nga Shqipëria e Kosova, kur “Open Balkan”(MiniShengeni Ballkanik ose Serbia e re e madhe) sapo ka nisur!!! Po kur të zgjerohet e forcohet, siç dëshirojnë marrëzisht Vuçiç, Rama, Zaev, çfarë "mrekullishë"( gjëmash) do të na bien mal mbi koka, nga deti e nga toka???

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat